Paradokse europiane

Postuar në 11 Prill, 2023 15:46
Angelo Panebianco

 

E domosdoshme, e parealizueshme. Nëse i bashkon këta dy mbiemra, kupton se ku konsiston drama evropiane. Siç u pa, së fundmi, nga udhëtimi i presidentit francez, Emmanuel Macron, në Kinë. Ndërsa Evropa ka nevojë për një integrim më të madh për t'u përballur me kërcënimet në rritje për sigurinë e të gjithë ne evropianëve, fuqitë e mëdha, mbi të gjitha pesha dhe presioni i së kaluarës mbi të tashmen, e bëjnë pothuajse të pamundur ("pothuajse" është një lëshim ndaj paparashikueshmërisë së të ardhmes) ta arrijë atë.

Më "pro-evropiani" i presidentëve francezë, Macron, e takoi Xi Jinping si francez, jo si evropian. Evropa, në atë udhëtim, u përfaqësua nga presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen, por ajo shërbeu si garniturë: një dozë evropianizmi në një mision "francez". Kishte diçka paradoksale. Nga njëra anë, një president i Francës që ka gjithmonë detyrimin të shtiret (sepse këtë imponon kultura politike kombëtare), përfaqësuesi i asaj që ka kohë që ka ikur: fuqia e madhe që ka qenë Franca në shekujt e kaluar.

Nga ana tjetër, kreu i një superfuqie, i cili duke i dhënë dorën Macron-it, me siguri ka menduar: është vetëm çështje kohe dhe unë këta europianët do t'i blej të gjithë. Dhe në fakt, biznesi ishte e vetmja gjë konkrete në atë takim.

Në koincidencë me provën e re të forcës së Kinës kundër Tajvanit, Macron ka ripërsëritur, në polemikë me Shtetet e Bashkuara, idenë e një "autonomie strategjike" evropiane, të një Evrope të aftë për të mbrojtur interesat e veta, të ndryshme nga ato të Amerikës (nënkuptohet: me Tajvanin nuk kemi punë). Mund të magjepsë disa evropianë, por ndjek gjurmët e traditës goliste. Është ideja e një Evrope nën hegjemoninë franceze. Macron është i kujdesshëm të mos thotë se është gati t'ia lërë BE-së vendin francez në OKB ose t'i vërë në dispozicion forcën e tij bërthamore. Qeveritë e tjera (ajo gjermane në krye) mund të jenë veçse skeptike. Macron duket se u flet më shumë francezëve sesa evropianëve të tjerë.

Por nuk bëhet fjalë për hedhjen e kryqit mbi Francën. Pengesat për një integrim më të madh shqetësojnë të gjitha shtetet evropiane, pa përjashtim. Kalimi nga “epoka e pafajësisë” në “epokën e ndërgjegjësimit” është i vështirë. Ishte një kohë kur ishim aq “të pafajshëm”, aq naivë, sa të mendonim se një ditë, falë integrimit ekonomik, tregut të përbashkët, euros etj., integrimi politik do të na binte në prehër si një frut i pjekur. Është gjithashtu e vërtetë se jo të gjithë ishin dakord. Federalistët spinelianë menduan se duhej një hap i vetëdijshëm, një akt vullneti politik. Por ata nuk kishin dyshim se një akt i tillë ishte i mundur. Po hyjmë, mjerisht, në epokën e ndërgjegjësimit. Ne kemi filluar të kuptojmë se sa të fuqishme dhe mbase edhe të pakapërcyeshme janë pengesat për një integrim më të madh, për të cilin duhet të vazhdojmë të shpresojmë, mbi të gjitha për shkak të ndryshimeve që ndodhin në ekuilibrin botëror. Çfarë do të bënim nëse një ditë Shtetet e Bashkuara do të vendosnin që aleanca me Evropën të mos ishte më prioritet për ta? Evropianët anti-amerikanë do të hapnin shishet e shampanjës, por, në mungesë të integrimit politik dhe ushtarak, për Evropën do të vinte kalimi nga një fazë e gjatë paqeje, sigurie dhe mirëqenieje, në një fazë në të cilën asnjë nga këto nuk mund të mund të garantohej më tej. Dhe ndoshta, ky do të ishte njëkohësisht edhe fillimi i fundit për disa demokraci evropiane.

