Edhe Drejtësia ka emra!

Postuar në 03 Prill, 2023 18:40

Me nisjen e seancës së gjykimit për krime lufte të katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka nisur në ato që i quajnë “troje shqiptare”, një eufemizëm ironik i status quosë ky në Ballkanin laraman, një lloh avokatie publiçitare, politike dhe publike e tyre. 

Liria ka emër ,- fjalia e preferuar edhe e kryeministrit të Shqipërisë. Për të vijuar mandej me të tjerë politikanë. Por politika këtë punë ka, shpenzimin e fjalëve e ka investim për konsum të brendshëm, meqenëse asnjë gjykatë nuk i nënshtrohet në punën e vet mesazheve nga podiume partish. Ajo që meriton disi vëmendje është qasja thuajse e njëjtë me politikë e atyre që quhen ekspertë. P.sh në një shkrim të publikuar në mediat online, Kristaq Xharo, profesor për Çështjet Ndërkombëtare të Strategjisë në UET – kështu prezantohet – rimerr temën duke ngritur një gjykim mbi vetë Gjykatën. Pasi nis me notën katër për gjyqtarët apo prokurorët që nuk kanë asnjë lidhje me Kosovën, Xharo ndër të tjera shkruan se:

Një prokurori dhe gjykatë në hall. Akuza e ngritur më parë mbi librin e Karlës (de Ponte), dhe të Dickut (Mart) të provuar si produkt i shërbimit sekret serb, tashmë po i bashkëngjiten kapituj me lidhje të dyshimta, me fashikuj të hequr e me dëshmitarë mjaft të dyshimtë. Akt-akuza, po luan me një top të grisur e të shfryrë pasi nuk respekton kauzën, kohën dhe hapësirën…

Ne nuk e dimë p.sh nëse avokatët e katërshes nën gjykim do t’i lejonin vetes një gjuhë të tillë para trupit gjykues, ndërkohë që sfida tashmë lidhet me çmontimin e akuzës dhe provave të paraqitura. Po themi përherë se këtë punë e kanë AVOKATËT, pavarësisht sesi është e vërteta sepse kjo lidhet me parimet e profesionit dhe jo solidaritetin.

Dhe këtu vjen në vështrim një dallim i madh: të gjithë ata që sot ngrihen në mbrojtje të katër të akuzuarve, nuk e vënë për asnjë çast në diskutim mundësinë e përgjegjësisë së tyre për ngjarje të caktuara gjatë luftës, të cilat një gjykatë apo një prokurori mund t’I kualifikojë si KRIM. Të bindur ose të hequr si të bindur se puna më e mirë që mund të bëhet është ngritja në këmbë si një trup i vetëm kundër këtij komploti bazuar mbi të pavërteta, përherë si dorë e parë e Drejtësisë së vërtetë.

Mirëpo sikundër katër të akuzuarit janë ende në prezumim pafajësie, parim ky që pikërisht mbron të drejtën e një subjekti ndaj gjykimit kolektiv si ky yni, ashtu edhe ata që merren me çështje të së drejtës, apo me kritikë, kanë detyrimin të dyshojnë pozitivisht duke e parë këtë proces edhe nga një pikëpamje strategjike, meqenëse tituj kumbues na duken përherë si këmborë e dashit përçor.

Ky do të ishte një proces pastrami final, edhe me letra i UÇK-së, duke e lënë Serbinë të izluar vetëm në retorikën e vet, përherë e më paefektive për luftën diplomatike. Nëse do të sjellim në kujtesë këtu deklaratat e Aleksander Vuçiç, apo Daçiç, do të duhet të mbajmë parasysh se sipas Beogradit zyratr, gabimi kryesor i politikës atje ka qenë kërkesa për vlerësimin juridik të Pavarësisë së Kosovës, që mori një PO përfundimtare nga Gjykata Ndërkombëtare. Është një gabim që në planin juridik e vë Rezolutën 1244 në krizë me kërkesë të vetë palës serbe, pasi një prej subjekteve të saj që ka preorigativat e saj të unifikuara në Kushtetutën e vet, ka një përgjigje të paapelueshme për legjitimetin e një shteti.

