Nga Tirana në Orkestrën kombëtare të Belgjikës

Postuar në 17 Mars, 2023 10:58
Intervistoi: Eleana Zhako

 

Pas komunikimit me Olsi Lekën, violonçelistin e parë solist të Orkestrës kombëtare belge, u takuam në Petit Sablon, një nga sheshet më të njohura dhe shumë afër Konservatorit mbretëror, Conservatoire royal de Bruxelles, ku ai punon si pedagog. Në Petit Sablon ndodhet një nga parqet e vogla më të bukura të Brukselit - a must seen place për vizitorët, i cili u projektua në nderim të kujtimit të kontëve Egmont dhe Hornes, që u vranë për rezistencën e tyre kundër pushtimit spanjoll. Parku rrethohet nga 48 statuja të bronzta dhe është një oaz i vogël gjelbërimi në zemër të qytetit. Aty pranë ndodhet dhe Notre-Dame du Sablon, një ndër kishat historike më të njohura të vendit. Zona e Sablon konsiderohet si qendra e galeristëve dhe e antikuareve. Aty janë të vendosura edhe firmat e njohura të çokollatave belge, Pierre Marcolini, Neuhaus, Godiva, etj. Arkitektura gotike e Sablonit dhe tisi mesjetar, përshtatej me natyrën e intervistës dhe vetë fizionominë e violonçelistit, që i shkonte atmosferës përqark. 

Për brezat e artistëve, që lindën dhe u formuan në Shqipëri në kohën e komunizmit, është tërësisht kinematografike, të mendosh që sot ndodhen në vendet, ku i vetmi kontakt që kishin, ishte përmes botës së librave e televizorit, por edhe ai i cunguar. Ju shkuat përtej kësaj. Pasi jo vetëm kapërcyet matanë ekranit, ashtu sikurse shumica prej nesh, por sot jeni pjesë e elitës muzikore të Belgjikës. Si lindi marrëdhënia juaj me violonçelin? 

Për pak do të isha bërë violinist. Violina ishte zgjedhja ime e parë, por kur fillova shkollën ish “23 nëntori” në Tiranë, klasa e violinës sapo ishte plotësuar dhe nuk kishte më vende. Detyrimisht, më duhej të zgjidhja një instrument tjetër. Klasa e violonçelit sapo ishte krijuar dhe pasi kalova testin muzikor, gjykuan që për shkak të pëllëmbës, violonçeli do të më përshtatej më mirë. Zakonisht, për violonçelistët kërkohet madhësi më e madhe pëllëmbe. Pas mbarimit të shkollës tetëvjeçare,  vazhdova liceun artistik. Ngaqë liceu është shkollë e mirëfilltë muzike, angazhimi me violonçelin ishte më i madh. Atëherë bëja pjesë në orkestrën virtuoze të të rinjve të Zhani Cikos dhe bënim turne edhe jashtë vendit. Një nga këto vende ishte dhe Belgjika. 

Ka qenë ky turne me orkestrën e të rinjve, që ju dha idenë e vendosjes në Belgjikë? Duke marrë parasysh faktin që vinit nga një vend si Shqipëria, çfarë vështirësish ndeshët?

Në kohën që ishim për turne në Belgjikë, u prezantova në Konservatorin e Brukselit, duke kaluar nga një audicion jo-zyrtar. Niveli  i shkollës shqiptare të muzikës ishte shumë i mirë, sidomos ai i shkollës së harqeve. Ndërsa Belgjika ka traditë më të fortë në instrumentet e frymës. Pasi e kalova audicionin me sukses, u ktheva në Shqipëri që të merresha me procedurat e nxjerrjes së vizës studentore. Mësimet në Konservator bëheshin në tre gjuhë, frëngjisht, anglisht dhe hollandisht. Gjatë periudhës pesë-vjeçare të studimeve të mia, arrita të mësoj edhe hollandishten. Kur isha ende student, u hap pozicioni i violonçelistit të parë solist në Orkestrën kombëtare të Belgjikës, ku e fitova me audicion në vitin 2005. Por, nuk u intregrova direkt në këtë pozicion, sepse më duhej të përfundoja studimet. 

Ju tashmë, jeni pedagog në të njëjtin Konservator, ku më parë ishit edhe student. Sa inkurajues është ky sukses i dyfishtë, për djaloshin e dikurshëm të liceut të Tiranës?

Në këndvështrimin tim të sotëm është rezultat “logjik” i përpjekjeve shumëvjeçare, që nisin në Shqipëri dhe kurorëzohen në Belgjikë. Por, pa formimin solid të shkollës shqiptare, nuk do arrija të zhvilloj talentin tim në Belgjikë. Pasi fitova vendin e solistit të parë, më propozuan nga Konservatori i Brukselit për vendin e pedagogut ndihmës. Në 2007-n, fitova konkursin për vendin e pedagogut në Konservatorin mbretëror të Antwerp, kurse në 2015-n fillova si pedagog në Konservatorin e Brukselit. Por, për shkak të angazhimeve të shumta, mundohem të harmonizoj mësimdhënien me udhëtimet e shpeshta e punën në Orkestrën kombëtare.

