Granarolo, jo më qumësht të freskët në shitje
Kompania e njohur italiane që operon në sektorin e ushqimit, “Granarolo” ka vendosur të mos prodhojë më qumësht të freskët për të shmangur harxhimet. Në shitje do të jetë vetëm qumështi I pasterizuar në temperaturë të lartë që në dallim nga qumështi i freskët zgjat 10 ditë në dallim nga 6 që zgjat ky i fundit.
Vjen në vështrim këtu sërish pandemia e CoVid-19 që duket se ka ndryshuar zakonet e njerëzve, që për të shmangur lëvizjen e shpeshtë merrnin qumësht që zgjaste deri në 90 ditë në frigorifer. Kompania është detyruar të përshtatet me ndryshimin.
Italia është i vetmi vend europian që ka miratuar me ligj që kohëzgjatja e qumështit pas konfeksionimit do të jetë gjashtë ditë, një amendim ky i një ligji të vitit 1969 që e sanksiononte këtë afat në katër ditë. Ndërkohë në Europë përcaktohet se kohëzgjatja e prodhimeve ushqimore përcaktohet nga prodhuesi në relacion me karakteristikat e lëndës së parë, përbërësve etj.
Në këtë kuadër kompania ka manovruar duke vendosur në etiketë jo më shënimin “qumësht i freskët”, por “qumësht i pasterizuar në temperaturë të ngritur nga qumësh krudo për cilësi të lartë”.
Ndërhyrje është bërë edhe në përmbajtjen e shishes, me 13% më pak plastikë dhe një sistem të ri të tapës duke kursyer 355 mijë kg plastikë çdo vit.
Add new comment