Ndahet nga jeta Tina Turner

Postuar në 24 Maj, 2023 21:57

Këngëtarja Tina Turner ka ndërruar jetë në moshën 83-vjeçare.

“Me muzikën e saj dhe pasionin e saj të pakufishëm për jetën, ajo magjepsi miliona fansa në mbarë botën dhe frymëzoi yjet e së nesërmes. Sot i themi lamtumirë një mikeje të dashur që na lë të gjithëve punën e saj më të madhe: muzikën e saj”, u njoftua në faqen e saj të Instagramit.

Vitet e fundit, ajo është përballur me një sërë problemesh shëndetësore, që nga kanceri, një goditje në tru dhe problemet me veshkat.

Ajo u bë e famshme së bashku me bashkëshortin Ike në vitet 1960 me këngë si Proud Mary dhe River Deep, Mountain High.

Në vitin 1978, ajo u divorcua dhe pati sukses akoma më të madh si artiste solo në vitet 1980.

E quajtur Mbretëresha e Rock 'n' Roll-it, Tina Turner ishte e famshme për performancat e saj të egra dhe energjike në skenë dhe vokalin e të fuqishëm

Turner fitoi tetë çmime Grammy dhe u përfshi në Rock 'n' Roll Hall of Fame në 2021 si një artiste solo, pasi ishte futur për herë të parë së bashku me Ike Turner në 1991.

Menaxheri prej 30 vitesh i Turner, Roger Davies, tha në një deklaratë se "Tina ishte një forcë unike dhe e jashtëzakonshme e natyrës me forcën, energjinë e pabesueshme dhe talentin e saj të jashtëzakonshëm".

“Që nga dita e parë që e takova në vitin 1980, ajo besonte plotësisht në veten e saj, kur pak të tjerë e besonin në atë kohë... Do të më mungojë shumë”, shtoi ai.

E lindur në Tenesi, ajo ra në sy fillimisht si një nga këngëtaret mbështetëse të grupit të bashkëshortit të saj The Kings of Rhythm.

Shumë shpejt ajo mori drejtimin e grupit dhe çifti shijoi suksesin komercial me Fool in Love dhe It's Gonna Work Out Fine, të cilat u renditën në listat amerikane në fillim të viteve '60.

Fama e Tina Turner ka shkuar paralel për shumë vite me marrëdhënien abuzive me të shoqin. E lindur  Anna Mae Bullock, ajo u shndërrua në Tina Turner pa dijeninë e saj, një vendim i marrë nga i shoqi në fillimet e karrierës së saj.

Pasi u nda nga i shoqi, Tina Turner ia doli të bëhej një nga yjet më të mëdhenj të pop-it dhe rock-ut të viteve 80 dhe 90, me hite duke përfshirë Let's Stay Together, Steamy Windows, Private Dancer, James Bond tema GoldenEye, I Don't Wanna Fight and It Takes Two, një duet me Rod Stewart.

Ajo gjeti lumturinë me bashkëshortin e saj të dytë, ekzekutivin gjerman të muzikës Erwin Bac. Ata filluan të takoheshin në mesin e viteve '80 dhe u martuan në vitin 2013.

Dyshja jetonin në Zvicër, ku Turner mori nënshtetësinë zvicerane. Ai i dhuroi asaj njërën veshkë në vitin 2017.

Turner ka humbur dy djemtë: Craig, i cili u vetëvra në vitin 2018 dhe Ronnie, i cili vdiq në vitin 2022. Ajo lë pas dy djem të birësuar, Ike Jr dhe Michael, fëmijët e Ike nga një lidhje e mëparshme.

Historia e jetës së Tinës është përjetësuar në një film biografik të vitit 1993 me titull What's Love Got To Do With It, i cili i dha aktores Angela Bassett një nominim për Oscar për rolin e këngëtares.

Në një intervistë me Marie Claire në Afrikën e Jugut në vitin 2018, Turner tha: "Njerëzit mendojnë se jeta ime ka qenë e vështirë, por unë mendoj se ka qenë një udhëtim i mrekullueshëm. Sa më shumë të rritesh, aq më shumë e kupton se jeta nuk është ajo që ka ndodhur, është mënyra se si ti e përballon”.

 

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.