Nëse Gjykata vendos për pafajësinë e të katërtve, atëherë lojën që sot bëjnë këndezët e Shqipërisë dhe shqyptarisë do nisë ta bëjë Beogradi. Ka interes po ashtu një tjetër fragment nga shkrimi i profesorit kur ai thotë se:

Serbia përdor me shumë sukses strategjinë e kompensimit, që ka për objektiv diskreditimin e shtetit të Kosovës dhe paraqitjen e tij si shtet i dështuar, i drejtuar nga persona të inkriminuar. Makineria e propagandës e Serbisë është e ‘shkëlqyer’ për shpifje dhe intriga. Ishte kjo strategji dhe pjesë e saj propaganda agresive që e nxori shumë shpejt Serbinë nga pozicioni i fajit dhe agresorit në atë të viktimës

Nuk është e qartë mirë se në cilën terminologji kualifikohet përcaktimi “makineri për shpifje dhe intriga”, pasi në të vërtetë propaganda serbe nuk bazohet vetëm mbi këto premisa. Në planin e brendshëm narrative serbe i mëshon heroizmit dhe e mban gjallë atë me materiale nga më të ndryshmet, ndërkohë që në planin e jashtëm rehabilitimi i Serbisë nuk mund të shihet në kriterin e kontrastit me botën shqiptare. Formalisht ato quhen luftëra të Jugosllavisë dhe ky entitet nuk ekziston më. Serbia nuk do të pushonte së ekzistuari, as të mbetej në periferi të rajonit, as edhe të gjykohej me izolim siç mendojnë disa në Shqipëri, për shkak se goditja ndaj saj u bë ndaj vendimeve të një regjimi, apo politike. Ridalja e saj në skenë është më së shumti në aspektin ekonomik dhe të dikotomisë mes Perëndimit dhe Rusisë, pa lënë mënjanë dështimet flagrante të Shqipërisë dhe Kosovës për të treguar se janë diçka më shumë sesa banda me uniformë.

Kjo sjellje e jona sot dëshmon se ne dimë të orientohemi ose si viktima duke kërkuar një të drejtë, ose si të zhgënjyer që nuk jemi më beniaminë të një të Madhi, duke harruar se në mes të këtyre të dyjave qëndron edhe sfida më e vështirë: ajo e të ngriturit në këmbë, e të ecurit vetë duke treguar seriozitet për disa procese dhe vendime që duhet t’ia njohim edhe fatit përveç se meritës. Mund të flitet për proces të njëanshëm, për këtë janë avokatët, por jo në blloj të ngrihemi e të themi se: ata janë të pafajshëm se kështu na pëlqen ne, a thua e dimë me siguri të gjithë se çfarë ka ndodur më 1999 në malet e luginat e Kosovës. 

Liria ka disa emra për të thënë të vërtetën, lufta ka qenë e përligjur. Deri këtu dakord, por më tej të qetësohemi pak dhe të presim. Përndryshe etika e qaramanit dhe hileqarit do na e kërkonte që në atë bankë të akuzuarish të jetë edhe Uesli Klark, sa për të përmendur vetëm një.

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Cfare e ke gjith ket urrejtje mor burre. Po ti heqesh gjerat nga konteksti historik dhe gjeografik, pra ne teori gjerat qe thua mund te kene njefare kuptimi. Por pak empati nuk do te bente keq. Fute veten ne lekuren e tyre ne vitet 1998-1999 dhe sigurisht ti nuk do ishe sjelle ndryshe.

Submitted by redaksia on

Shiko, se as ngre peshe te diskutosh me ne kete vend per asgje sepse “ti thua nje gje, tjetri thote ate qe ka ne mendje vete”. 

1. Faqja ketu eshte, shkrimet ketu jane. 

2. Nje krim nuk mbrohet dot, as nga partia perkatese, e jo me nga kusherinjte sepse eshte shume e dyshimte se ka aty empati apo interesa. 

3. Nuk po uron kush te denohen ata(Krasniqi zedhenes i UCK, se shoh dot urdherues) por ka nje proces dhe kritika mbi nje proces nuk ngrihet mbi arsyetime patriotike. 

4. Ne fund, mendimi im eshte se duke mbeshtetur drejtesine, jo gjyqin politik, ne kemi pak shprese qe te bejme nje kthese morale edhe brenda, sepse edhe ketu brenda keshtu bejme: eshte yni ai, le te kete vjedhur. 

5. Urrejtje? Jo or zoteri. Po qasja solidare ne kete forme eshte semundje, epidemi, nje kolere qe nuk le kurre diskutim te hapur. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.