Anthony Hopkins - Përjetësisht i ri

Postuar në 10 Janar, 2023 15:31

Një njeri i pazakontë. I lindur në prag të Vitit të Ri të 1937-s në Port Talbot të Uellsit jugor, Sir Anthony Hopkins nuk i ngjan stereotipit të aktorit që kërkon verbërisht lavdinë në Hollywood. E kundërta. Deklaron se qysh herët, e dinte saktësisht se çfarë donte të bënte në jetë. Aktori i talentuar, ka shprehur, që gjithçka rreth karrierës së vet, u përcaktua nga takimi për herë të parë me aktorin uellsian Richard Burton. U takuan pas ndërmjetësimit të motrës së Burton. Ishte kliente në dyqanin e bukës, që kishin prindërit e Hopkins. Hopkins e përshkruan këtë takim si apokaliptik. “U takuam dhe pas kësaj e dija që desha të ikja nga Uellsi. Doja të bëhesha i famshëm”.

Ndonëse Hopkins pretendonte që s’kishte prirje në shkollē, në vitin 1955 fitoi një bursë për piano në Welsh College për muzikë e dramë në Cardiff. Pas shërbimit tre-vjeçar në ushtrinë britanike në artilerinë mbretërore, u pranua në Akademinë Britanike të Artit Dramatik. Në vazhdim, u trajnua nga ylli i skenës së teatrit britanik, Sir Laurence Olivier. Hopkins bëri debutimin e tij të parë në fund të dhjetëvjeçarit ‘60, në filmin “Autobusi i bardhë”. Pak më vonë erdhi dhe roli i parë në ekran. Trajektorja triumfuese e Hopkins në botën e teatrit, nisi në 1971, kur mori sferën në Çmimet e Kritikëve të Teatrit në Londër. Në 1974, Anthony Hopkins u martua me Jennifer Lynton. Bashkëshortja e parë ishte Petronella Barker, martesa e tyre zgjati pesë vjet dhe kanë një vajzë Abigail që lindi në 1968.

Herën e parë që Hopkins shkoi në bregun perëndimor të SHBA-së, qe i ekstazuar. Shkoi bashkë me bashkëshorten e tij të dytë, Jennifer. “Kurrë s’kisha parë diçka si Kalifornia”, thotë, “Vajza me këmbë dy metra. Shkoja çdo mbrëmje në restorantin e Dean Martin. I ktheja gotat e tekilës njëra pas tjetrës derisa bëhesha tapë”. Ikën nga Los Angeles për në Angli me shpresën që do të ktheheshin. U kthyen. Në Los Angeles Hopkins realizoi një seri filmash para se t’i jepej roli që i fali Oskarin, në filmin “Silence Of The Lambs”, 1991. Dhjetëvjeçari i 1990-s ishte triumfues. Përveç Oskarit që mori, ishte dhe tre herë të tjera kandidat për këtë çmim dhe në 1990 bëri debutin e tij si regjisor, Dilan Thomas (udhëtimi i kthimit). Mijëvjeçari u mbyll për Hopkins me dhënien e nënshtetësisë amerikane. U betua në një ceremoni të mbyllur, private, që u regjistrua me kamera nga Steven Spielberg. 

Në 2006-n, Hopkins u nderua me Çmimin Cecil DeMille në ceremoninë e Globit të Artë për kontributin e tij jetësor në kinematografi. Në vitin 2008 u bë anëtar i Akademisë Britanike të Kinemasë (BAFTA Fellowship Award). Nga 24 shtatori 2003, ka yllin e tij në Bulevardin e Lavdisë në Hollywood. Sot, Hopkins jeton me bashkëshorten e tij të tretë, Stella Arroyave. Vazhdon mos të ketë kontakte me vajzën e tij, aktoren dhe këngëtaren Abigail Hopkins. Tashmë, aktori uellsian jeton larg varësisë së alkoolit. Para pak kohësh festoi 45 vjetorin e detoksimit të tij. Në moshën 83 vjeçare, Anthony Hopkins shkruan kapitullin e tij në historinë e Oskarit. Është aktori më jetëgjatë që ka fituar çmimin e aktorit më të mirë me interpretimin e tij në filmin “Babai”.

https://fragilemag.gr/antoni-hopkins-isobia-neos/

Përktheu: Eleana Zhako

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.