Lady Macbeth në Gjermani, rol sfidues për karrierën time

Postuar në 14 Mars, 2023 12:20
Intervistoi: Eleana Zhako

 

Ana Naqe është ndër sopranot shqiptare më premtuese në Belgjikë, por edhe në Europë. Ajo ka kënduar në skena të rëndësishme dhe vitin në vijim është përzgjedhur mes kaq sopranove të tjera për role shumë sfiduese, për të cilat ajo nuk ngurron të tregojë mbi vështirësitë dhe pengesat, që i duhet të përballet. Ana më priti me një buzëqeshje të ngrohtë e të shdritshme, ashtu si drita që përshkonte hapësirën e saj. “Ne në Antwerp kemi më shumë dritë se ju në Bruksel”, më tha me një ton hokatar. Biseda jonë, nëse nuk do të kishte formatin formal të intervistës, pati që në fillim atë elementin kimik, që bën dy të panjohur, të njohur të pakohë.  

Më flisni për fëmijërinë tuaj në Shqipëri dhe lidhjen tuaj të hershme me muzikën. 

Marrëdhënien time me muzikën, ua dedikoj kryesisht prindërve të mi, falë të cilëve u regjistrova fillimisht në shkollën e muzikës “Jakov Xoxa”’në Fier dhe falë këmbënguljes së të cilëve mësova që herët, konceptet e disiplinës dhe të ushtruarit të vazhdueshëm. Përmes tyre kuptova, se një fëmijë, pavarësisht talentit, nuk është në gjendje pa artin e disiplinës, të njohë më thellë aftësitë e veta e të përsosë talentin. 

Zakonisht, është njëri nga prindërit, ai që i kultivon më tepër fëmijës dashurinë për një art të caktuar. Mënyra se si flisni për ta, më bën të kuptoj për ndikimin e tyre të barabartë në rrugëtimin tuaj. Përse kjo këmbëngulje e veçantë nga ana e tyre? 

Prindërit e mi e dashuronin marrëzisht muzikën klasike, ndonëse nuk ishin muzikantë. Por, ishin njohës shumë të mirë, njihnin krejt kompozitorët klasikë që transmentoheshin në atë kohë, detaje për jetën e tyre dhe libretat, qenë lexues të ethshëm të gjithçkaje që lidhej me artin e muzikës e letërsisë. Dy prej fëmijëve të familjes ndoqën shkollën e muzikës, unë për violinë dhe motra ime më e vogël për flaut. Rrugëtimi im muzikor ka filluar me violinën, nga e cila ende s’jam shkëputur. Nuk e kisha menduar më parë se do të bëhesha soprano, pasi gjithë formimi im muzikor nga shkolla fillore e deri në të lartën, lidhet ngushtësisht me violinën. 

Si ndodhi ky kalim muzikor, nga violina te kantoja? Është pakëz e rrallë, që një soprano e shkëlqyer të jetë edhe një violiniste e shkëlqyer apo e kundërta. 

Talentin tim për kanton e zbulova falë një prifti katolik belg, i cili u vendos në Shqipëri pas rënies së komunizmit dhe sot jeton ende aty. Atij i duhej në atë kohë të krijonte korin e kishës dhe me nxitjen e zyshave të muzikës, u bëra pjesë e këtij kori. Zëri im u tërhoqi menjëherë vëmendjen dhe në udhëtimin tonë të parë si kor në Itali si shkollë muzike, organizuar nga kisha katolike, fillova të shpalos edhe talentin tim në kanto. Falë njerëzve të kishës, m’u dha mundësia që të vija në Belgjikë, që në moshë të vogël, ku bashkë me një vajzë tjetër merrja pjesë në koncerte bamirësie, për të grumbulluar fonde për të varfrit në Shqipëri dhe rindërtimin e banesave të vjetruara si edhe shtëpi te reja.

Cilat qenë përshtypjet e para të qëndrimit tuaj në Belgjikë? Ndryshimi mes Shqipërisë së asaj kohe dhe Belgjikës, duhet të ketë qenë më tepër se shokues për një vajzë shumë te re. 

