Mufkat me stemë Republike të Serbisë

Postuar në 17 Prill, 2023 14:36

Beogradi zyrtar duket se ka nisur të përsërisë veten në lëvizjet diplomatike që lidhen me Kosobë. Agjencia serbe e lajmeve, Tanjug, njofton se gjatë një takimi mes presidentit Aleksander Vuçiç dhe përfaqësuesve të serbëve të kosovës në Rashë, është rënë dakord për zbatimin e masave për mbrojtjen e të drejtave të serbëve dhe popullsive të tjera jo-shqiptare në Kosovë si dhe interesave jetike në territorin e Provincës Autonome të Kosovës.

Nën pikat e dakordësuara, Serbia kërkon reagimin urgjent të komunitetit ndërkombëtar për të sigurur që institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë të ndalojnë menjëherë dhunimin e marrëveshjes së targave dhe sigurojnë lëvizjen e menjëhershme të serbëve që përdorin automjete me targat legjitime dhe legale të lëshuara nga Republika e Serbisë.

Për mbrojtje e të drejtave të patjetërsueshme të njeriut për serbët dhe komunitetet e tjera jo-shqiptare, është e domosdoshme që institucionet e përkohshme të Prishtinës të veprojnë pa vonesë në linjë me të gjitha marrëveshjet e dialogut si dhe të gjitha dokumentet e tjera të ligjit ndërkombëtar

thuhet ndër të tjera. Më tej deklarata shton se Republika e Serbisë do të marrë masa adekuade nëse Prishtina nuk reagon. E të tjera mufka të tilla me stemë republike që vetëm Beogradi di t’i lëshojë. 

Tani, inkoherenca në qëndrimin e Vuçiçit lidhet me humbjen e qetësisë së tij që nga Ohri dhe kjo është evidente. Qetësia ka humbur kaq shumë saqë edhe në pikën e fortë të saj, shkrimin e dokumenteve hileqare, Serbia po çedon.

Ta zëmë kur dokumenti flet për "provincën autonome të Kosovës dhe Metohisë", nënkuptohen detyrimet e Rezolutës 1244 dhe më thellë, trashëgimia e Kushtetutës së 1974-ës që në fakt fliste për Krahinë dhe në këtë kuadër presupozohet sovranitet i plotë i Beogradit mbi këtë territor dhe ushtrim integral i të drejtës së brendshme serbe. Nëse është kështu, si atëherë Beogradi kërkon mbrojtjen vetëm të serbëve dhe komuniteteve të tjera joshqiptare në një Provincë të vetën? Po shqiptarët kush do t’i mbrojë pasi institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes të kenë ikur, pse janë pra të Përkohshme? Ka pëpiluar Beogradi një dokument të posaçëm që rregullon tranzicionin e pushtetit nga këto institucione drejt qendrës, pra Serbisë?

Nëse kërkohet kjo gjë dhe vihet në dukje me forcë, nën cilën Logjikë kërkohet krijimi i Asocacionit të Komunave Serbe brenda një Krahine Autonome?

Mund të vazhdohet pa mbarim në këtë lloj diskutimi, por është e qartë se Serbia po demonstron dy fytyra të kundërta: aftësi të dallueshme për të integruar veten në zhvillimet ekonomike të kohës, thithje investimesh etj., duke modernizuar qasjen ndaj problem kryesor, ekonomisë, dhe një tjetër, konservatorizmin e pakuptimtë dhe më keq, jologjik ndaj Kosovës, në mënyrën sesi po degradon mbrojtja e idesë serbe se “Kosova është e Jona”. Humbja e seriozitetit në politikë është gabimi më i madh që mund t’i lejosh vetes sepse afirmon një hendek mes kumtimit të paralajmërimeve dhe forcës për t’i mbështetur ato. Një vend nuk mund të lejojë që duke militarizuar retorikën të zvarritet në shkresurina dialogu, pasi evidenton se nuk është gait as për njërin veprim, luftën, as për tjetrin. Për analogji, nëse Rusia nuk do ta kishte sulmuar Ukrainën pas bëri publik mobilizimn masive të trupave sot do të ishte bërë gazi i botës. Dhe në fakt, sado cinike të tingëllojë, më mirë nën akuzë për krime dhe aggresion sesa i tallur si palaço.

Imagjinoni mandej sesi i njëjti shtet që kërkon të matrioshkizojë Kosovën, qëndron në ballë të Ballkanit të Hapur! Edhe si telenovelë nuk shet dot gjë!

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.