Polifonia si urë bashkimi

Postuar në 05 Prill, 2023 16:55
Intervistoi për ResPublica: Eleana Zhako

 

Qiraxhiu, në fjalorin e shtegtarëve, është ai që i paraprin karvanit të kafshëve ngarkuar me mallra përkundrejt një qiraje. Këtej rrjedh edhe emri i këtij zanati shumë të vjetër. Në kujtesën e banorëve të Epirit, por jo vetëm, karvanët ishin mjet udhëtimi në mërgim, por edhe urë me botën. Udhëtime që zgjasnin me javë të tëra, me udhërrëfyes qiraxhinjtë, lidhnin Epirin me qendra të largëta si Stambolli, Vjena, Moldovllahia, etj.

Aleksandros Lambridhis është një “qiraxhi” i ditëve të sotme, i cili nga dashuria për këngën polifonike, krijoi tok me bashkëpunëtorët e tij Karvanin polifonik “Apeiros”, që nisi rrugëtimin folklorik në vitin 1998 nga fshati i origjinës së tij Polidhroso në Epir (origjina më e hershme e tij është nga fshati Sotira i Dropullit të sipërm) dhe më pas në krejt Greqinë e vende të tjera të Europës. Qëllimi i Karvanit është ruajtja, arkivimi dhe përhapja e polifonisë popullore. Në 14 maj të vitit 2016, Karvani festoi për herë të parë “Ditën e këngës polifonike”, duke bashkuar vatra të shpërndara polifonie nga e gjithë bota. Lambridhis, një personalitet shumëdimensional, nuk është vetëm ndër ideatorët, nismëtarët dhe shpirti i Karvanit, por një njeri me kontribute të vyera edhe në fusha të tjera artistke. Që prej vitit 1990 e deri në vitin 2012, ka qenë  ndihmësi i regjisorit të famshëm grek Theodhoros Angelopulos, një bashkëpunim që zgjati 22 vjet, deri ditën kur Angelopulos humbi jetën në një aksident. Polifonia e kinematografia janë vetëm dy nga fushat e veprimtarisë së tij të gjatë artistike, por pa dyshim, që ndijimet e tij më të thella, i kanë rrënjët në tokën e polifonisë.                                                                                                                                                      e.zhako 

***

Në dhjetor të vitit 2020, Karvani polifonik “Apeiros” u pranua në listën për “Praktikat më të mira të ruajtjes së trashëgimisë kulturore jo-materiale” të UNESCO-s. Ndërkohë, edhe Shqipëria, që prej vitit 2003, është pranuar në të njëjtën Konventë të UNESCO-s për iso-polifoninë. Çdo të thotë kjo për të dyja vendet në kontekstin e polifonisë?

Kjo konventë shumë e rëndësishme e UNESCO-s, ku tashmë bëjnë pjesë 180 shtete, u adoptua para njëzet vitesh dhe parashikon mes të tjerash, krijimin e tri listave në lidhje me trashëgiminë kulturore jo-materiale.

Lista e parë ka të bëjë me elementet e trashëgimisë kulturore jo-materiale, ku u njohën iso-polifonia shqiptare dhe polifonia e grave të Bullgarisë, Bistrica Babi. Greqia nuk aplikoi atëherë në UNESCO. Ekzistojnë edhe dy lista të tjera. Njëra prej tyre u referohet elementëve të trashëgimisë kulturore, që rrezikohen në mënyrë të drejpërdrejtë, ku nuk ekzistojnë të dhëna të regjistruara as nga Greqia dhe as nga Shqipëria.

Ekziston edhe një listë e tretë, që ka të bëjë me Praktikat më të mira të ruajtjes së trashëgimisë kulturore jo-materiale, që përfshin praktika të tilla nga 33 vende. Në 17 dhjetor 2020, me votë unanime dhe referenca lavdëruese, Karvani polifonik “Apeiros” u përfshi në këtë listë. Pra, aktiviteti ynë ka të bëjë me Praktikat më të mira të ruajtjes së këngës polifonike epirote, që kontribuojnë në ruajtjen e polifonisë në Greqi.

Karvani polifonik është shndërruar tashmë në një lloj institucioni zyrtar atipik të polifonisë greke, por jo vetëm. Nga njohuritë që keni, a ka diçka të ngjashme në Shqipëri, që mund të krahasohet me veprimtarinë e Karvanit?

