Në fund fasada nuk prodhon më asgjë
Gjatë një diskutimi në Parlament, një ndër drejtuesit e Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, duke mbrojtur projektligjin për rishikimin e pagave të funksionarëve publikë, ndërtë tjera tha se:
Ne do të përballemi me sfida të mëdha të burimeve njerëzore. Është e vërtetë që ne kemi investuar në spitale të mira, por neve na duhen edhe mjekë, edhe infermierë…
Komenti vjen ndërkohë që migrimi i njerëzve ka mbërritur në pikën e shndërrimit të tij në element të një krize ekonomike strukturore. Qeveria socialiste kujtohet tashmë për këtë situatë të cilën e injori për dy mandate. Rritja e pagave është një hap, kushtëzimet për studentët e mjekësisë është një hap tjetër dhe tani rritja e pagave në administratë është masa e fundit. Z. Gjiknuri shtoi se rritja në sektorin publik do të detyrojë edhe sektorin privat që të reagojë, mirëpo të dhënat tregojnë se sektori privat nuk po gjen dot krah pune megjithë rrogat e rritura jo pak.
Në këtë kuptim, rritja e pagës dëshmon vëmendjen e qeverisë drejt problemit të ikjes së njerëzve dhe ikjes madje nga sytë këmbët, por nuk e adreson atë. Sepse teksa qeveria socialiste ka rreth 10 vjet që trumbeton rritje ekonomike dhe sukses në reforma, ajo përballet me paradoksin e humbjes së bazës njerëzore që mbështet një ekonomi të tillë në zgjerim. Dhe kjo kërkon shpjegim të qartë, përtej përgjithësimit që bëhet aktualisht se të gjitha vendet janë prekur nga kjo dukuri.
Ç’është më e rëndësishmja; askush në Shqipëri nuk flet për punën, por vetëm për politikën dhe emigrimin, shenjë kjo e pamohueshme se asnjë qeveri deri më sot dhe asnjë politikë nuk ka arritur që të normalizojë një ekonomi reale tregu ku të veprojë konkurenca. Ne kemi një treg me monopol qeveritar në shpërndarjen e parasë publike, duke krijuar asimetri të mëdha, por ka monopol edhe me rregullimet e improvizuara dhe lobuara nga grupe të ndryshme që dominojnë një ekonomi në situatë oligopoli. Një qeveri apo një politikë që mund të donte realisht të vepronte për të moderuar gjendjen aktuale do të interesohej më shumë në nxitjen e sipërmarrjes sesa në rritjen e pagave, që në fund të fundit ushqen një apati tanimë të kudondodhur.
Nga ana tjetër, vetë diskutimi që po bëhet, përveçse reflekton presionet e mbledhura ndër vite provon me fjalët e z. Gjiknuri që “na duhen mjekë, përpara se të na duhen spitale të mira” se qasja e fasadës që është ngritur në kulm me drejtimin e z. Rama, nuk mbështetet më dhe nuk mbështet dot asnjë lloj zhvillimi real. Mjafton të shohësh nivelin e kryebashkiakëve të kuptosh se reforma territoriale dhe administrative zhbëhet tërësisht në të gjitha qëllimet, sikundër mjafton ikja e 20-30% të njerëzve për çdo qendër të madhe banimi, për ta bërë investimin në rrugë e bulevarde të projekteve personale, krejtësisht absurd.
Kriza tërësore që po kris anijen e ekonomisë shqiptare e ka detyruar qeverinë të ulet në tokë e të flasë për ato gjëra që deri më tani i kishte lënë në periferi të delireve të njërit apo tjetrit, ndonëse duket pak vonë. Pasi njerëz si ky z. Gjiknuri, mund të mburren me votat e marra dhe fitoret elektorale, por ata përfaqësojnë shkakun e kësaj klime të përgjithshme që është krijuar e që e ka vënë qytetarin e zakonshëm edhe njëherë në zgjedhje për mbijetesë. Mesa duket mundësitë e mëdha që ofron rritja ekonomike e sukseseve socialiste nuk po shihen më si alternativë ndaj ikjes në masë. Është edhe paraja informale dhe ajo patjetër do të tolerohet për të mbajtur në këmbë stabilitetin e rremë të këtij vendi. Por ne e kemi tashmë përvojën për të kuptuar se këto para kalohen në duar të caktuara, imponojnë modele të caktuara në qendrat urbane të Shqipërisë duke qenë kështu një ndër shkaqet e mëdha të mosfunksionimit të këtij vendi që mbetet i paintegruar me ritmin e zhvillimit në vende të tjera. Ndaj edhe ikja e njerëzve vijon të mbetet edhe një largim nga feudi i një grupimi që është aq i pasuruar saqë këto masat për pagat sepse duken si filantropi.
s.zaimi
Add new comment