Anëtarësimi duhet pikëzuar, përndryshe Europa mbetet një përrallë e preferuar e Ramave të Ballkanit

Postuar në 11 Janar, 2023 15:29

Në gazetën britanike “The Guardian” është shfaqur sot një editorial që trajton nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit. Gazeta në fjalë e ilustron shkrimin me një foto të Edi Ramës me Ursula von der Leyen në samitin e Tiranës mbajtur në fund të vitit që shkoi, një aspekt propagandistik ky që përcjell mesazhin e rremë se njeriu më europian në Ballkanin Perëndimor është në Tiranë.

Editoriali është pesimist dhe paradoksal. Pesimist sepse sheh te relacionet aktuale mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor një problem të trashëguar që në kushtet e reja politike të Europës, me fitoren e partive kundër imigracionit dhe antisilamike në Francë dhe Hollandë, thellohet edhe më tej. Paradoksal sepse apeli vjen nga një gazeta britanike, vend që i ktheu kurrizin BE-së. Rimerret si rrezik kryesor atë rus, me lëvizjet në Bosnje dhe Kosovë, ndërkohë që nuk harron të vërë në dukje se edhe i Dërguari i Gjermanisë në Bosnje, Christian Schmidt “ka nisur të bashkëpunojë me axhendën secesioniste të përfaqësuesit serb, Milorad Dodik”, një problem ky serioz që ka të bëjë me divergjencën e interesave brenda vetë unionit.

Problem tjetër është edhe ndikimi kinez në rajon përmes investimeve të ndryshme, çka na bën të kuptojmë këtu se Europa ka një problem të madh me të kuptuarin e botës ku jetojmë. Ballkani do të hyjë në BE, Europa nuk e di nëse e do atë në gjirin e vet, ndërkohë që nuk do që dikush tjetër të vijë këtu.

BE-ja ka ende mundësi të ushtrojë ndikim si dhe të bëjë gjërat si duhet duke prapësuar vitet e mohimit. Shkurtim i afateve të pranimit dhe akses më i madh në tregun e BE-së. Në këmbim të progresit mbi çështjet si korrupsion, sundimi i ligjit dhe liria e shprehjes, një qasje me të vërtetë angazhuese mund të gjenerojë vullnetin e mirë të domosdoshëm për të çmobilizuar tensionet rajonale

shkruan gazeta ndër të tjera.

E thënë ndryshe, BE-ja duhet të hyjë në një pozicion të ri negociimi me vende si Shqipëria për ta bërë anëtarësimin më të kuptueshëm dhe më të prekshëm. Apeli për luftë kundër korrupsionit me foton e Edi Ramës në krye të editorialit shndërrohet në një lloj talljeje me veten pasi nëse z. Rama është i ndershëm në kulm, Shqipëria politike dhe administrative që i drejton, nuk është.

Nëse lufta ndaj korrupsionit po bëhet tashmë imperative global, kur vjen puna te vende mjerane si këto tonat, do të bënin punë gjestet. P.sh arrestimi i një ministri, dënimi i një tjetri, duhen njohur si akte me vlerë nga BE dhe përkundrejt tyre të ofrohet kompensimi në proces. E kundërta, nëse nuk ka asnjë hap, atëherë të merren masa dhe të bëhet deklarimi publik i tyre. Le të bëjë edhe Europa pikëzimin për çdo qeveri, meqenëse tashmë askush nuk beson më të gjithë dhe të gjithë nuk i referohen më asnjë narrative.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.