Diçka e ngjashme me Karvanin nga sa dimë nuk ekziston. Por ama, ekziston diçka e ndryshme, që në një masë të madhe përbën një institucion shumë të rëndësishëm për këngën polifonike, siç është Festivali Folklorik i Gjirokastrës. Është një festival që bashkon përvojat e gjalla muzikore të vendeve të ndryshme, anembanë Shqipërisë. Karvani e ka ndjekur parreshtur festivalin, që nga viti 1999 e deri në vitin 2015, kur u zhvillua për herë të fundit. Pas 8 vitesh mungesë, festivali rikthehet në verë të këtij viti, ku do të udhëtojë që ta ndjekë, edhe Karvani polifonik. Tradita e këtij festivali, tregon ndikimin e festivalit në kujtesën kolektive të brezave. Edhe për grupet polifonike, është ngjarja më përfaqësuese e veprimtarisë së tyre. Më kujtohet, kur pas mbarimit të tij, të rinjtë e festivalit uleshin te sheshi “Çerçiz Topulli” e këndonin këngë polifonike deri në mëngjes. Mungonte skena, mungonin duartrokitjet, mungonin kamerat, por ndihej se s’i këndonte në shpirtin e popullit shqiptar kënga polifonike. 

Që atëherë që isopolifonia shqiptare u regjistrua në UNESCO, herë pas here ngrihen diskutime e polemika të zjarrta në lidhje me origjinën e saj. Po përdor fjalën iso, pasi vetë polifonia si dukuri muzikore është trashëgimi e shumë popujve. Gjithmonë, kur më ndodh, që të gjendem në debate mbi ekskluzivitetin e përkatësisë, sjell për humor rastin e djathit, i cili si produkt ushqimor, pavarësisht se u përket disa vendeve, emri grek “feta” është institucionalizuar si trade mark i djathit të bardhë në Europë.

Ç’ndryshime vini re mes isopolifonisë në shqip e asaj në greqisht?

Do parapëlqeja të përqëndrohem në ngjashmëritë e afërsitë e polifonisë së të dy popujve.

Afërsitë më të mëdha janë me këngën polifonike labe, në strukturë, tematikë dhe në emërtimin e zërave. Në polifoninë labe, marrësi, pritësi, rrotulluesi, isokrati, tornuesi kanë ekuivalentët e tyre në greqisht

Koncepti i monogenesis, i njëlindësisë (shënim i gazet.) nuk përfaqëson frymën e Karvanit polifonik. Ne i kemi lënë pas pohime të tipit “medoemos e ka burimin në Greqi” apo “medoemos në Shqipërinë jugore”.

Polifonia është ndër të paktat fusha, ku ka gjurmë bashkëpronësie. Nuk mund të dëshmohet në lindi këtu a lindi atje, në e vodhi njëra palë nga tjetra. Tradita s’administrohet me kritere kufizimi, pronësie ekskluzive a  komercializimi. Marrëdhëniet historike mes grekëve e shqiptarëve janë kaq të gjata, sa nuk është e rastësishme që polifonia u zhvillua në krejt këtë zonë, që sot është ndërkufitare, por dikur qe nën zgjedhën e pushtuesit të përbashkët. Bashkëjetesa ndër shekuj, ku kufijtë s’kishin funksionin e sotëm, ishte një proces dhënieje e marrjeje me njëri-tjetrin

Gjatë periudhës që Shqipëria ishte e mbyllur hermetikisht dhe nuk kishte asnjë ndërveprim fizik mes grekëve e shqiptarëve, ekzistonin ende rrugë komunikimi përmes polifonisë, që ndoshta përbën pasaportën më fuqishme të kapërcimit të kufijve tanë. Njerëzit nga ana greke e kufirit, shumë herë përpiqeshin të kapnin kanale si Radio Gjirokastra e Radio Tirana, që të dëgjonin këngë polifonike në greqisht ose shqip. Nuk është nevoja të njohësh tekstin, që të ndiesh bukurinë e këngës polifonike. Që të dy popujt e këtyre zonave, kanë rrugëtim historik të përbashkët ndër shekuj, tradita e zakone të afërta.

Ka pasur reagime nga ana e shqiptarëve, kur Karvani polifonik u anëtarësua në UNESCO?

