SHBA neutralizoi opsionin strategjik Europë-Rusi
Një opinion i publikuar në “The Guardian” nga Jonathan Steele vë në dukje një temë të madhe debati në perëndim: fuqinë e Amerikës. Për t’u shënuar është paralelja që autori heq mes Luftës së SHBA-së dhe Britanisë së Madhe në Irak dhe ndërhyrjes ruse në Ukrainë. Të dyja ilegale dhe të dyja me pasoja katastrofike në jetë njerëzore.
Forcat amerikane kryen krime të panumërta lufte, jo vetëm torturimi i robërve
shkruan autori që shton se taktikat e adoptuara nga amerikanët ndaj rezistencës irakene çuan deri në masakra të cvivilëve të paarmatosur. E nëse premisat janë të njëjta, parimi është po ai, Forca, pse bota veproi ndryshe dhe cilat janë pasojat e kësaj që ndodhi.
Bota disaprovoi luftën e Bushit dhe Blairi, por nuk u ndërmor thuajse asnjë veprim. Nuk pati sanksione shtetërore ndaj SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe. Asnjë hetues prej ndonjë gjykate ndërkombëtare nuk mblodhi prova për të plotësuar dosjet e hetimit të krimeve të luftës…Konsideroni tani reagimin shumë të ndryshëm ndaj luftës ilegale të Vladimir Putinit në Ukrainë.
Thuajse çdo qeveri në perëndim, pas SHBA-ve ka miratuar sanksione ndaj eksporteve ruse…Kontrasti në reagimin global ndaj dy luftërave është instruktiv. Asgjë nuk e ilustron më mirë dallimin mes autoritetit ndërkombëtar të Rusisë dhe atij të SHBA-ve. Për Putinin kjo është poshtëruese. Atij mund t’i pëlqejë ta mendojë vendin e tij si sueprfuqi, por në realitet përtej arsenalit masiv bërthamor, Rusia ka pak ndikim ndërkombëtar dhe pak miq…
SHBA nga ana e vet drejton një perandori jo-territoriale me sukses të madh. Ka ndikim të jashtëzakonshëm politik dhe ekonomik në çdo kontinent, dominon sistemin financiar ndërkombëtar dhe ka në operim 750 baza ushtarake në më shumë se 80 vende
vë në dukje Steele.
Është pushteti ai që përcakton kursin e predikimit moral në botë dhe jo e drejta, apo drejtësia që kamuflohet pas rendit ndërkombëtar. Kaq e vërtetë është kjo saqë edhe kërkesa e dikurshme e Federatës Ruse për t’u anëtarësuar në NATO do të refuzohej padiskutim, për sa kohë SHBA nuk do të donte në një Aleancë që e ka instrument kontrolli në Europë, një anëtar që e barazon në arsenalin bërthamor dhe vë në diskutim prioritetet e politikës së vet.
Megjithatë Lufta në Ukrainë, nëse poshtëroi Putinin dhe evidentoi se Rusia është një fuqi e kalbëzuar, ajo vuri në dukje po ashtu se dominimit amerikan po i afron fundi. Vetëm 40 vende pranuan të vendosin sanksione ndaj Rusisë, ndërkohë që ka dyshime në rritje në Azi, Amerikën Latine dhe Afrikë se ndihma ushtarake perëndimore ndaj Kievit në fakt ka synin afatgjatë ndryshimin e regjimit në Moskë.
Konferenca e Munihut nga ana tjetër theksoi se Perëndimi po humbet kredibilitet në hemisferën jugore, aty ku dinamizmi demografik përcakton deri diku të ardhmen ekonomike të shoqërisë njerëzore, e që mesa duket po shihet si terreni i një përplasjeje për ndikim me Kinën. Një vend që përherë e ka prezantuar veten si përfaqësuese e të varfërve dhe këtu e ndihmon edhe fakti se ajo nuk ka një histori koloniale.
Vetë ligjërimi për rivalitetin me Kinën, sado që mbetet mediatik, e parathotë në fakt erën e një konflikti të ri që e vendos kontinentin tonë në prapavijë të ambicieve të SHBA-ve si vendi që çon përpara dhe ka një axhendë dominimi. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë lufta në Ukrainë, me mënyrën si po menaxhohet ka dëmtuar rëndë opsionet për një vizion gjeostrategjik të Europës që ekonomikisht do të duhet të konsideronte patjetër Rusinë në rivalitetin me Kinën dhe Indinë. Në fakt, me mënyrën si rrodhën ngjarjet dhe sesi u administrua edhe ajo që Ischinger e quajti Zeitenwende të Gjermanisë, tregon se koha e Europës për të drejtuar ka perënduar.
Add new comment