Kancelari Super Smart i Albionit
Jetojmë në një kohë të errët, kur zëdhënës të politikbërjes janë kllounët e interesave të mëdha financiare, kur sistemi vetë ka ceduar të të korrigjojë veten duke e shndërruar forcën e delegimit me votë, në një ritual pëlqimi në mediat sociale. Është kjo arsyeja pse është kaluar nga diskutimi dhe këshillimi në garën për të fituar debatin, dominuar zhurmën çka sjell mandej pasojën fatkeqe të drejtimit nga njerëz që nuk kuptojnë dhe as duan në fakt të kuptojnë pasojën e asaj që thonë dhe bëjnë.
Debati kryesor sot në botë është Inteligjenca Artificiale, pasojat e saj, përderisa edhe zhvilluesit e tyre po deklarojnë se nuk janë ende në gjendje të kuptojnë progresin e paparashikuar të këtij organizimi teknologjik, autonominë logjike dhe shenjat e para të një njohjes emocionale dhe aftësisë për të “përzgjedhur”. Me atributet e njeriut kjo teknologji mahnit po aq sa provokon frikë, duke na kujtuar në sens të kundërt se ndoshta dikur Zeusi kishte të drejtë kur dëboi dhe ndëshkoi Prometeun. Sidomos kur zëdhënës të përdorimit të saj bëhen njerëz të politikës, të tillë për shkak të artit të Like-ve.
Në një diskutim së fundmi, Kancelari britanik, Jeremy Hunt, ka deklaruar se Elon Musk e ka gabim për Inteligjencën Artificiale dhe se Britania e Madhe duhet te ecë përpara me shpejtësi maksimale në këtë sektor. Frika është po ajo: Perëndimi duhet ta fitojë këtë garë dhe të vendosë një standard të artë për këtë teknologji të re.
Mendoj se ne duhet të fitojmë garën dhe mandej të jemi super të zgjuar(supersmart) për mënyrën sesi do ta rregullojmë atë që të jetë një forcë për të mirën, që të përmirësojë vlerat në të cilat ne të gjithë besojmë
është shprehur Hunt.
Mjafton sintaksa dhe leksiku i këtij këtu për të kuptuar që të dyshojmë se kemi të bëjmë me një tekst të diktuar nga ChatGPT. Është një lloj mendjelehtësie që nuk mund të tolerohet në asnjë rrethanë për vetë natyrën e zhvillimit që po ndodh. Gjatë pandemisë ne pamë të gjithë sesi shtetet, edhe Britania e ndriçuar e Jeremy Hunt, gabuan. Dhe gabuan rëndë. Në çdo gjë thuajse, duke vendosur një precedent negativ për raportin mes qytetarit dhe qeverisë. Politikanë si ky që prezantojnë çdo gjë si të mirë apo të keqe, duke luajtur mbi indiferencën dhe eklipsuar shqetësimet reale që janë premisë për debat të shëndetshëm, janë pikërisht ata agjentë të korozionit demokratik që tashmë kanë pushtetin thuajse kudo.
Për të kuptuar diferencën në mënyrën sesi politika guxon t’i qaset çështjeve të tilla në kohën tonë dhe pse ajo është tashmë zehe e një skote palaçosh pa asnjë kod, mund të krahasojmë këtë mënyrë shprehjeje me qëndrimin e 70 viteve më parë nga ish-presidenti amerikan, Eisenhower. I cili në mesazhin e tij të lamtumirës, e gjeti me vend të fliste dhe madje të popullarizonte termin “kompleksi ushtarako-industrial”, që sipas tij përbënte kërcënim për mënyrën amerikane të jetesës, vlerat e saj, pavarësisht se SHBA nuk mund t’i lejonte më vetes të improvizonte me mbrojtjen.
Ekzistenca e një establishmenti shumë të madh ushtarak dhe një industrie të madhe të armëve është e re në përvojën amerikane. Ndikimi tërësor – ekonomik, politik, ushtarak dhe madje edhe Shpirtëror – ndjehet në çdo qytet, çdo shtëpi, çdo zyrë të qeverisë Federale. Ne e njohim nevojën imperative për këtë zhvillim. E megjithatë ne nuk duhet të dështojmë në të kuptuarin e implikimeve të tij të thella…Sot, shpikësi i vetmuar…është lënë në hije nga task forca të shkencëtarëve në laboratore dhe poligone. Në të njëjtën mënyrë, universiteti i lirë, historikisht burim i ideve të lira dhe zbulimeve shkencore, ka përjetuar një revolucion në drejtimin e kërkimeve. Për shkak të kostove të stërmëdha, kontrata qeveritare është bërë virutualisht një zëvendësuese për kuriozitetin intelektual…Duke mbajtur kërkimin dhe zbulimin shkencor në konsideratë, siç duhet, ne po ashtu duhet të jemi të vëmendshëm po aq për rrezikun e kundërt, që është se politika publike vetë mund të vihet në varësi të një elite shkencore-teknologjike
Janë fjalë të vitit 1961 nga një gjeneral me përvojë lufte, që drejtoi Komandën Aleate në zbarkimin në Normandi dhe që si i tillë do të pritej të miratonte militarizimin që në traditën europiane kulminon te termi Bonapartizëm. Mirëpo është e rrallë, një fat i lumtur të themi për kombe që dikush që ka njohje të thellë në punën e vet, shtyhet më tej për të kuptuar se përtej çdo konsiderate qëndron Njeriu, ndaj edhe mesazhi i ish-presidentit amerikan tingëllon kaq aktual, për shkak se në fjalët e tij edhe yjet e gjeneralit në fakt ishin një mjet, jo një qëllim.
Shoqëria e Lirë është synimi më i lartë
do të thoshte ai, për të nënvizuar se paradigma që e sheh Sigurinë të prevalojë mbi Lirinë shënon në fakt fundin e të dyjave. Është pikërisht kjo që po tjetërsohet nga njerëz të rëndomtë si Kancelari Hunt që flet për garë, fitore, “full steam” të avullores së Albionit, duke recituar asgjë më shumë sesa të dhënat e bursës, pa kuptuar në fakt se “përgjegjësia e qeverisë/ve” në administrimin e teknologjive të tilla qëndron shumë më poshtë pasojave imediate të tyre. Jo më kot, Eisenhower fliste edhe për ndikimin Shpirtëror të shpërndarjes në një territor të Uniformës dhe Armës, duke kuptuar se në kohën e Teknopolis-it, të Qenit Njeri është sfida themelore.
s.zaimi
Add new comment