Diplomatët kanë qenë të dobishëm kur bënin punën!

Postuar në 09 Maj, 2023 14:37

Ambasadorja e BE-së në Shqipëri ka bërë disa komente për Shqipërinë gjatë një transmetimi televiziv. Zonja Christiane Hohmann ka thënë ndër të tjera se është shumë e befasuar nga vendi ynë:

Shqipëria është kaq e bukur! Çdo herë ti kthen kokën dhe ti mbetesh pa frymë. Janë malet, është deti dhe jo vetëm plazhet, e kam fjalën edhe për pjesën tjetër të brendshme të vendit. Keni kaq shumë gjëra për të shijuar. Përpara dy javësh isha në Tomor. Vetëm kur i hidhje sytë poshtë tek luginat, çfarë mrekullie!

A e dini ju sa e mrekullueshme është Shqipëria? Është fantastike dhe mbi të gjitha, kudo që shkon, njerëzit janë kaq të dashur, kaq të ngrohtë, kaq mikpritës! Unë nuk e flas shqipen fatkeqësisht, por të gjithë përpiqen të të bëjnë të ndihesh shumë e mirëpritur.

Vend shumë, shumë i veçantë. Unë nuk kam takuar asnjë të huaj të vetëm, që të ketë ardhur në Shqipëri për herë të parë dhe të jetë larguar me një imazh negativ për Shqipërinë. Të gjithë mbeten pa frymë, thonë që Shqipëria është spektakolare

Është teatër i vjetër ky tashmë. Ambasadorë që vishen me costume popullore, dalin foto dhe pozojnë. Aktin natyralizues e bëjnë lajm mediat dhe ja të mbushet zemra me shpresë. Sepse shpresa e shqiptarëve kalon nga begenisja e dynjasë. Lajmi në vetvete është ripublikuar nga gazeta “Dita” online, ndonëse aty vetëm Lajm nuk ka. Ndaj ai tingëllon si një formë e propagandimit pozitiv të Shqipërisë te shqiptarët, si për t’u kujtuar se nuk kanë pse ikin nga kjo mrekulli.

Çështja është se sado e sinqertë të jetë ambasadorja në fjalë, ftohja e shqiptarëve me Shqipërinë nuk ka të bëjë me luginat e mrekullueshme dhe mallet hijerëndë. Nuk ka të bëjë me gjeografinë dhe klimën. Ka të bëjë me Shqiptarin që është xhahil për Shqiptarin. Kështu që mesazhe të tilla kumbojnë pozitivisht vetëm te filozofët e rehatit në këtë vend, jo nga qytearë të takatit. Sepse është edhe fyese xhanëm që një i huaj të vijë e të na tregojë sesa të bukuara janë peizazhet kur vetë ka status të privilegjuar, po edhe merr ndonjë rrogë 20 mijë euro/muaj, nuk i duhet të rendë zyrave e të lutet për çdo gjë, as të përballet me lajmin: o vlla pa merak se do të të prishim shtëpinë e kështu me radhë.

Ndaj shërbimi më i mirë publik që ambasadorë të tillë mund të bëjnë, meqenëse duan të japin një shërbim, është: Heshtni! Në fund të fundit, diplomatët e kanë adresën se ku duhet të flasin e çfarë të thonë.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.