Kryeministrja serbe skualifikon nismën e Bujar Osmanit: "QUAD për Ballkanin Perëndimor", jozyrtare
Kryeministrja serbe, Ana Brnabiç, tha sot se nuk ka asnjë iniciativë formale "QUAD për Ballkanin Perëndimor" që përfshin Kosovën dhe vuri në dukje se Serbia nuk ka çështje të pazgjidhura me Maqedoninë e Veriut. Brnabiç u pyet në lidhje me iniciativën gjatë një konference për shtyp me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski, në Beograd.
“Sa i përket ‘QUAD’-it, nuk ka asgjë, nuk është një nismë formale, një mekanizëm formal apo një proces formal... Nuk ka asgjë formale për të cilën mund të deklaroja një qëndrim. Nuk kemi çështje të pazgjidhura. Me Maqedoninë e Veriut, maqedonasit janë vëllezërit dhe miqtë tanë. Kjo është gjithçka që duhet të them në lidhje me të", tha Brnabiç. Edhe Kovaçevski tha se nisma ishte rezultat i një takimi jozyrtar në Shkup.
"Ishte një takim jozyrtar i katër shteteve që kanë 100 për qind përafrim të politikës së jashtme me BE-në. Në të u diskutuan efektet e përafrimit të politikës së jashtme me politikën e jashtme të BE-së. Nuk është një lloj platforme serioze që ka memorandume për bashkëpunim apo marrëveshje të nënshkruara. Vetëm mbajtja e takimit nuk ka asnjë efekt”, tha Kovaçevski.
Ai shtoi se, nga ana tjetër, Ballkani i Hapur ishte një iniciativë e qeverive të Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë që kanë prodhuar tashmë rreth 15 marrëveshje, dokumente dhe memorandume që lehtësojnë tregtinë dhe shkëmbimet e tjera.
Iniciativa "QUAD për Ballkanin Perëndimor - përafrim 100% me Politikën e Përbashkët të Sigurisë së Jashtme të BE-së" u iniciua më 29 mars nga ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani me përfaqësues të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi
Add new comment