Mira Murati: Duhet të bashkëpunim për të futur brenda kornizës inteligjencën artificiale
Që prej nëntorit të vitit të kaluar, kur u lançua për herë të parë, ChatGpt ka hapur jo pak debat. Pak ditë më parë, Italia u bë i pari vend perëndimor që ndaloi përdorimin e tij, duke ngritur shqetësimin e përdorimit të të dhënave. Miliona njerëz e kanë përdorur ChatGpt që nga nëntori i vitit 2022. Goldman Sachs paralajmëroi një javë më parë se rreth 300 milionë vende pune do të preken nga vala e re e përdorimit të inteligjencës artificiale përmes aplikacioneve si ai.
ChatGpt mund t’u përgjigjet pyetjeve që i drejtohen, madje edhe të shkruajë ese, gjë që po i shtyn shumë biznese ta rimendojnë mënyrën sesi njerëzit duhet të punojnë.
Në krye të skuadrës që e ka vënë inteligjencën artificiale në shërbim të njerëzve përmes pyetje-përgjigjeve qëndron një shqiptare, Mira Murati.
«ChatGpt është në thelb një model i madh bisede - një rrjet i madh nervor i trajnuar për të parashikuar fjalën pasuese - dhe sfidat e saj janë të ngjashme me ato që shohim me modele gjuhësore bazë të dimensioneve të mëdha: mund të shpikë fakte. Kjo është në fakt një sfidë themelore. Ne zgjodhëm dialogun pikërisht sepse është një mënyrë për të ndërvepruar me një model dhe për t’i dhënë atij reagime”, shpjegonte Murati në një intervistë për Time, pak kohë më parë.
Në një artikull dedikuar Muratit, Corriere della Sera shkruan se, “nëse Sam Altman, CEO i Open AI, është padyshim babai i ChatGpt, Mira Muratin mund ta përkufizojmë si «nëna» e kësaj teknologjie që ka të gjitha premisat për të nisur një revolucion shoqëror, veçanërisht në botën e punës. Si shefe e Teknologjisë në Open AI, ajo ka udhëhequr ekipet që ndërtuan jo vetëm ChatGpt, por edhe Dall-E, një tjetër AI e kompanisë që mund të ndërtojë imazhe duke u nisur nga teksti që i jep përdoruesi”.
Mira Murati ka lindur në vitin 1988 në Vlorë, Shqipëri. Fillimisht është zhvendosur në Kanada - në moshën 16-vjeçare dhe më pas në Shtetet e Bashkuara, ku u diplomua për inxhinieri mekanike dhe më pas filloi karrierën profesionale në Goldman Sachs, në 2011. Fillimisht fitoi përvojë të rëndësishme në këtë fushë falë punës në Zodiac Aerospace - kompani që ndërton sisteme dhe pajisje për avionë hapësinorë - më pas në Tesla, ku punoi për tre vjet. Në kompaninë e Elon Musk lind edhe interesi për inteligjencën artificiale, falë versioneve të para të Autopilot, softuer autonom i drejtimit të makinave. Në kompaninë e Elon Musk, ajo është marrë me dizajnimin e makinave Model X si menaxhere produkti, pastaj kaloi në Leap Motion, një kompani që prodhon kontrollues për realitetin virtual. Në vitin 2018 bëhet pjesë e Open AI.
Karriera në Open AI
Në atë kohë Open AI ishte ende një organizatë jofitimprurëse dhe Mira Murati mbajti fillimisht rolin e zv.presidentit të për Aplikacionet e IA dhe Partneriteteve. Në vitin 2019, kur Open AI u bë kompani me të drejta të plota, ajo u emërua drejtoreshë e Teknologjisë, pozicioni i dytë më i rëndësishëm pas atij të CEO-s. Nën mbikëqyrjen e saj, Open AI bëri të disponueshme për publikun Dall-E dhe ChatGpt, dy inteligjenca artificiale më të avancuara për bisedë me njerëzit.
Rregullimi i inteligjencës artificiale
Murati është një mbrojtëse e fortë e rregullimit të inteligjencës artificiale. “Ky është një moment unik në të cilin ne kemi mundësinë të vendosim se si ta formësojmë shoqërinë. Dhe kjo funksionon në të dyja mënyrat: teknologjia na formon ne dhe ne e modifikojmë atë”, ka thënë ajo.
“Ka gjithashtu shumë pyetje në lidhje me ndikimin social, shumë pikëpyetje etike dhe filozofike që duhen marrë parasysh. Është e rëndësishme të përfshihen zëra të ndryshëm, si ato të filozofëve, shkencëtarëve socialë, artistëve dhe njerëzve me prejardhje të ndryshme, shkencat humane”. Sipas saj është e rëndësishme që qeveritë të ndërhyjnë por edhe kompanitë prodhuese të bëjnë atë që u takon për t'i sjellë këto aspekte "në ndërgjegjen publike në mënyrë të kontrolluar dhe të përgjegjshme”.
Add new comment