Sfida të reja, model ekonomik i vjetruar
Modeli ekonomik duhet të ndryshojë dhe mosgatishmëria për ta bërë këtë është shkaku kryesor i kaosit politik në disa vende. Jo Swinson, drejtor i “Partnerë për një Ekonomi të Re” dhe ish-ministër i qeverisë liberaldemokrate në Britaninë e Madhe, në një analizë të publikuar në Politico.eu, merr në shqyrtim rastin e vendit të tij.
Swinson e nis duke i dhënë të drejtë ish-kryeministres Liz Truss, e cila e shihte ortodoksinë ekonomike si problem real. Fatkeqësisht, “receta” e saj për uljen e taksave për të pasurit dhe inkurajimin e të ashtuquajturit casino-banking rezultoi e gabuar. Megjithatë, as Rishi Sunak dhe as lideri i laburistëve Keir Starmer nuk do t’ia dalin nëse vlerësojnë se duhet rikthim te masat shtrënguese dhe nuk ka hapësirë për pak guxim. Sipas Swinson, kaosi aktual politik në Britani i ka rrënjët të paktën dy dekada më herët, në një ekonomi në dukje në lulëzim, që kishte lënë pas shumë vende.
Pakënaqësia ishte maskuar, për njëfarë kohe, nga qeveria e kryeministrit të atëhershëm Tony Blair duke rritur shpenzimet publike - por “thyerja” financiare goditi rëndë.
Tregjet kërkuan masa shtrënguese dhe në vitin 2010, çka solli nevojën për t’iu nënshtruar ortodoksisë ekonomike se për të ulur deficitin, para së gjithash. Shkurtimet në emër të "kursimeve të efikasitetit" prodhuan një shoqëri më pak elastike. Kjo u pa sidomos në fillim të pandemisë COVID, kur shumë bluza të bardha në linjën e parë mbetën të pambrojtur.
Kufizimet e ashpra të pagave - edhe pse, me sa duket, jo në krye - e bënë jetën më të vështirë, duke e bërë shoqërinë më të prekshme ndaj taktikave përçarëse të së djathtës ekstreme dhe ndaj retorikës kundër emigrantëve.
Ngjashëm ndodhi edhe në Brazil, Francë, Gjermani, Indi, Itali, Suedi, Shtetet e Bashkuara dhe shumë të tjera. Pati polarizim dhe rritje të populizmit, ekstremi i djathtë fitoi terren. Swinson thekson se është koha të shihet përtej PBB-së si tregues për përparimin dhe t'i jepet fund obsesionit tonë me një sistem matës që ka të meta, të cilat kanë qenë të dukshme që shumë përpara vitit 1968.
PBB-ja injoron shumë nga ato që kanë më shumë rëndësi; fatkeqësitë e bëjnë GDP-në të rritet; nuk na tregon se kush merr çfarë. Për gjallesat, rritja është e dobishme dhe e dëshirueshme deri në pikën e pjekurisë. Dhe si shoqëri, ne duhet të mbështesim rritjen e gjërave të tjera - shëndetin dhe mirëqenien tonë, bollëkun e natyrës në parqet dhe hapësirat tona të gjelbra, lulëzimin e aftësive dhe vetëvlerësimit të të rinjve tanë, si dhe kuriozitetin tonë kolektiv, kreativitetin, kujdesin dhe bashkëpunimin. Ne jemi, nga natyra, kafshë sociale dhe bashkëpunimi është forca përcaktuese e njerëzimit.
Pandemia na mësoi se çfarë ka vërtet rëndësi – nëse duam të mësojmë mësimet. Gara për krijimin e vaksinave u arrit në një kohë rekord përmes bashkëpunimit të paprecedentë mes qeverive, shkencëtarëve dhe biznesit. Virusi u ngadalësua nga solidariteti i jashtëzakonshëm publik. Dhe secili prej nesh pa se vlera e gjërave nuk mund të matet me para.
Përballë një të ardhmeje të pasigurt, duhet një qasje e re ekonomike. Përmbytjet, zjarret, thatësirat, stuhitë dhe pandemitë sa vijnë e shtohen. Megjithatë, ekonomia është me dashje injorante - në mënyrë katastrofike - kur bëhet fjalë për rolin vendimtar të mjedisit në ekonominë tonë.
Modelet aktuale ekonomike janë shumë të thjeshta – ato nuk i pranojnë pasojat e plota të ndryshimeve klimatike dhe pak vëmendje u kushtohet shenjave të shumta paralajmëruese ekologjike mbi zhdukjen e specieve, rrjedhat e azotit dhe fosforit, ndryshimin e përdorimit të tokës dhe ndotjen kimike. Njohuria mjedisore duhet të jetë thelbësore për ekonominë.
Edhe ekonomistët duhet të tregojnë pak përulësi. Ndërkohë që kompanitë e energjisë bëjnë fitime rekord, 30 milionë njerëz janë zhvendosur në Pakistan nga përmbytjet apo vapa ekstreme e verës së kaluar. Nuk është nevoja që një njeri të jetë i diplomuar për të kuptuar shkëputjen midis teorisë aktuale ekonomike dhe përvojës së tyre të jetuar.
Ikja nga kërkesa për rritje të pafundme ekonomike dhe shfrytëzim të burimeve natyrore është gjithashtu një enigmë e ndërlikuar, por edhe këtu ka arsye për optimizëm. Profesorët Jason Hickel, Julia Steinberger dhe Giorgos Kallis së fundmi fituan fonde të mëdha të Këshillit Evropian të Kërkimit për të eksploruar shtigjet ekonomike pas rritjes, dhe me Konferencën Përtej Rritjes të javës së ardhshme në Parlamentin Evropian, çështja është në rendin e ditës në nivelet më të larta të BE-së.
Për çfarë shërben politika ekonomike? Përgjigjen Swinson e gjen te shpjegimi i prof. Kate Raworth: Projektoni një ekonomi që funksionon brenda dy unazave të një petulle me vrimë - themeli social i një shoqërie që ka akses në gjërat thelbësore të jetës dhe tavani ekologjik i kufijve planetarë.
Add new comment