Ku ndodhet Shqipëria e Edi Ramës?

Postuar në 28 Prill, 2023 13:47

Në faqen e Facebook të kryeminstrit shpërndahet sot një video e re lejtmotivi i së cilës është dallimi mes Shqipërisë së qeverisë së PS-së dhe asaj para saj.

Në pjesën e dytë të video thuhet se Shqipëria po bëhet përditë e më e fortë, pagat po rriten si asnjëherë më parë, ekonomia po zhvillohet apo edhe bashkitë po ashtu.

Kjo e gjitha meritë e Partisë Socialiste, premtim ky gati profetik përkundrejt dyshes Meta-Berisha që përfaqësojnë prapakthim.

Ku është kjo Shqipëri që trumbeton z. Rama? Ku gjendet kjo ekonomi e fortë dhe në rritje? Ku janë këto bashki që po zhvillohen të cilat nuk mbledhin dot as plehrat, apo nuk ndajnë dot një vijë plazhi publik?

Si qëndron në raport me mua si qytetar kjo Shqipëri e re, e ringritur ?

Cili shqiptar, cilat sy, cila mendje e percepton këtë Shqipëri që trumbetohet këtu?

Padyshim që dyshja Meta-Berisha mund të përfaqësojnë çdo të keqe, por më e ligë sesa dyshja në fjalë, është përmbysja e realitetit në realitete dixhitale të sponsorizuara nga kryeministri i vendit, që pas 10 vjetësh në drejtim, lufton ende me të njëjtë njerëz. Me të cilët dikur prishte Kushtetutën, pastaj firmoste partneritet strategjik.

Politika do thonë i ka këto. Mundet. Por nëse ky parim i propagandës mbi ekzagjerime dhe mashtrime është tashmë njohuri publike, pse vazhdohet të gënjehet njësoj?

Degradimi i marrëdhënies me të vërtetën ka mbërritur në një pikë saqë mbi të nuk mund të inksenosh më asnjë simulim, asnjë manovër. Shqipëria është aty, fekale e vërtetë dhe kanal i hapur sëmundjesh, ajo është në duart e dhjetë njerëzve. Asgjë më shumë se kaq.

Ndaj ata që i bëjnë like, komentojnë, duartrokasin dhe shpërndajnë me entuziazëm spote të tilla, është e udhës të mos harrojnë apo kenë parasysh se me paratë që kanë sot në dispozicion socialistët e dretimit të partisë, më së paku do kishim ujë 24 orë, se ato pemët e mbjella me fushatë, janë hiçmosgjë para vilave dhe pasurive të atyre që sot marrin pamjen e oshënarëve.

Nuk do keqdashje, as inteligjencë të shoësh mortjen dhe veremin ku ka rënë ky vend. Ai bërtet dhe të zë rrugën çdo ditë, të bën pis ndërgjegjen dhe të prish shikimin. Një Shqipëri që estetikisht kënaq vetëm socialistllarët buxhetllinj dhe për këtë shkak është në aspektin etik një sëmundje e përgjitshme që po shitet si shëndet.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.