Destinacioni im i parë në Belgjikë ka qenë Brugge, më pas Antwerp, por përveç Belgjikës shkoja shumë shpesh edhe në Gjermani. Madje në Gjermani, një familje e pasur, për shkak se violina që kisha nga Shqipëria ishte e vogël, më falën një violinë familjare të trashëguar prej brezash. Por, në atë kohë qëndroja vetëm për pak javë, për të ndjekur kryesisht master-classes dhe më pas kthehesha në Shqipëri. Integrimi në realitetin europian ka qenë shumë i vështirë për mua në atë moshë dhe e vuaja shumë faktin e të qënit larg familjes e vendit tim. Pra, ishte kryesisht për mua një përvojë pasuruese dhe pikëtakimi im i parë me vendin, në të cilin më pas vendosa të ndërtoj jetën time. Udhëtimet më të hershme, më ndihmuan të riintegrohem më lehtë në Belgjikë, pas largimit tim përfundimtar nga Shqipëria. 

Kur vendosët të largoheshit nga Shqipëria dhe çfarë ndikoi më tepër në marrjen e këtij vendimi? 

Vendosa të largohesha nga Shqipëria përfundimisht pas mbarimit të vitit të parë në Akademinë e Arteve  për violinë. Pavarësisht se niveli muzikor i Akademisë së Arteve të Shqipërisë ishte shumë i lartë, nuk mbetej pas nga ai i akademive muzikore europiane, mungesa e perspektivës profesionale ishte arsyeja kryesore e largimit tim. Ende i kujtoj me nostalgji e dashuri mësuesit e pedagogët e mi në Shqipëri. Në ndryshim nga pedagogët në Belgjikë ishin më të detajuar, i kushtonin rëndësi më të madhe teknikës, qenë më të rreptë dhe më perfeksionistë. Kjo ishte dhe rezultat i sistemit rus të shkollimit, i cili ka lozur një ndikim të madh në formimin e mijëra profesionistëve shqiptarë. Në Belgjikë vazhdova paralelisht studimet për kanto e violinë në nivel universitar. Nuk u mjaftova vetëm aty, por ndoqa studimet për violinë e kanto edhe në nivel pasuniversitar Master dhe pasuniversitar të avancuar ne Spanjë, Amsterdam e Bruksel.

Ju keni performuar në skena të rëndësishme si Opéra Royal de la Monnaie në Bruksel, Grand Théâtre du Luxembourg, Bregenzer Festspiele, Théâtre du Châtelet, Teatro Solis në Montevideo, Flemish Opera në Antwerp dhe Ghent, Royal Opera of Wallonia-Liège, Landestheater Coburg, Flemish Royal Theater (KVS) në Bruksel, Operadagen Rotterdam dhe në shumë të tjera. Ka pasur një rol që ju ka munduar veçanërisht?

Pa dyshim, Abigaili nga “Nabucco” Giuseppe i Verdit. Nuk kam arritur ende ta performoj në skenë, pasi para disa kohësh u zgjodha me audicion mes shumë sopranosh të tjera nga Italia, Polonia, Gjermania, etj., dhe m’u besua mua ky rol. Madje, ime më, para se t’i jepja lajmin e mirë, më mori për të më thënë që po dëgjonte Nabucco-n dhe mendonte se do të më shkonte shumë roli i Abigailit. S’i kisha thënë asgjë më parë, ajo nuk e dinte se unë kisha hyrë në audicion për këtë rol, që të mos shpërqëndrohesha gjatë konkurrimit. Kështu që kur e mora rolin, gëzimi im dhe i saj qe i dyfishtë. Nuk e kisha menduar më parë që do të ndërmerrja një rol të tillë, pasi konsiderohet një nga rolet më të vështira të operës. Ka shtrirje shumë të madhe regjistri zëri, nga toni më i ulët në tonin më të lartë. Kërkon një zë gjigant dhe një ton metalik, që i shkon ligësisë së rolit të Abigailit. Një soprano duhet të jetë shumë e kujdesshme, për shkak të shtrirjes se tesiturës vokale të rolit, të kërkesës së madhe vokale e fizike të rolit. Konsiderohet roli më i vështirë për të gjitha sopranot ndaj dhe performancat janë përherë të kufizuara. Nabucco-n do e këndoj vitin që vjen në Opera Vlaanderen në Belgjikë. Një rol tjetër i vështirë, që u zgjodha me audicion është dhe ai i Lady Macbeth së Verdit, që mezi po pres ta debutoj.