Integrimet politike ndodhin në njërën nga dy mënyrat: ose sepse një shtet i fuqishëm pushton shtetet e tjera me armë ose sepse shtete të caktuara bashkohen për të përballuar një kërcënim të jashtëm. Shpresa është që ndërgjegjësimi për rreziqet e afërta do ta shtyjë Evropën të bashkohet. Por, për momentin, nuk duket kështu. Në prani të sfidave të jashtme, Evropa rrezikon të marrë rrugën e kundërt, të shpërbëhet, të humbasë edhe atë pak integrim që e ka bashkuar në shtatëdhjetë vitet e fundit. Federico Fubini vëren me të drejtë në një shkrim të botuar dy ditë më parë, se lufta në Ukrainë i shtyn elektoratet evropiane të shpërblejnë partitë nacionaliste, të gjitha pak a shumë armiqësore ndaj një integrimi më të madh politik. Tjetër gjë nga bashkimi për të përballuar rrezikun.

Gjithmonë ka pasur nga ata që, për shkak të mendjengushtësisë apo arrogancës intelektuale që i shtyn të shpërfillin ndjenjat dhe frikën e qytetarëve të thjeshtë, preferojnë t’i demonizojnë më shumë sesa të përpiqen t'i kuptojnë këto prirje. Megjithatë, nuk duhet shumë për ta kuptuar. Nëse ndihesh i kërcënuar, me të drejtë ose jo, ti kapesh pas asaj që njeh, jo asaj që nuk njeh. Dëshiron të jesh i mbrojtur nga qeveria e shtetit tënd, jo nga një ent që nuk ekziston ende, qëllimet e të cilit nuk i kupton ende. Edhe rasti italian, si të tjerët, mund të shpjegohet, të paktën pjesërisht, në këtë mënyrë. Duhet shtuar se shumica e njerëzve janë të lidhur vetëm me komunitetin në të cilin janë rritur, me të cilin ndajnë gjuhën dhe traditat. Dhe traditat evropiane, ato të Evropës Veriore, të Evropës Lindore, të atyre Latine, janë shumë të ndryshme. Edhe në të ashtuquajturën Evropë Karolinge, dallimet – mes Francës, Gjermanisë, Italisë – janë shumë të forta. Kjo shpjegon pse as ideja e një integrimi më të madh vetëm “mes atyre që janë në të”, e kërkuar nga shumë njerëz, nuk është e realizueshme. E vërteta është se, në një këndvështrim më të afërt, për momentin, askush nuk është "në të". Siç tregohet edhe nga sjellja e Gjermanisë. Është e kaluara, historia evropiane, ajo që është pengesa kryesore për një integrim më të madh.

Pas Luftës së Ftohtë dhe bashkimit të Gjermanisë, evropianët, me Traktatin e Mastrihtit (1992), falë të cilit ne kemi monedhën e përbashkët, patën përshtypjen se tashmë kishin marrë rrugën e integrimit politik me ritme të shpejta. Por ndoshta historianët e ardhshëm do ta gjykojnë Mastrihtin në një mënyrë tjetër: si thirrja sublime e integrimit europian. Kemi ndërvarësi ekonomike dhe treg të përbashkët. Por nuk e dimë edhe për sa kohë.

Si përmbledhje, ndryshimet në balancën ndërkombëtare të pushtetit të kombinuara me një polarizim të fortë, një ndarje të mprehtë, e cila duket e destinuar të zgjasë, brenda demokracisë amerikane, nuk garantojnë se në të ardhmen Evropa do të jetë në gjendje të gëzojë për shumë më gjatë mbrojtjen amerikane. Në këtë rast do të duhej integrim politik dhe ushtarak. Por, për arsyet e përmendura më lart, ajo rrugë duket e bllokuar.

Natyrisht, dhe ndoshta për fat, sado përpjekje të bëhen për të parafytyruar skenarët e së ardhmes, historia mbetet e paparashikueshme. Ndoshta ngjarje të reja dhe të papritura do të tregojnë të mundshme atë që tani duket se nuk është e mundur. Duke pasur parasysh se sa rëndësi ka ajo që kemi në lojë ne evropianët, nuk mund të mos e dëshirojmë këtë gjë.

Corriere della Sera 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.