Të dekonstruktojmë skenarin FreudPorn!
Thuhet se të bësh seks është si të ngasësh një biçikletë. Në realitet, më shumë sesa aq, është si të marrësh patentën e shoferit: askush nuk i kushton shumë vëmendje teorisë, sepse të gjithë duan të hidhen menjëherë te praktika, të cilin do ta vazhdojnë, me shpresë, se do të vijojë gjatë gjithë jetës. Alexandre Lacroix mendon se këtu është një keqkuptim të madh. Për t’i qartësuar gjërat, filozofi francez botoi “Apprendre à faire l'amour” (Të mësosh të bësh dashuri), një ese mbi seksin, në të cilën ai premton të dhëna për të arritur në "seksin e përsosur". Lacroix merr nga klasikët si Ovidi dhe tradita taoiste, duke i sjellë mësimet e tyre në të tashmen, një moment në të cilin seksi është ngopur me atë që ai i referohet si Freudporn.
Ky neologjizëm unik përfshin një skenar monoton dhe të ngurtë (paralojë, penetrim, orgazëm) që u krijua nga babai i psikanalizës (Frojdi) dhe përforcoi industrinë e pornografisë. Një skenar që dashnorët (kryesisht heteroseksualët) e përsërisin në mënyrë të pavullnetshme, duke ndjekur hapat e një kërcimi me koreografi paraprake. Në vend që të nxitemi nga një instinkt atavist dhe irracional, ajo që bëjmë në shtrat shpesh frymëzohet nga faqet pornografike si Pornhub.
Përveç rrëfimit të historive personale, Lacroix u drejtohet filozofëve të së shkuarës dhe të sotmes si Aristoteli, Michel Houellebecq, Andrea Dworkin, Arthur Schopenhauer ose Immanuel Kant për të argumentuar se seksi duhet kuptuar si një art i gjallë, krijues dhe performues. Sipas tij, perspektiva biologjike e këtij akti është analizuar më shumë seç duhet, ndërsa dimensionet e tij mjedisore, kulturore dhe politike shpesh janë parë përciptazi.
A mund të ndihmojë një traktat mbi filozofinë në shtrat më shumë se Kama Sutra?
Po. Mendoj se ka dy dimensione. E para është se [Kama Sutra] nuk është aq e dobishme. Ndonjëherë është e vështirë të bësh pozicionet e saj dhe mund ta shndërrosh marrëdhënien seksuale në njëfarë fumeti komik. Është si të shpjegosh nëpërmjet gjeometrisë se po kalon një moment të mrekullueshëm me dikë; nuk është aq e lehtë. Nga ana tjetër, mendoj se filozofia mund të ndihmojë sepse seksologjia është e ndikuar nga mjekësia dhe psikologjia. Por është diçka më e ndërlikuar se kaq. Seksi nuk është vetëm një funksion biologjik. Nuk është njësoj sikur kur ushqehesh. Kur bëjmë seks, ne përfshihemi në skenarë kulturorë.
Është ajo që ju e quani Freudporn, një fjalë e gjetur…
Ka një teori mjaft interesante në lidhje me sociologjinë e seksualitetit, e cila u botua [në vitet 1970] nga dy studiues amerikanë, John Gagnon dhe William Simon. [Quhet] teoria e skenarëve seksualë. Ideja është që kur jemi të angazhuar në marrëdhënie seksuale, ne ndjekim njëfarë skenari. Këta skenarë nuk janë të shkruar, por ne i dimë. Ne e dimë shumë mirë se çfarë duhet të bëjmë në një moment të caktuar. Dhe sa më banal, sa më i thjeshtë skenari, është ai që unë e quaj skenari Freudporn. Ideja është që, le të biem dakord, duhet të kemi paralojën dhe më pas penetrim dhe në fund orgazmën dhe ky është rendi i duhur. Kjo është ndoshta ajo që do të bënte një heteroseksual me një partner të ri: paralojë, penetrim, orgazëm. Dhe kjo është kulturore, jo biologjike.
Por kanë kaluar më shumë se 100 vjet nga botimi i “Totem dhe Tabu” të Frojdit dhe përhapjes së kudondodhur të pornografisë në internet. Pra, që nga ajo kohë, ne nuk kemi ndryshuar shumë.
Është e vështirë të thuhet, por jeta seksuale ka ndryshuar. Për shembull, grekët ose romakët dilnin hapur si biseksualë. Edhe termi “homoseksualitet” është i vonë; fjala ekziston që nga fundi i shekullit XIX. Pra, koncepti nuk përdorej, nuk dihej. Por kishte një tension të vërtetë midis të qenit ai që rri lart apo ai që rri poshtë. Ishte pak e turpshme për një burrë, një maço, të rrinte poshtë, por ishte normale për të rinjtë. Një shembull tjetër: një roman i Mesjetës portretizon një marrëdhënie seksuale midis një princeshe dhe një kalorësi. Por ai nuk është një kalorës i vërtetë. Ai është një shërbëtor i maskuar si kalorës. Dhe gjatë natës, ajo ndjen se ka diçka që nuk shkon, sepse ai nuk e puth.