Si është gjendja e shkollës së violonçelit sot në Shqipëri, në krahasim me shkollën paraardhëse?

Deri në fund të viteve ‘90 e fillim ‘2000, shkolla e violonçelit ka pasur një zhvillim shumë pozitiv e nivel dinjitoz. Violonçelisti dhe pedagogu Gjovalin Lazri (1936 - 2020), ka përgatitur gjenerata të tëra violonçelistësh shumë të mirë, që kanë arritur të ndërtojnë një karrierë të sukesshme në botë. Renato Ripo, është një ndër këta violonçelistë, një talent i jashtëzakonshëm. Më pas, me largimin e shumicës së muzikantëve nga Shqipëria dhe ndryshimin e politikave mbi artin klasik, kjo shkollë ka pësuar njëfarë rënieje. Mungesa e kushteve dhe infrastruktura e varfër, stimujt e paktë, mungesa e pedagogëve të huaj vizitorë dhe e master-classeve janë ndër faktorët kryesorë të bjerrjes. Që të zhvillohet talenti dhe edukimi i të rinjve, duhet një platformë shumë më e gjerë se mjedisi i shkollës. Deri në vitet ‘90 kishte një publik, që e ndiqte rregullisht muzikën klasike. Tashmë interesi për muzikën klasike ka rënë. 

A mendoni që përveç mungesës së politikave shtetërore mbi artin klasik, kjo rënie interesi është dhe rrjedhojë e stilit konsumerist dhe artit fast-food, që po uzurpon gjithmonë e më tepër hapësirën artistike të vendit? Çfarë iniciativash do të ndihmonin në ripërtëritjen e artit klasik dhe konkretisht të shkollës së violonçelit?

Shqipëria, pavarësisht se është vend i vogël, ka një prodhimtari të lartë muzikantësh. Për mendimin tim shqiptarët kanë një muzikalitet gati të lindur. Por, pavarësisht se ka shumë talente, familjet e tyre nuk kanë mundësi ekonomike, për t’i mbështetur përtej platformës së shkollës. Shteti, me ndihmën e investitorëve privatë mund të krijojë platforma të ndryshme për stimulimin e talenteve, p.sh, mbështetje me instrumente, bursa studimi, ndërtim sallash cilësore si dhe financim festivalesh të nivelit internacional. I vetmi festival serioz, që organizohet gati çdo vit në Shqipëri nga violinçelisti i njohur Vlorent Xhafaj dhe që mbledh muzikantë e violinçelistë nga e gjithë bota, është “Different trains”.

Në website-in tuaj, përmendet që violonçeli që ju keni në dispozicion, është krijuar nga violinisti italian Raffaele Gagliano rreth vitit 1820 dhe i është dhuruar violonçelistit të njohur belg Eric Feldbusch në vitin 1965 nga Mbretëresha Elizabeth e Belgjikës. Si kaloi ky violonçel në duart tuaja?

Bëhet fjalë për një violonçel shumë të vjetër, që numëron mbi dy shekuj jetë, që ka kaluar nga 8-9 gjenerata dhe rrjedhimisht i përket një niveli instrumental shumë të lartë. Cilësia e një violonçeli varet nga vjetërsia e drurit, sa më i stazhonuar të jetë druri, aq më cilësor është tingulli që prodhon, por edhe shkolla nga vjen. Shkolla e Liutaios, konsiderohet ndër shkollat më të mira të instrumenteve me tela. Violonçeli që unë kam është pronë e fondacionit Eric Feldbusch dhe m’u dha nga i biri, për performancat e mia muzikore.

Vitet e fundit ju i jeni përkushtuar edhe projekteve personale, e kam fjalën për dy CD-të tuaja, "Reminescence" dhe "The Cello in Madness". Si ka qenë kjo eksperiencë për ju? 

"Reminescence" u regjistrua me rastin e 100-vjetorit nga përfundimi i Luftës së Parë Botërore. Ka qenë një eksperiencë unike të bashkëpunosh me fotografin Frédéric PAUWELS dhe pianistin Peter CAELEN. Imazhet që shoqërojnë CD-në janë fotografuar nga Frédéric PAUWELS, i cili udhëtoi 700 kilometra në vijën e frontit perëndimor. Ai fotografoi gjurmët e luftës në peizazhet rrotull, llogoret, të ashtuquajturat “Villages dead for France”, qytete të ndotura fantazma, ku askush s’ mund të jetonte pas luftës. Ndërsa "The Cello in Madness", përmban tre interpretime të kompozimeve të Eric Feldbusch, violonçelistit të shquar dhe kompozitorit belg (1922-2007), violonçelin e të cilit kam nderin të mbaj. 

Ju falënderoj për intervistën!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.