Disa komente jo-zyrtare të stilit gjoja “u vodhëm polifoninë” shqiptarëve, por reagime të tilla ndeshen rëndom në të dyja vendet. Gjithmonë ka njerëz, që investojnë në klimën e ksenofobisë, racizmit dhe armiqësisë. Kur bëmë kërkesën në UNESCO, dorëzuam 100 letra referimi. Disa prej këtyre referencave vinin nga grupe shqiptare, muzikantë e bashkudhëtarë. Nuk do t’u bëjmë qejfin atyre që bërtasin se polifonia na ndan. Kemi jetuar momente të mrekullueshme me miqtë tanë shqiptarë, në një kuptim më të gjerë, ndiejmë se i përkasim së njëjtës bashkësi të polifonisë. Përgjigjen më të mirë në këtë rast e jep vetë polifonia. Nënkupton bashkimin e zërave të ndryshëm dhe kjo shtrihet edhe në përmbajtjen e vlerave dhe ethosin kolektiv, duke krijuar ura e duke bashkuar ndryshimet, sikurse edhe në këngë.

Duke qenë se që nga fillimet e veta e deri më sot Karvani ka udhëtuar anembanë Greqisë për të evidentuar dhe regjistruar qendra polifonike, a keni gjetur një traditë të ngjashme polifonike tek arvanitasit e Greqisë?

Kemi bërë kërkime të vazhdueshme, por nuk kemi hasur këngë polifonike tek arvanitasit e Greqisë. Në të kundërt, kemi gjetur këngë arvanitase tek arbëreshët e Italisë së poshtme, ku shkojmë shpesh me Karvanin. Këto grupe arbëreshe i kemi regjistruar gjatë pjesëmarrjes së tyre edhe në festivalin e Gjirokastrës.

Po në Thesproti, që është krahina juaj e origjinës, keni regjistruar vatra isopolifonike në shqip?

Në Thesproti, pavarësisht pranisë së dikurshme të elementit çam, nuk kemi ndeshur këngë polifonike shqiptare, vetëm monodike. Ekzistojnë inçizime audiofonike, por jo një traditë vijuese.

Si konservohet sot polifonia në Greqi?

Polifonia në Greqi ka marrë një hov më të madh 20 vitet e fundit, për shkak të punës së Karvanit polifonik. Falë gjetjeve dhe regjistrimeve që kemi bërë në krejt Greqinë dhe jashtë saj, krijuam Arkivin e këngës polifonike. Gjithashtu, Karvani zhvillon vazhdimisht aktivitete përmes Laboratoreve Polifonike me mësime polifonie në qytete të ndryshme në Greqi e jashtë, duke i dhënë veprimtarisë së tij një karakter më ndërkombëtar. Disa prej nxënësve në këto kurse, janë shqiptarë. Në mësimet e polifonisë, që bëjmë në Athinë dhe Berlin, marrin pjesë edhe zëra të shkëlqyer shqiptarë. Përpjekjet për ruajtjen e polifonisë në Greqi bëhen me kritere të ndryshme nga ato në Shqipëri. Në Greqi, pas dy luftrave botërore e një civile, fshatrat ndërkufitare të Epirit, filluan të shkretohen për shkak të emigracionit masiv. Në këto kushte, mbartësit e gjallë të polifonisë nuk arritën ta transmentojnë traditën e polifonisë te brezat pasardhës në të njëjtën mënyrë si në anën tjetër të kufirit, gjatë periudhës kohore 1950-1990. Izolimi shumëvjeçar i Shqipërisë dhe veprimtaria konkrete në folklorin e vendit, ndikoi në mënyrë krejt të ndryshme në ruajtjen e polifonisë.

Kur filluam veprimtarinë e Karvanit në Greqi, e dinim që po pakësoheshin vazhdimisht mbartësit e këngës polifonike dhe ndeshëm ta ndryshonim këtë gjë. Atëherë na duhej të shpjegonim te njerëzit e qyteteve se ç’është kënga polifonike. Pas disa vitesh, entuziasmi për muzikën polifonike nga të rinjtë e qyteteve ishte aq i madh, sa këngëtarë të njohur të një repertori të ndryshëm, si Thanasis Papakonstandinu, e vendosën polifoninë në krye të piramidës muzikore. Edhe sot, kënga polifonike e Epirit mallëngjen me mijëra të rinj në Greqi, që nuk e kanë detyrimisht origjinën nga Epiri, dhe as janë rritur me tingujt e këtyre këngëve. Kësisoj, kënga polifonike e Epirit, që  në fillimet tona dukej sikur po shuhej dalëngadalë, falë veprimtarisë së Karvanit polifonik, mund të ketë një të ardhme premtuese.

