Cili Kryetar do jetë në fletë votimi?
Shikoni lëmshin që ka krijuar Partia Demokratike. Ajo me vulë dhe ajo pa vulë. Sot është afati i fundit për regjistrimin në zgjedhje të saj. Komisioneri Shtetëror Ilirjan Celibashi, në dritën edhe të vendmit të fundit të Gjykatës së Apelit, deklaron se do të regjistrojë partinë e vulës meqenëse sipas tij, në kuptim të Ligjit, kryetar i PD-së figuron Lulzim Basha.
Dhe si kryetar, z. Basha ka detyrime që rrjedhin nga neni 64 i Kodit Zgjedhor ku përfshihet edhe një deklaratë me shkrim. Zoti Basha nuk e ka firmosur këtë gjë. Para KQZ-së është paraqitur Enkelejd Alibeaj me një autorizim. Mirëpo Kodi kërkon deklaratën e Kryetarit, që sipas Celibashit është Basha. Celibashi shtoi edhe se “delegohet kompetenca, jo përgjegjësia”, pra se edhe në dritën e autorizimit për Alibeajn, lëshuar para se Basha të jepte Dorëheqjen, regjistrimi kërkon Përgjegjësinë e Kryetarit, jo vetëm Kompetencën e tij.
Pse nuk e firmos Lulzim Basha atëherë deklaratën? Kjo padyshim ka arsye politike, por që kanë të bëjnë edhe me stabilitetin apo rendin kushtetues në vend. Pse? Sepse më 21 mars 2022, Lulzim Basha, në një transmetim live, me lidhjen online të PD-së, nga selia e asaj PD-së, në prani të ekipit të tij, ka njoftuar publikisht dorëheqjen e tij nga detyra e kryetarit. Ndonëse në Gjykatë nuk u depozitua emër tjetër kryetari për shkak të asaj që dihet.
Ndërkohë logjika e z. Alibeaj sillet kështu: meqë unë kam autorizim nga kryetari, duhet të regjistrohem. Si ta harmonizosh këtë arsyetim me kërkesën e nenit 98 të Kodit Zgjedhor që thotë se në fletën e votimit vendoset edhe emri i Kryetarit?
Lind kjo pyetje sepse nëse z. Basha sot nuk firmos deklaratën që i kërkohet konform nenit 64 dhe nuk rinovon autorizimin sepse ka njoftuar dorëheqjen edhe pse në gjykatë “ka emrin” si kryetar, nuk ka sesi nesër të deklarohet kryetar në fletën e votimit. Kjo është shumë edhe për një patate të kalbur si Shqipëria.
Situata është komike në çdo aspekt dhe mesa duket i shërben më së miri Rithemelimit që po priret të kapitalizojë një ngërç të tillë për të propapganduar përjashtimin nga zgjedhjet me arsyetimin se Edi Rama është i temrruar nga revolucioni.
Nuk ka vend për shqetësim: ta shijojmë edhe këtë estradë si përherë në pritje të Kodit të ri Zgjedhor që do merret edhe me zgjidhjen e problemit juiridik sesi veprohet kur kryetar ka, por ai nuk është, apo është dhe nuk ka e kështu me radhë.
s.zaimi
Add new comment