Silvio Berlusconi diagnostikohet me leuçemi
Ish-kryeministri italian, Silvio Berlusconi, po trajtohet në njësinë e kujdesit intensiv të një spitali të Milanos për një infeksion të mushkërive që lidhet me një lloj leuçemie, nga e cila ai vuan prej disa kohësh.
Lajmin e bëri publik për mediat dr. Alberto Zangrillo, i cili saktësoi se Berlusconi, 86 vjeç, vuan nga leuçemia mielomonocitare kronike, e cila nuk është akute.
Berlusconi u shtrua në spitalin “San Raffaele” të mërkurën, 5 prill.
Vitet e fundit, ish-kryeministri italian ka përfunduar disa herë në spital.
Ai është trajtuar për kancerin e prostatës në vitin 1997, megjithëse ai e pranoi publikisht deri tre vjet më vonë në një intervistë, gjatë të cilës u shpreh: “Kam kaluar një makth që zgjati me muaj. Jam kuruar dhe arrita të dal nga tuneli.”
Ai mban një stimulues kardiak të vendosur që në vitin 2006 dhe ka bërë një ndërhyrje me zemër të hapur, për të zëvendësuar një valvul të dëmtuar të zemrës në vitin 2016.
Në shtator 2020, ai u infektua me SARS-CoV2, një përvojë që e përshkroi më pas si "skëterrë" dhe "shumë të shëmtuar".
I zgjedhur tre herë kryeministër, Berlusconi fitoi sërish një vend në parlament në shtator, pasi kaloi gati një dekadë larg detyrave qeveritare, në zbatim të një dënimi për mashtrim fiskal në vitin 2012.
Për shkak të moshës së thyer dhe historikut të problemeve me shëndetin, njoftimi për gjendjen e tij u prit në të gjithë Italinë me ndjesinë se një epokë po mbyllej.
Politikanët e të gjithë spektrit politik e vunë theksin te pesha që ka pasur Berlusconi në skenën politike të vendit për gati tre dekada.
Megjithatë, pas një vizite në pavionin ku është shtruar ish-kryeministri, Fedele Confalonieri, një mik i ngushtë dhe presidenti aktual i Mediaset, kompania e transmetimit e themeluar nga Berlusconi, u tha gazetarëve se "ka shqetësim, por ne jemi optimistë".
Add new comment