Logjika serbe: Kosova është provinca jonë. I kërkojmë asaj vetë-qeverisje për serbët e atyshëm!!!

Postuar në 21 Mars, 2023 11:39

Zyrtarët europianë trumbetuan përparim në diskutimet e zhvilluara në Ohër dhe është e qartë se zhvillimi kryesor, thelbësor, është ai se të dyja palët kanë marrë zotime konkrete. Sigurisht që palët nuk firmosën për shkak të politikës së brendshme dhe pasigurisë që jep një draft me aq hollësi, por e vërteta është se në Ohër u konfirmuar se çështja e negociatave për normalizim marrëdhëniesh mes Serbisë dhe Kosovës nuk mund të shtyhet pa pasoja.

Që këtej çdo diskutim apo interpretim ka vlerën e vet, por nuk ndryshon asgjë në faktin se negociatat kanë ecur një hap para. Nëse në krye të dy palëve do të kishte shtetarë të vërtetë me siguri që tani nuk do të ishim këtu ku jemi. Por në krye të tyre janë rrufjanët e radhës që megjithatë kanë të qartë se kriza nuk mund të ngurtësohet më si hipotekë sherri mes dy vendeve. Në këto kushte, propagandimi i menjëhershëm nga presidenti serb, Vuçiç, se ai nuk ka firmosur asgjë, se nuk njeh dokumente ku shkruhet Republika e Kosovës, është asgjë më shumë sesa një manovër për të qetësuar njerëzit e vet në Serbi, të cilët nuk e kanë marrë ende mirë ilaçin se Kosova tashmë është e humbur. Aty e shumta mund të maksimalizohet ndonjë arritje që sërish nuk e ka jetën të gjatë, pse të gjithë treguesit flasin për perëndim të fuqisë serbe. Mirëpo mbrojtja në politikë duhet të ketë një kuptim dhe një kufi. Dhe duhet t’i shpëtojë inkoherencës.

P.sh nëse z. Vuçiç thotë se nuk do ta njohë kurrë Kosovën, çfarë kuptimi që angazhohet në një proces normalizimi të marrëdhënieve me Prishtinën? Me cilin subjekt normalizohen marrëdhëniet? Zoti Vuçiç mund ta ndihmojë botën me invencionet e jurisprudencës serbe…

Të marrim një deklaratë të parlamentarit serb, përgjegjës për Komitetin për Kosovën dhe Metohinë, Milovan Drecun. Ky ka dalë në mediat serbe për të sqaruar se në Ohër nuk ndodhi asgjë për t’u shqetësuar. Madje sipas tij, drafti franko-gjerman u rishikua me zhgradim thelbësor meqenëse iu hoqën përcaktimet për njohje de facto dhe de jure të Kosovës dhe se aty Beogradi shmangu kurthet e draftit që presupozonin njohjen e shtetit të rremë të Kosovës.

Propozimi franko-gjerman që më vonë u riemërtua si europian, është mbushur me kurthe për shkak se shkonte përtej kuadrit të statusit të neutralitetit dhe e trajtonte Kosovë si një shtet. Kërkonte nga Serbia që të binde dakord të trajtonte provincën e vet jugore si shtet, si një subjekt legal ndërkombëtar…

citohet nga “Tanjug” ai.

Tani, nëse Kosova është provincë jugore e Serbisë, siç pretendon Kushtetuta serbe të cilin invokon Drecun, nuk ka asnjë lloj kuptimi që të kërkosh me insistencë Acocacionin e Komunave Serbe në këtë provincë, për shkak se ligjërisht dhe juridikisht diferencon kufij administrativë me implikimin e qartë se nuk ka asnjë kontroll në territor dhe se po e kërkon atë me garanci ndërkombëtare.

U bë progres në Ohër – së pari u kuptua se duhet një kuadër institucional për të mbrojtur serbër përmes Acocacionit apo siç e thotë plani europian, përmes vetë-qeverisjes për serbët

vijon ai.

Cila e drejtë e trajton kështu një provincë të vetën? Serbia nuk është federatë, është një republikë parlamentare dhe edhe brenda nocioneve të Kushtetutës së vet ideja e vetëqeverisjes nuk ka kuptim. Dhe bie në kundërshtim logjik edhe me kërkesën tjetër, që Serbia i kërkon Provincës së vet, Kosovës, me të cilën është angazhuar të normalizojë marrëdhëniet që të pranojë vetë-qeverisjes për serbët që jetojnë aty, pra në Provincën e vet jugore. Bëjini Like z. Drecun në rrjetet sociale se me siguri do të ketë diçka për të mësuar prejt tij!

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.