As informacioni nuk i shpëton dot vdekjes
Çdo gjë vdes: njerëzit, makinat, qytetërimet. Ndoshta duhet të gjejmë pak ngushëllim në faktin se gjërat kuptimplota që kemi mësuar gjatë rrugës do të mbijetojnë. Por edhe dija ka jetëgjatësi. Dokumentet zbehen, arti humbet. Biblioteka dhe koleksione të tëra mund të shkatërrohen krejt papritur.
Sigurisht, në aspektin teknologjik, ne jemi në një fazë që na e bën më të lehtë të krijojmë mënyra për ta bërë dijen të disponueshme dhe të aksesueshme përgjithmonë. Në fund të fundit, dendësia e ruajtjes së të dhënave është tashmë në mënyrë të pakuptueshme e lartë. “Muzeu” gjithnjë në zgjerim i internetit lejon që kushdo të zhvendoset lehtësisht nga imazhet e mbledhura nga teleskopi hapësinor James Ëebb, përmes diagrameve që shpjegojnë filozofinë e Pitagorës mbi muzikën e sferave, në një tutorial në YouTube për kitarën solo të bluzit. Çfarë mund të kërkoni më shumë?
Shumë pak, sipas ekspertëve. Pikë së pari, ajo që ne mendojmë se është e përhershme në fakt nuk është e tillë. Sistemet e ruajtjes dixhitale mund të bëhen të palexueshme brenda 3-5 vitesh. Bibliotekarët dhe arkivistët garojnë për t’i kopjuar materialet në formate më të reja. Por entropia është gjithmonë aty, në pritje. "Profesionet që bëjmë, por edhe ne vetë si njerëz shpesh përpiqemi ta zgjasim jetën normale sa më shumë që të jetë e mundur përmes një sërë teknikash”, thotë Joseph Janes, profesor i asociuar në Shkollën e Informacionit të Universitetit të Uashingtonit.
Arkivistët tani po përballen me një valë të paprecedentë informacioni. Në të kaluarën, materialet ishin të pakta dhe hapësira e magazinimit e kufizuar. "Tani ne kemi problem të kundërtën", thotë Janes. "Gjithçka po regjistrohet gjatë gjithë kohës."
Në parim, kjo mund të korrigjojë një gabim historik. Për shekuj me radhë, shumë njerëz nuk kishin kulturën, gjininë ose klasën e duhur socio-ekonomike që njohuritë ose veprat e tyre të zbuloheshin, të vlerësoheshin ose të ruheshin. Por shkalla masive e botës dixhitale tani paraqet një sfidë unike. Sipas një vlerësimi të bërë vitin e kaluar nga një institut kërkimor mbi tregjet, IDC, sasia e të dhënave që kompanitë, qeveritë dhe individët krijojnë në vitet e ardhshme do të jetë dyfishi i totalit të të gjitha të dhënave dixhitale të gjeneruara që nga fillimi i epokës së informatikës.
Shkolla të tëra brenda disa universiteteve po kërkojnë qasje të reja për ruajtjen e të dhënave nën ombrellën e tyre. Qendra e të Dhënave dhe Shërbimeve për Shkencat Humane në Universitetin e Bazelit, për shembull, ka zhvilluar një platformë softuerike të quajtur Knora, e cila jo vetëm arkivon shumë lloje të dhënash nga puna e shkencave humane, por ehde garanton që njerëzit në të ardhmen të mund t'i lexojnë dhe përdorin ato. E megjithatë procesi është i ngarkuar.
"Ju bëni supozime dhe shpresoni për më të mirën, por ka grupe të dhënash që humbasin sepse askush nuk e dinte se do të ishin të dobishme," thotë Andrea Ogier, ndihmës dekan dhe drejtor i shërbimeve të të dhënave në Bibliotekat Universitare të Virginia Tech.
