Amnistinë fiskale ma kanë kërkuar edhe mua "çunat e Londrës"

Postuar në 18 Shkurt, 2023 18:32

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, një ndër ish-ministrat më të përfolur të historisë së tranzicionit, Damian Gjiknuri ka dalë në një intervistë televizive për të përsëritur përrallën e zakonshme se amnistinë fiskale e kërkojnë emigrantët shqiptare. Argumentete gjysmake rrallë i shkojnë kujt tjetër sa Damian Gjiknurit, që për këtë çështje ndër të tjera ka thënë:

Unë kam pasur raste të takoj shumë bashkëkombas tanë qoftë në Britaninë e Madhe, qoftë në Greqi apo në vende të tjera, ku e kanë ngritur shqetësimin e nevojës të pasjes së një legjislacioni më lehtësues përsa i përket parave të tyre të kursyera pasi shpesh hasin në problematika nga autoritetet shqiptare, autoritete financiare dhe ato të drejtësisë.

Pra, kjo është një gjë që dhe ju vetë mund ta bëni shumë mirë. Mund të shkoni dhe të pyesni emigrantët tanë se çfarë mendojnë dhe si e shohin këtë temë. Mendoj që qeveria ka pritur, është duke diskutuar me institucionet ndërkombëtare financiare dhe mekanizma të tjerë të Bashkimit Europian për të gjetur një zgjidhje më të pranueshme dhe mendoj se kjo është qasja e duhur

Nëse do të kishim një gjë të tillë, atëherë qeveria e këtij që flet këtu do të përfshinte në relacion të dhëna të sakta, studime apo përafrime sesa është shifra e bllokuar në dyshekët e emigrantëve për shkak të legjislacionit pengues fiskal.

Vetëm vitin që lamë pas Shqipëria pati një lloj rekordi të remitancave, kështu që është e çuditshme që me kalimin e viteve dhe ngulitjen familjare në vende pritëse, emigrantët shqiptarë që po hyjnë tashmë në brezin e dytë në vendet ku janë, të jenë duke vuajtur për të sjellë para në Shqipëri. Dhe më e çuditshme akoma: këto halle i qajnë me Damian Gjiknurin.

Në fakt z. Gjiknuri në jetën publike i shkon çdo gjë, i shkon edhe të qenit ministër që ikën duke qeshur, sekretar partie, ai madje seç ka një ambicie në aparencë tipike si prej themeluesi me zemër të LSI-së. Vetëm logjika e besueshme nuk përkon te ky personazh publik me detyrat që ka mbajtur, por hajd mo, Shqipëri hesapi. Kush nuk hipi e kush nuk hyri në qeveri.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.