Do votoj Hajdutin që dua

Postuar në 11 Janar, 2023 22:12

I mbani mend audiot e dala nga një mbledhje e drejtuar nga kryeministri Rama për “drejtorët që na nxjerrin bojën”? Me siguri që po. Ishte një paketim propagandistik për të thënë se kryetari kërkonte vigjilencë. 

Mirëpo kjo është si t’i shkelësh syrin vetes, sepse ata që të nxjerrin bojën janë aty me sa duket sepse siç tha z. Rama në një nga kongreset e PS-së: 

Juve me mua nuk ju doli keq

Nëse z. Rama do kërkonte një “kohë të vetën” në historinë politike të këtij vendi, kjo do të ishte koha e një korrupsioni të paimagjinuar në banalizimin që i bëri atij farë shteti që kishim. 

Të gjithë e kanë patur të ashtuquajturën “kohë” të tyre të përkufizuar nga dukuri dominuese, nga metoda qeverisjeje, nga karakteri publik e kështu me radhë. Berisha identifikohet me ShIK, Gërdec, 1997, 21 janar e rrugën Durrës-Kukës. Mjaftueshëm për të përmbledhur një kapitull historie. 

Z. Rama po na shërben një kohë të vetën, ku karakteri i tij projektohet në mënyrën si qeveriset. Drejtorët që i nxorën bojën nuk po kanë të mbaruar. Sot u arrestuan tre në Ministrinë e Financave, patjetër që janë të prezumuar. Por ja që z. Rama edhe tuiterat i ka të kalibruar: një herë flet e një herë hesht. 

Megithatë sot, pas 10 vjetësh në krye të vendit ne dimë se nuk ka statistikë të na bindë se Shqipëria nuk është për faqe të zezë, një vendstrehim i krimit. Ajo që shumë njerëz do të kishin kuriozitet të dinin është se cili sistem i kontaminoi këta drejtorë, ministra të cilëve sot z. Rama po u tregon derën e ligjit e të përgjegjësisë personale? 

Sistemi 30 vjeçar i korruptoi këta? Po në këta 10 vjet çfarë ka ndodhur? 

Mundet të ketë shumë përgjigje për këtë pyetje, që mund të jenë komplekse. Megjithatë nëse vota është një sintezë perceptimesh ne kemi gjithë të drejtën të themi sot se “vëllezërit shqipfolës socialistë” tashmë me siguri do ta dinë se të paktën që këtej e tutje po votojnë ca hajdutë të kapur publikisht, jo dashnorët e përparimit. Në kuptimin që modeli që i drejton çon në mënyrë sistematike në thellim korruptiv. 

Kaq përultësi ndaj të vërtetës fiziologjike të tyre duhet ta kenë që edhe votën ta japin pa ecur me Saliun armik në mendje. Se po kapim 2050-ën avash avash. 

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Problemi eshte se pushtetin nuk duhet ta humbin socialiste. Pushtetin duhet ta fitoje e djathta, qe sic duken bathet e priftit nuk ka gjasa te ndodhe. Sepse nuk perfaqeson alternative. Nuk bind njeri.

Submitted by redaksia on

Absolutisht qe po. Por nese ai qe thoni Ju eshte "problemi", Çeshtja eshte se cila alternative po vazhdon te binde socialistet te cilet ne fakt mbajne peng vendin me nje prerogative.demokratike si vota. Votojne duke u hequr sikur nuk e dine se cfare. 

Submitted by Heu bre (not verified) on

A e nd’ive moj halle sa bukur e tha : Vëllezërit shqipfolës socialistë

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.