Décadrage colonial

Postuar në 24 Janar, 2023 18:23
Nga e dëguara e ResPublica në Paris - Eleana Zhako

 

Décadrage colonial” (Duke ç’kornizuar kolonializmin) është një ekspozitë e tjetërllojtë dhe interesante në kuadrin e ekspozitave të shumta, që i ofron Muzeu Pompidu vizitorëve të tij. Për më tepër, vizitorit nuk i duhet të paguajë një biletë përkatëse, politikë e cila përshtatet me frymën e ekspozitës në fjalë, e cila përfundon në 27 shkurt të këtij viti. 

Ekspozita e kuruar nga Damarice Amao, specialiste mbi historinë e fotografisë dhe historinë e artit, synon të lidhë nyjen e munguar mes grupit të lëvizjes surrealiste dhe lëvizjeve të para antikolonialiste, duke prezantuar kryesisht ekstrakte nga shkrimet e viteve 1930 të intelektualëve, shkrimtarëve dhe poetëve “me ngjyrë”. Figura si Jane e Paulette Nardal, të cilat zhvilluan konceptin e “Négritude” dhe autori afro - amerikan Claude McKay, që ndikoi në ngritjen e një vetëdijeje ndërkombëtare mbi “të zinjtë”, hodhën bazat e mendimit dekolonializues. Ndërsa figura, si Léon-Gontran Damas dhe Aimé e Suzanne Cèsaire, qenë direkt të përfshirë në lëvizjen surrealiste.

Ekspozita hedh dritë mbi denoncimin e kolonializmit nga lëvizja e Surrealizmit dhe përpos autorëve të “Négritude”, përfshin edhe vepra të artistëve, si Adam Pierre, Albin-Guillot Laure, Bellon Denise, Boucher Pierre, Feher Emeric, Ichac Pierre, Kollar François, Krull Germaine, Lipnitzky Boris, Lotar Eli, Man Ray, Parry Roger, Rudomine Albert, Steiner André, Tabard Maurice, Ubac Raoul, Verger Pierre dhe Zuber René.

Kronologjia e ekspozitës, përfshin materiale të periudhës kohore 1925 - 1933:

Pamfletin e vitit 1925, “Revolution first and forever!”, i konceptuar prej komunistëve dhe surrealistëve në mbështetje të Abdelkrim, udhëheqësit të fiseve tribale berbere në Marok, gjatë luftës me ushtritë franceze e spanjolle; pamfletin surrealist të vitit 1931 “Mos vizitoni ekspozitën kolonialiste”, si kundërpërgjigje dhe reagim ndaj përurimit të ekspozitës ndërkombëtare të kolonive përtej detit në Bois de Vincennes. 

Ekspozita e kolonive në Bois de Vincennes, pati një sukses të jashtëzakonshëm vizitorësh, mbi 8 milionë vizitorë dhe të ardhura ekonomike prej 234 milionë frangash. Në 19 shtator 1931, u hap në Paris ekspozita “E vërteta mbi kolonitë” (La verite sour les colonies), e organizuar nga Lega ndërkombëtare kundër shtypjes kolonialiste dhe imperializmit dhe Partia komuniste franceze. Por, për fat të keq, ekspozita kishte vetëm 5000 vizitorë. 

Në vitin 1934, u botua antologjia “The Negro Anthology”, një projekt i ndërmarrë nga Nancy Cunard, e cila i kushtohej historisë së kontinentit afrikan, Madagaskarit dhe Amerikave të zeza, me kontributin e 150 autorëve afro-amerikanë, nga India perëndimore e Afrika, bashkë me tekstet anti-kolonialiste të surrealistëve.

Një tekst i shkrimtarit Georges Sadoul, “Sambo without tears”, u përkthye nga frëngjishtja në anglisht nga Samuel Beket. Aty përshkruhen dhe denoncohen klishetë mbi “njerëzit e zinj” në letërsinë për fëmijë. “Të zinjtë” stereotipizohen si “të paqytetëruar”, “të alkoolizuar”, “qesharakë” dhe “ushtarë”, duke orientuar fëmijët francezë drejt diskursit imperialist. Në vitin 1941, themeluesja e revistës Tropiques, Suzanne Césaire, boton një shkrim mbi tezat kryesore të librit “Historia e qytetërimit afrikan” të etnologut gjerman, Leo Frobenius dhe ia dedikon atij. Ky shkrim, qe një burim i madh frymëzues për poetët e Négritude dhe ri-interpretimin e konceptit të qytetërimit. 

Jane Nardal, një nga përfaqësueset e para të Négritude, është gruaja e parë, që analizoi “the Black condition” nga këndvështrimi gjinor. Shkrimi i saj “Kukulla ekzotike”(Pantins exotiques) që u botua në revistën La Dépêche africaine në vitin 1928, analizon sesi trupat e racializuar, fetishizoheshin dhe transformoheshin në spektakle për argëtimin e publikut të bardhë. Ajo gjithashtu, kritikoi me nota humoristike afeksionin e disa njerëzve me “gratë e zeza”, simptomë e imazheve ekzotike të letërsisë. 

Dy poetë të rëndësishëm të lëvizjes Négritude, Léon - Gontran Damas nga Guineja franceze dhe Aimé Césaire nga Martinika, botuan dy vepra të rëndësishme poetike në fund të viteve ‘30. Vëllimi poetik “Pigments” i Damas, me parathënie nga Robert Desnos, i cili kritikon ashpër shoqërinë kolonialiste, u censurua. 

Ekspozita përfshin dhe dorëshkrimin e romanit-fiction Romance in Marseille (1933) të afro - amerikanit Claude McKay. Në qendër të këtij romani ndodhet qyteti i Marsejës, që autori e zbuloi në fund të viteve ‘20. I mahnitur nga mozaiku kulturor dhe etnik i qytetit, McKay  bashkon kategori banorësh të pakënaqur dhe margjinalizuar, të origjinave dhe orientimeve të ndryshme seksuale.

Qyteti bëhet skena e teatrit për zgjimin “e vetëdijes së zezë” (black consciousness)

Një rëndësi e veçantë i kushtohet kontributit të Man Ray, i cili bëri një reportazh mbi ekspozitën e kolonive në vitin 1931, në formën e një libërthi të vogël dhe enigmatik. Pavarësisht kufizimit të qarkullimit të tij, përbën një denoncim të fuqishëm ndaj artificialitetit, dhunës, me fokus dhunën seksuale të sistemit kolonialist.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.