A ndikoi hapja e kufijve në pasurimin e saj?

Me hapjen e kufijve, polifonia e zonës së Epirit, por edhe ajo e qyteteve u rigjallërua nga polifonia e zonave të minoritetit grek të Shqipërisë, ajo e Dropullit, e Pogonit, e Vurkut, e Theologut, e Himarës, krahina ku Karvani shkon gjatë gjithë këtyre viteve. Marrëdhënia e Karvanit polifonik me zonat në fjalë, demonstrohet edhe nga fakti, që në vitin 2018 u nderova me titullin “qytetar nderi” i Dropullit, për kontributin në këngën polifonike. Ky titull, përveçse që përbën një nderim shumë të madh për mua, më mallëngjen thellësisht, ngaqë rrënjët e familjes sime janë nga Sotira e Dropullit të sipërm.  Në Shqipërinë jugore është edhe polifonia e vllenjve, si fshati vlleh Andon Poçi në krahinën e Gjirokastrës, i cili këndon njësoj me fshatin vlleh Kefalovriso në Greqi.

Për shkak të rrugëtimit të saj historik, polifonia në Shqipëri, mbërriti në ditët tona si një organizëm shumë i gjallë, duke qenë pikë referimi për çdokënd në botë, që i pëlqen polifonia. Në Greqi, përpjekjet u përqëndruan fillimisht tek çfarë kishte mbetur nga fundi i shekullit të kaluar, por tani polifonia është shumëfishuar, përsa i përket grupeve, interpretuesve të saj, bashkësisë së gjallë jo-zyrtare të polifonisë në Greqi, ku marrin pjesë edhe shumë veta nga minoriteti grek i Shqipërisë. Teksa kënga polifonike përhapet gjithmonë e më tepër në qytete, nuk harrojmë që polifonia është një eksperiencë përjetuese. Çdo fshat, çdo krahinë këndon ndryshe, qoftë edhe të njëjtën këngë. P.sh., në Himarë i këndohet vajzës së valëve në shqip dhe vajzës së malit në greqisht. Karakteri vendor dhe ngjyrimet e ndryshme, luajnë një rol shumë të madh në larminë e saj. Për sa kohë, që ky element diferencues ka jetëgjatësi, kënga polifonike ka më shumë shpresë.

Tashmë, që Karavani ka arritur të kurorëzojë frytet e punës së vet të palodhur ndër vite, cili është objektivi i mëtejshëm?

Ëndrra jonë është të ndihmojmë në krijimin e një bashkësie ndërkombëtare të këngës polifonike, ku përveç shqiptarëve, grekëve, bullgarëve, italianëve, gjeorgjianëve, francezëve, gjermanëve e lituanezëve, me te cilët Karvani ka krijuar tashmë ura bashkëpunimi, të ndërtohen ura edhe me vatra të tjera të largëta polifonike. Festimi i “Ditës së këngës polifonike”, që filluam para tetë vitesh dhe bëhet çdo 14 maj në gjithmonë e më tepër vende, është një sinjal ndaj bashkësisë ndërkombëtare të polifonisë. Nga ana tjetër, qëllimi ynë i vazhdueshëm, është që kënga polifonike të jetë gjithmonë e më shumë një shprehje e gjallë në gojët e të rinjve, në ethosin dhe botëkuptimin e tyre, të mos jetë vetëm konfigurim e rinkonfigurim, vetëm folklor ose show, por të takohet me përditësinë e njerëzve të saj, botën shpirtërore dhe krijimtarinë bashkëkohore.

Objektivi ynë, është ai çka do të thotë dhe emërtimi i lashtë e dorik i Epirit pa kufij, Apeiros, emërtimi që mban edhe Karvani ynë. Apeiros do të thotë pa peras, pa fund. Qëllimi ynë, por edhe busull në udhëtimin e madh të zërave – Karvani polifonik – është Polifonia pa kufij, pa fund.

Shënim: Intervistën në greqisht mund ta lexoni KËTU.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.