Liria e Fjalës me "njollë në biografi"
Dita e sotme kaloi me reagime zinxhir për ngjarjen në godinën e televizionit Top Channel. Akt terrorist e quajtën disa gazetare, kriminal të tjerë, ndërkohë që në kor u shpall se u godit fjala e lirë.
Padyshim një ngjarje e rëndë që ka vetëm një palë fajtore, atentatorët. Por ndërkohë që dënohet akti, askush nuk ka tagër të deklarojë shkakun. E themi këtë sepse lidhja direkte e arëntatit me lirinë e Fjalës nënkupton se ngjarja ka të bëjë me punën e gazetarëve. Por pikërisht pse kemi të bëjmë me media, të gjithë duhet të stepeshin për të folur me bindje për shkakun.
Jetojmë në Shqipëri dhe e dimë se televizioni në fjalë nuk është modeli i fjalës së lirë, as profesionalizmit në fushën e informacionit, pavarëisht autoreklamës.
Kemi të bëjmë me një media që ka kontaminuar gazetarinë me lidhjet e interesit të pronarit ndërkohë që nuk shquhet aty asnjë lloj opozitarizmi apo hetimi serioz sa për të përligjur goditjen. Nëse një gjë e tillë ka ndodhur administratori i tv-së duhet të deklarojë nëse është kërcënuar dhe pse. Ata që reaguan sot, në një masë të madhe, ose vallëzojnë në tregun e analistiçistikës televizive, ose në fakt mbrojnë me forcë një markë imuniteti dhe gati paprekshmërie siç ishte Top-Channel. Që është pushtet më vete, por jo i Katërt. E mbrojnë sepse ai imunitet ka krijuar personalitete të rreme, ka siguruar interesa të caktuara, por edhe sepse një pjesë e mirë e gazetarëve mbrojnë veten, statusin pas të cili luhen shumë gjëra, e që vetohet me ngjarje flagrante.
Apologjia e TCh ilustron jo një shqetësim për demokracinë dhe lirinë e fjalës, por një konsensus për status quonë e shantazhit me tagrin e gazetarit. Sepse duke shpallur apriori shkakun, në kundërshtim me rregullat e profesionit, po synohet të mbulohet shkaku i vërtetë të cilin ende nuk e dimë.
E nëse e vërteta do të dalë dikur për të na shërbyer një rrëfim ndryshe, të gjithë do të heshtin, shmangen pse në fakt këtë zakon kanë minjtë. Është simptomatike sesi pushteti i medias rrëgjoi deri këtu, vetëm e vetëm nga korrupsioni që ka forcën të normojë një retorikë interesi në kundërshtim me çdo logjikë.
s.zaimi
Add new comment