Turizëm/Venera e Boticcellit "rrit gjoksin" dhe promovon Italinë e sotme
Në Itali, Ministria e Turizmit ka zgjedhur një personazh aspak të zakontë për fushatën me të cilën promovon turizmin. Venera ka “zbritur” nga piktura e famshme e Botticelli-t, për të bërë selfie në Piazza San Marco në Venecia, xhiro me biçikletë nëpër rrugët e Romës dhe foto teksa ha pica buzë liqenit Como në veri.
Zgjedhja e ministres së Turizmit, Daniela Santanchè, për ta shndërruar Venerën e Botticelli-t në influencer ka hapur një debat të madh. Ndër të parët që e kritikoi spotin ishte nënsekretari për Kulturën, Vittorio Sgarbi.
“Publicitetin, Italisë ia bëjnë veprat e artit, pa qenë nevoja t’i maskosh ato”, ka shpjeguar kritiku i artit, të cilit nuk i ka pëlqyer të shohë Venerën të veshur njësoj si Chiara Ferragni. Por kritikat Sgarbit kanë të bëjnë më së shumti me sloganin: “Open to Meraviglia? (Të hapur për një mrekulli?) Edhe këtu po njësoj. Nuk dua të kundërshtoj shumë kolegët e mi, por çfarë është kjo? Çfarë gjuhe është?".
Vincenzo Scalia, sociolog në Universitetin e Firences, ka një tjetër qasje për Venerën me minifund.
Personalisht, nuk shoh asgjë fyese. Në kohën e pop-artit, arti ka zbritur nga piedestali dhe sot jetojmë në një periudhë në të cilën përdoret imazhi, simboli dhe figurat përfaqësuese. Ministrja Santanchè i ka vënë vetes synim mbështetjen e turizmit masiv. Imazhi i krijuar përshtatet në mënyrë të përkryer në këtë brazdë.
Është një reklamë që reflekton shijet e turistit mesatar dhe që ndjek trendin e momentit. Drama nuk është Venusi që ngjan si Ferragni, por turizmi i pavetëdijshëm, i cili fotografon monumentet për të grumbulluar pëlqime, pa ditur vlerën artistike dhe historinë pas saj.
Kryetari i Bashkisë së Firences, Dario Nardella, flet për nevojën e një narrative më të vërtetë dhe më pak karikatureske të qyteteve italiane.
Në Firence po luftojmë kundër një shfrytëzimi komercial qesharak të kryeveprave artistike si mbulimi i pjesës intime të Davidit apo riprodhimet groteske të veprave të artit me poza budallaqe.
Antonio Natali, drejor i galerisë "Ufizzi" prej 8 vjetësh, sheh një detaj tjetër te videoja promocionale.
E çuditshme, duket se Venera ka shtuar një masë në madhësinë e gjoksit. Kjo fushatë nuk është gjë tjetër veçse është pasqyra e kohës
Cristina Acidini, ish-mbikëqyrëse e kompleksit muzeor fiorentin, flet për keqërdorim të kryeveprave të kulturës italiane.
E kam kundërshtuar vazhdimisht keqpërdorimin dhe manipulimin e kryeveprave tona. Më habit fakti që një propozim i tillë vjen nga një organ ministror.
Debate edhe për koston
Kostoja e investimit për fushatën pranverë/verë dhe vjeshtë/dimër e cila do të zhvillohet në të gjitha tregjet kryesore ndërkombëtare mendohet të arrijë në rreth 9 milionë euro, nga të cilat rreth gjysma do të përqendrohen në qendrat kryesore të aeroportit ndërkombëtar, me videon promovuese që do të transmetohet në fluturimet e Ita Airëays, dhe në stacionet hekurudhore evropiane, të cilat lidhin vendin direkt me Francën, Gjermaninë, Austrinë dhe Zvicrën. 4 milionë euro më pas do të investohen në ekosistemin dixhital ndërkombëtar me fushata ndërkombëtare ndër-mediale.
Add new comment