Çfarë regjimi duhet të mbajë një soprano që të kujdeset për zërin e saj? 

Përkujdesja për zërin, nënkupton një regjim të rregullt, gjumë të plotë e ushqim të shëndetshëm. Nuk duhet të pijë alkool dhe duhan, dhe kafja rekomandohet vetëm një herë në ditë pasi ndikon në përtharjen e fytit. Gjumi është shumë i rëndësishëm, si edhe ajri jo i thatë i ambientit. Për sopranot mosha maksimale konsiderohet 60 vjeç, por cdo gjë varet nga fiziku. 

Cilët janë idhujt tuaj femërorë të operës?

Përveç emrit të Maria Callas që është i lakuar gjithandej, kam një adhurim të jashtëzakonshëm për sopranon amerikane me ngjyrë Shirley Verrett, e cila nuk ka marrë të njëjtën vëmendje si Callas. Emra të tjerë sopranosh janë amerikano - kubanezja Lisette Oropessa, amerikania Nadine Sierra, lituanezja Asmik Grigorian dhe amerikania Sara Jakubiak. Sigurisht, që adhuroj edhe sopranot tona Ermonela Jaho dhe Inva Mulën. Që një soprano sot të arrijë të bëhet e njohur, duhet të ketë team-in e saj, një mësuese për zërin dhe një coach për te mësuar partiturën, gjuhën e stilin. Duhen muaj të tërë provash, 6 muaj të paktën për një rol.

Nga përvoja juaj, a veçoni ndonjë vend për publikun më operadashës dhe për rëndësinë që i kushtohet këtij zhanri muzikor?

Gjermania është vendi i parë në botë për mua, për interesin që tregon ndaj operës. Publiku gjerman e do shume artin. Gjithashtu, mundësia ekonomike që kanë dhe investojnë në art, bën që të ketë shfaqje në çdo ditë të javës, që rrjedhimisht do të thotë, më shumë publik dhe më shumë punë për profesionistët e operës. Vitin e ardhshëm do të ndodhem në Gjermani për një projekt një vjeçar me role si Lady Macbeth ( Verdi) Donna Anna( Mozart), Giuditta( Lehar), Gutrune( Wagner).

Besoj, për shkak të shfaqjeve në vende të ndryshme të botës, shumë herë ju është dashur të këndoni në gjuhë krejtësisht të panjohura për ju. Për hir të rolit, keni hasur vështirësi të mëdha gjuhësore?

Unë flas disa gjuhë, gjermanisht, frëngjisht, hollandisht, anglisht, italisht dhe spanjisht, dhe kjo gjë më lehtëson në interpretimet e mia, që më së shumti janë në këto gjuhë. Por, ka pasur edhe gjuhë si çekishtja që ia kam dalë me sukses, për shkak të afërsisë fonetike me shqipen dhe bashkëtingëllorëve të ngjashme.

Shqipëria është vendi ku ju u formuat kryesisht si violiniste, kurse Europa vendi ku ju u zhvilluat si soprano. A keni një ëndërr shqiptare, që lidhet me operën shqiptare, ashtu sikurse themi “american dream”?

Ëndrra ime më e madhe është të interpretoj Mrikën e Prenk Jakovës në Shqipëri. Vjet debutova në Shqipëri, në galanë e Verdit të Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë, dhe u ndjeva shumë mirë mes kolegëve të mi shqiptarë. Shpresoj shumë së shpejti t’i rikthehem skenës sime më të dashur të TOB.

Ju falënderoj përzemërisht për intervistën! 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.