Njerëzit dhe paratë nuk janë kurrë të mjaftueshme për të bërë të gjithë punën e nevojshme—dhe formatet po ndryshojnë dhe shumohen gjatë gjithë kohës. “Si t’i ndajmë më mirë burimet për të ruajtur materialet? Sepse buxhetet janë të kufizuara", thotë Janes. "Në disa raste, kjo do të thotë që gjërat ruhen ose magazinohen, por thjesht qëndrojnë aty, të pakataloguara dhe të papërpunuara, me fjalë të tjera bëhet e pamundur për t'i gjetur ose aksesuar." Në disa raste, arkivistët përfundimisht i kthejnë mbrapsht koleksionet e reja.
Formatet e përdorura për ruajtjen e të dhënave janë në vetvete të përkohshme. NASA ruajti rreth 170 kaseta me të dhëna mbi pluhurin hënor, të mbledhura gjatë epokës së Apollos. Kur studiuesit vendosën t’i përdornin ato në mes të viteve 2000, ata nuk mund të gjenin një IBM 729 Mark 5 të epokës së 1960-s, që do t’i lexonte ato. Pas shumë përpjekjesh, ekipi gjeti një të tillë të ngjashëm në depon e Muzeut Kompjuterik Australian. Vullnetarët ndihmuan në rinovimin e pajisjes së vjetër.
Edhe softuerët kanë jetëgjatësi. Ogier kujton se u përpoq të merrte informacion nga një file i formatit Quattro Pro, por arriti në konkluzionin se nuk kishte asnjë softuer të disponueshëm që mund ta lexonte atë.
Ka pasur përpjekje për programe të qëndrueshme. Një projekt që bëri shumë bujë në 2015 është arkivi i Open Library of Images for Virtualized Execution (Olive), i cili përdor softuerë të vjetër si Chaste 3.1, një program kërkimor për biologjinë dhe fiziologjinë e vitit 2013 dhe versionin Mac të vitit 1990 të lojës kompjuterike The Oregon Trail në një grup pajisjesh virtuale. Projekti është ende aktiv, thotë Mahadev Satyanarayanan, profesor i shkencave kompjuterike në Universitetin Carnegie Mellon. Por ka pasur sfida në zgjerimin e ofertave të Olive, thotë ai: edhe softueri i papërdorur duhet të licencohet nga kompanitë që e zotërojnë atë dhe shpesh nuk është e lehtë të fusësh të dhëna të reja në aplikacionet kërkimore të arkivit.
Përpjekjet e tjera për të ndihmuar në avancimin e jetëgjatësisë së dijes kanë pasur rezultate të përziera. Arkivi i Internetit, ku ka “strehën” Wayback Machine, ka një koleksion të madh materialesh të dixhitalizuara, mes të cilave softuer, muzikë dhe video; që nga vera e vitit 2022, ajo ka qenë në betejë ligjore pasi një padie për shkeljen e të drejtave të autorit të ngritur nga botues të shumtë.
Në anën më shpresëdhënëse, Iniciativa për Kodimin e Tekstit ka ruajtur standardet ndërkombëtare për kodimin e teksteve të lexueshme nga kompjuterat që nga vitet 1990. Një dekadë më parë, Zyra e Politikave të Shkencës dhe Teknologjisë në SHBA sanksionoi që aplikacionet për kërkime federale duhet të ofrojnë një plan menaxhimi të të dhënave në mënyrë që ato të mund të përdoren nga studiuesit ose publiku në të ardhmen. "Ne po arrijmë në pikën ku pothuajse çdo projekt kërkimor i financuar nga grante duhet t’i ruajë të dhënat e tij diku," thotë Ogier. Por nuk ka kërkesa gjithëpërfshirëse se kush duhet t'i ruajë të dhënat ose për sa kohë duhet të ruhen.
Në mënyrë të pashmangshme, idetë, njohuritë dhe krijimet njerëzore do të vazhdojnë të humbasin. “Nuk mund të ruajmë gjithçka. Ne nuk mund të ofrojmë akses në gjithçka. Ne nuk mund t’i tërheqim të gjitha", thotë Ogier. "Por kjo nuk është arsye për të mos bërë aq sa mundemi".
* Gazetar i lirë
Add new comment