Të paktën mos t'i shpallim Miq të Shqipërisë!
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2023/05/-800-0-619e035c8e12c_2023_05_28_15.png?itok=l5SBmPX9)
Ka zënë sot vend në media një “lajm” për vizitën në Tropojë të ambasadores amerikanë Yuri Kim.
Kam ardhur ne Tropojë sepse është një nga vendet e mia me të pëlqyera ne Shqipëri. E kam përmendur shpesh që familja e babait tim vjen nga malësitë dhe kur vi në Tropojë apo në veri të Shqipërisë me duket sikur jam me familjen time. Pas 3 vite e gjysme në Shqipëri ka ardhur koha të them mirupafshim.
Kam ardhur në Tropoje në Bajram Curr për të shprehur respektin tim për të thënë faleminderit
citohet zonja Kim.
Është shumë e qartë se kjo mizaskenë bizantine është mesazh politik për Sali Berishën, kryetarin e Rithemelimit, i shpallur non grata prej 2 vjetësh dhe humbës I zgjedhjeve lokale. Është mesazhi se “ja ku humbe” dhe nuk vjen më në pushtet.
Është padyshim edhe një mesazh për qytetarët shqiptarë të cilëve u thuhet: mos votoni ata që SHBA i shpall non grata! A është ky manipulim aop devijim vote? Ndikim malinj në proceset e një vendi që duhet të zgjedhë lirshëm? Po ja lëmë zonjës Kim përgjigjen meqenëse preferon të përdorë apo të përdoret për lodra të tilla.
Si përfaqësuese e një vendi të madh, madje vendit kryesor sot në botë, një skenë e tillë do të duhet të shmangej. Dikush mund të thotë që zonja Kim zbaton politikën zyrtare të SHBA, por është pak e vështirë të besohet se dikush në Departamentin Amerikan të Shtetit të jetë kujtuar për të dhënë udhëzimin: Shko në Tropojë për t’i kujtuar Berishës që nuk e duam! Është më shumë një lojë personale e zonjës Kim, që e mbyll me njollë misionin e saj në Tiranë, sepse vetëm diplomate nuk ishte.
Ndaj për aq sa ka vlerë dhe rëndësi, është e udhës që pasuesi I saj të vërë sadopak në vend dinjitetin e nëpërkëmbur të përfaqësisë diplomatike në Tiranë që është shndërruar në një problem politik për Shqipërinë, e cila problemet e veta duhet t’i zgjidhë vetë. Votuesit folën, mençurisht si përherë dhe z. Berisha tashmë është jashtë shanseve për të qenë pjesë e vendimmarrjes në të ardhmen. Po themi dinjiteti sepse autoritetin ajo seli e ka për shkak të forcës që përfaqëson, por edhe forca me përfaqësues të tillë humbet shumëçka nga vlera e vet pse ngelet një instrument shterpë për një marrëdhënie që pretendohet strategjike.
Patjetër që kjo nuk e bën Sali Berishën ndonjë farë burri, sepse të jetë për të e pret Yuri Kim në zyrë e përhap fotot sa hap e mbyll sytë, por për aq sa ka mbetur nga kjo marrëdhënie që ka hyrë në rrugën e intoksikimit, është e udhës që njerëz si Kim të mos deklarohet vërdallë se janë Miq të Shqipërisë. Të na u kursejnë hipokrizinë që e dimë mirë sesi është.
s.zaimi
Comments
Gabimi ne gjykim, qe ju me sa
Gabimi ne gjykim, qe ju me sa duket e beni me dashje, eshte kjo prirja per te ndare Juri Kim si person me Juri Kim si perfaqesuese e nje shteti aleat, nje ndarje qe ne praktike nuk mund te ekzistoje. Sigurisht qe perceptimet personale te nje diplomati mund te behen shkak i politikes se jashtme te nje shteti ndaj nesh. Diplomati per kete pune eshte: te marre informacion, te percoje ate informacion atje ku duhet me sygjerimet perkatese. Por nuk ma do mendja qe qendrimet e nje shteti te formesohen ekskluzivisht nga opinionet e nje diplomati, sepse ata kane lobime, kanale formale e informale komunikimi. Dhe te thuash qe eshte Juri Kim balozi i zi nga pertej detit qe vjen per te ngrene gjergjelezalinjte tane, kjo eshte pertej naivitetit te autosugjestionuar.
Add new comment