Njerëzit e shtresës së ulët të shoqërisë zakonisht nuk putheshin kur bënin seks. Dhe kjo ka të bëjë me kulturën
Një histori tjetër është ajo e antropologut të famshëm francez, Jean Malaurie. Ai jetonte me Inuitët [banorë të tundrës arktike të Alaskës veriore, Kanadasë dhe Groenlandës] në vitet 1950. Gjatë dimrit ai shkoi tek një grua, e cila i bëri shoqëri. Ai e përshkruan marrëdhënien seksuale me të kështu:
vetëm penetrim, në një pozicion. Sepse nëse do të kishte bërë diçka tjetër, do të ishte përdhosje apo agresion
Dhe është interesante sepse kjo përshkruan përballjen midis skenarit evropian (paraloja, penetrimi, orgazma), dhe skenarit inuit, i cili ishte shumë më i thjeshtë: thjesht penetrim në një pozicion.
Deri pak vite më parë, seksi konsiderohej në thelb apolitik. Në librin tuaj, ju citoni mendimtarë si amerikania Andrea Dworkin për të argumentuar të kundërtën.
Ajo është feministe, një feministe radikale. Dhe ajo ishte e bindur se seksi ishte shumë politik. Ajo tha se çfarëdo që ndodh në dhomën e gjumit është jashtë sferës publike, por kjo nuk do të thotë se është diçka neutrale, është e përshtatshme për disa. Në këtë rast, kjo qasje i ka ardhur për shtat burrit.
Në librin tuaj, ju premtoni "një përkufizim filozofik të aktit seksual të përsosur". Cili do të ishte?
Është çështje e ritmit [të jetës sonë seksuale]. Është si muzika elektronike: bum, bum, bum. Shumë mekanike. Ne do të duhet të tundemi; kur tundesh, përsërit të njëjtën gjë, por ka një lloj elasticiteti. Është diçka që ti e ndjen. [Ne duhet] të dekonstruktojmë skenarin Freudporn, vërtet sipërfaqësor me idenë e riprodhimit, është njëfarë justifikimi moral. Por edukimi bëhet me pornografi.
Sepse seksi që praktikohet në vetmi ndikon te seksi që bëhet me dikë tjetër.
Gjithnjë e më shumë. Në Francë, mosha mesatare e atyre që ekspozohen për herë të parë ndaj pornografisë është 11 vjeç. Por mosha mesatare e takimit të parë seksual nuk ka ndryshuar në 40 vjet, 15 për burrat dhe 16 për gratë. Pra, do të thotë që përgjatë pesë apo gjashtë viteve, i gjithë edukimi yt bëhet përmes pornografisë. Problemi kryesor është se në pornografinë mbizotëruese, gratë nuk kanë kënaqësi, pastaj është përfaqësimi i minoriteteve...
Për sa i përket seksit, njerëzit priren më shumë drejt praktikës sesa drejt teorisë. A është ky një gabim? A duhet të lexojnë më shumë për këtë temë?
Po, kam lexuar shumë dhe nuk është aq e lehtë të shkëputesh nga ideja që ke krijuar për seksin përmes pornografisë. Në çdo vend të botës, Pornhub është ndër dhjetë faqet e internetit më të shikuara. Kjo do të thotë se ka globalizim të aksesit, por nuk është dhe aq e lehtë të diskutosh mbi seksin me prindërit. As për ne nuk është e lehtë ta diskutojmë me adoleshentët. Pra ka një heshtje mbi këtë. Nuk është gjithmonë e lehtë t’i diskutosh disa gjëra. Por ka një traditë shumë të madhe në letërsi dhe filozofi: Ovidi, “Arti i dashurisë”, tradita taoiste e Kinës. Është si kërcimi, mund të bëhet shumë kreativ. Nuk ka të bëjë vetëm me marrjen e një kënaqësie. Në këtë mënyrë, ideja ime ishte të shkruaja një libër në këtë traditë, nga shekulli XXI.
Ne flasim për ndikimin e pornografisë, por si kanë ndikuar përparimet e tjera teknologjike si aplikacionet e takimeve? A e kanë ndryshuar Tinder, Bumble dhe Grindr mënyrën se si njerëzit mendojnë për seksin?
Kanë përmirësuar dinamikën që po e shndërron seksin në treg. Ti ke një çmim. Algoritmi të jep një nivel të asaj se sa i dëshirueshëm je. Kur fut moshën, vendin ku jeton...Është njësoj si kur shkon në një turne shahu. Nëse dikush ka një pozicion më të lartë se ti, ai të lë mbrapa. Nëse dikush ka një pozicion më të ulët se ti, je në rregull. Ti je në treg dhe sillesh pak a shumë si një klient në Amazon, kur do të blesh diçka, kërkon të dish disa gjëra për të. Çfarë preferon? Si e ka trupin?
Burimi: El Pais
Përkthimi për ResPublica: Gazmira Sokoli
Add new comment