Pazari i Shkupit në Tiranë

Postuar në 10 Janar, 2023 18:30

Në media të ndryshme të rajonit po flitet së fundmi për ftesën që z. Rama, kryeministër i Shqipërisë i ka dërguar krerëve të partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Ftesa siç është vënë në dukje vjen në një kontekst të ndezuar të brendshëm të Maqedonisë së Veriut, një vend me dinjitet të copëtuar brenda një harte politike që sa vjen e humbet kuptimin e vet. Diskutimi që po bëhet për përfshirjen në preambulën e Kushtetutës të pakicës bullgare përbën një rast flagrant të handikapit që përfaqëson tashmë e drejta e vetos në BE për vende aspirante. Ndaj Shkupit u vu një veto 30 vjeçare nga Greqia për emrin, tashmë vjen Bullgaria që kërkon pakicën e vet, e bashkë me të sigurisht edhe Kishën.

Siç mund të merret me mend, në një vend kaq të ndërlikuar etnikisht, problemi bullgar paraqitet jo më si numerik, as thjesht si cilësues kushtetues i një pakice, por si identitar, pasi pretendimi 30-vjeçar i maqedonasve, vetë ky emërtim madje lidhet ngushtë me dallimin me bullgarët.

Në këto rrethana, deklarata e z. Rama e 14 nëntorit 2022 në prani të kryeministri maqedonas në Tiranë, se për pakicat Maqedonia e Veriut duhet të ndjekë shembullin e Shqipërisë tingëllon si krekosje e një kodoshi që luan shumë pisët. Nëse puna do të ishte kaq e thjeshtë dhe nëse popujt do të funksiononin me regjimin e shqiptarëve që heshtin edhe kuru a shpikin një pakicë, atëherë po, kjo e Ramës do të kishte kuptim. Narrativa europiane ngec keq në këtë kontekst, sidomos kur kërkon të imponohet, sepse Europianizmi apo Europa po paraqitet këtu gradualisht si një besim që ka nevojë për proselitë.

Ftesa është asgjë më shumë sesa një politikë marketingu e z. Rama që po do t’I thotë Europës dhe miqve të vet bullgarë se me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut merrem unë, ndërkohë që konsumon një ndërhyrje të pastër në punët e brendshme të një vendi. Europa e Lirë citonte sot një analist maqedonas, Petar Arsovksi, sipas të cilit loja e Tiranës është asgjë më shumë sesa një përpjekje për të ruajtur shumicën parlamenatre në Shkup.

Thënë kjo, rasti në fjalë është i dyti që i njëjti njeri kryen një hap të tillë: në vitin 2017, takimi i Tiranës i partive shqiptare të Maqedonisë orientoi votën e tyre kundër Nikolla Gruevksit, rrëzuar nga qeverisja jo me votë mazhoritare, por me lënie në baltë nga profesionisti i këtij zanati, Ali Ahmeti dhe marifetet kushtetuese që vunë në krizë vendi. Në mes qëndronte z. Rama i cili mori atë rol që mori i vetëdijshëm se opozita e Zoran Zaevit po vinte në pushtet duke përdour përgjime të servirura nuk dihet se prej kujt. Po kështu asnjë fjalë nuk kemi deri më sot për ngjarjet e Kumanovës, për të cilat z. Rama kërkoi hetim ndërkombëtar.

Vijmë në momentin e tanishëm që pikërisht për shkak të kësaj historie të shkurtër që sipërcituam na parathotë se për çfarë është: partive shqiptare po u kërkohet të mbajnë qëndrimin që sugjeron dikush në Tiranë. Përtej ndikimeve negative që ka një rol i tillë i pamatur në proceset e një vendi dhe në qëndrimin e një pjese të popullsisë së atij vendi me shqiptarët, ne mund të kuptojmë këtu fare qartë se pse Maqedonia e Veriut e Zaevit shkoi në Novi Sad për Open Ballkan, apo Minishengenin. Një qeveri patericë, peng i matematikës parlamantare, i nevojës për të korrigjuar defektet logjike në narrativën e vet me një aktor të jashtëm, ndërkohë që meriton vëmendje edhe një dallim tjetër: të majtët e Shkupit preferojnë të negociojnë me Tiranën për qeverisjen me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. VMRO-DPMNE e Gruevksit në fakt negocionte vetë dhe ky përbën një fakt që flet shumë.

Rezultati? Paqja, stabiliteti, qetësimi? Me shumë gjasë jo, pasi ne kemi përvojën për të kuptuar se atë që prek kryeministri i Tiranës e zë nëma e kohës sepse nuk kemi të bëjmë me politikë të mirëfilltë, por me hiletë e zakonshme publicitare dhe të korridoreve. Nuk po ecin në Kosovë, kalohet në Maqedoninë e Veriut, një vend që është debitor strategjik për ekzistencën e vet ndaj shumë aktorëve.

Ajo që të çudit ende në këtë që shohim është se për të njëjtën analogji me pakicën greke, z. Rama rendi pas Mitsotakisit në Dropull, por nuk u duk në Himarën e shpallur minoritet, një dyfytyrësi kjo që nuk ka në fakt asnjë pasojë, por që zbulon sesi komandohet dhe drejtohet në këtë vend.

Të çudit po ashtu edhe provincializmi politik i krerëve të partive shqiptare në Maqedoni, që tubohen në Tiranë sapo bie bilbili i dikujt që ka katandisur vendin e vet në pikë të hallit dhe që nuk ka ndonjë arritje në politikën e jashtme veç lulëzimit si shef i shtëpisë së pritjes së samiteve që megjithë vlerën e tyre dhe konsideratën simbolike për Shqipërinë dhe më thellë Ballkanin Perëndimor nuk ndryshojnë dot asgjë në thelb. Nuk ka arsye thelbësore politike për të krijuar këtë lloj vëllazërie pa kuptim të cilën e shohim në formën sektare te serbët e Kosovës, duke injoruar fakte më reale dhe me peshë si ato se shtëpitë, pronat dhe jeta e atyre njerëzve është e destinuar me sllavët fqinjë.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.