Vera dhe tumoret, polemika në Itali
Qasja e imunologes Antonella Viola, profesoreshë në Universitetin e Padovës - e cila pretendoi se mbështeste vendimin e Irlandës për t’i përfshirë paralajmërimet për dëme në shëndet, në etiketën e alkoolit - ka ndezur polemika midis prodhuesve të verës dhe studiuesve, disa prej të cilëve kanë ngritur pikëpyetje mbi pozicionet që kanë marrë disa organizata ndërkombëtare si OBSH ose Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin (IARC), të cilat e klasifikojnë alkoolin si kancerogjen.
Në një intervistë me « Corriere della Sera », të botuar më pas edhe në gazeta të tjera, Viola e cilësoi vendimin irlandez, tashmë të miratuar nga Komisioni Evropian, si "shumë të drejtë", duke kujtuar "lidhjen midis konsumit - dhe jo vetëm abuzimit - të alkoolit dhe kancerit të gjirit, atij kolorektal, mëlçisë, ezofagut, gojës dhe fytit”, duke shtuar se “ata që pinë e kanë trurin më të vogël”.
Reagimi i Konsorciumit për Mbrojtjen e « Primitivo di Manduria*» ishte jashtëzakonisht i ashpër.
Presidenti Novella Pastorelli i përkufizoi deklaratat e studiueses si "terrorizëm dhe dezinformim", duke argumentuar se "pretendimi se vera dëmton seriozisht shëndetin krijon dëme katastrofike për ekonominë e verës në Itali dhe për sistemin e eksportit, duke shkaktuar dëme të pallogaritshme në të gjithë sektorin”.
Edhe nëse në realitet Viola nuk e ka mohuar se vera është pjesë e traditës italiane apo se është kënaqësi që duhet t’ia lejojmë vetes herë pas here, por thjesht ka kujtuar se nuk ka një dozë minimale brenda së cilës konsumimi i alkoolit mund të konsiderohet i sigurt.
Një këndvështrim ky që mbështetet edhe nga epidemiologu Pierluigi Luigi Lopalco, ish-këshilltar për shëndetësinë në Rajonin e Pulias, i cili kujtoi se si Viola u kufizua në raportimin e qëndrimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për këtë çështje.
Ndërsa specialisti i sëmundjeve infektive, Matteo Bassetti, i Universitetit të Xhenovas, ndërhyri në mënyrë kontroverse me një postim në Facebook, ku ironizon Antonella Violën duke ngritur një dolli me një gotë verë të kuqe dhe duke i cilësuar qasjet e saj si “nivele shumë të larta të shkencës. Të paarritshme për ata që e duan verën”.
Edhe dietologu Giorgio Calabrese shkon kundër rrymës. Në një artikull të botuar dhe ribotuar nga Dagospia, ai deklaroi se "Vera e konsumuar me masë dhe zgjuarsi - dhe provat shkencore e tregojnë këtë - ka efekte të dobishme, veçanërisht nëse shoqëron vaktet".
Revista e drejtuar nga D'Agostino më pas shfrytëzoi rastin për të sulmuar Violën, duke e quajtur atë "të dehur nga vëmendja mediatike" dhe publikoi një foto të saj me një gotë verë në dorë (Duhet theksuar se studiuesja në fjalë nuk ka thënë kurrë se nuk e pi verën vetë, ajo vetëm vuri në dukje se si duhet të vlerësohen efektet e asaj që konsumohet).
Në mbështetje të qëndrimeve të Violës erdhi mendimi autoritar i Emanuele Scafato, Drejtor i Qendrës së OBSH-së për Kërkimin dhe Promovimin e Shëndetit për Alkoolin dhe Problemet e Alkoolit dhe i Observatorit Kombëtar të Alkoolit në Institutin e Lartë të Shëndetit, i cili në një postim të gjatë në Facebook kujtoi se nuk ka kuptim të bëhet dallimi midis verës dhe pijeve të tjera alkoolike – alkooli është në çdo rast alkool dhe vera është pija që dominon dhe referencë për konsumatorët në rrezik – dhe se si "nuk ka nivele të konsumit të sigurt për shëndetin".
Për sa i përket konceptit se vera dhe në përgjithësi çdo lloj i alkoolit, "dëmton dhe tkurr trurin" "në mënyrë gazetareske", kujton Scafato "e përcjell mirë idenë e dëmtimit të pakthyeshëm qelizor për shkak të efektit të alkoolit në membranat neuronale të hipokampusit në mënyrë të veçantë dhe ndikimi i alkoolit në zhvillimin e korteksit paraballor”, problem që e bën veçanërisht serioz konsumimin nga adoleshentët.
Nga ana tjetër, vijon eksperti, “prodhuesit evropianë tashmë vendosin paralajmërime për shëndetin në etiketat e verërave të eksportuara në SHBA dhe Kanada”. (Mes të tjerash, Kanadaja ka ndryshuar kohët e fundit udhëzimet e saj, duke reduktuar konsumin e lidhur me rrezik të ulët në një ose dy pije në javë).
Ndërsa Franca, e cila është ndër prodhuesit dhe eksportuesit kryesorë të verës, shpjegon sërish Scafato, nuk e ka problem të transmetojë mesazhe të tilla si “La bonne santé n'a rien à voir avec l'alcool” (Shëndeti i mirë nuk ka të bëjë fare me alkoolin).
Kjo nuk do të thotë se duhet të heqim dorë plotësisht nga vera, por duhet të bëhemi të vetëdijshëm për efektet e alkoolit në trup. “Secili është i lirë të bëjë dhe të jetojë si të dojë”, nënvizon Antonella Viola, “por të paktën ne ofrojmë mjetet për të kuptuar paraprakisht pasojat e zgjedhjeve tona”.
Ndërsa Lopalco kujton se “ka rëndësi edhe kultura e një vendi dhe benefitet që sjell pirja e një gote verë, ndoshta në shoqëri. Por gjithçka duhet të kombinohet me një rrezik të ulët dhe të pranueshëm për t’i pasur këto benefite”.
*Verë e kuqe e rajonit të Pulias
Burimi: Il fatto alimentare
Add new comment