Tri "Jo" për Veten
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka marrë në datat 10 tetor dhe 27 tetor tri vendime për kërkesat e tri ish-kandidateve për anëtare të kësaj gjykate. Dhe të gjitha i ka rrëzuar.
Në datën 10 tetor Gjykata Kushtetuese është shprehur për kërkesën e Dhimitrulla Spiros e cila ka kandiduar për gjyqtar në Kushtetuese në dy vende vakante të rishpallura nga Gjykata e Lartë më 3 qershor 2021. Znj. Spiro ka ngritur pretendime ndaj Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, nga të cilët vetëm ky i fundit ka paraqitur prapësime në seancë.
Gjykata thekson se kërkuesja pretendon se ndaj saj është zhvilluar një proces i parregullt ligjor që përbën një të drejtë themelore. Sipas znj. Spiro, ajo ka dorëzuar formularin e deklarimit të pasurisë që i ka ardhur pa vendim nga ILDKPI për shkak “të mangësive në dokumentacion”. 29 ditë më vonë, më 31 gusht 2021, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka vendosur ndalimin e kandidimit të saj për shkak se “kërkuesja nuk plotëson një prej kushteve ligjore për kandidim” e që është mosdorëzimi në afat i deklaratës së pasurisë. Spiro ka ankimuar në Gjykatën Administrative të Apelit, përmes të cilit kërkonte shfuqimin e vendimeve në fjalë, ankesë që i është rrëzuar. Çështja ka përfunduar me rekurs në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë, që nuk e ka pranuar kërkesën në dhomë këshillimi.
Paralelisht, znj. Spiro, ndërkohë që çështja po shqyrtohej në GJykatë të Lartë iu drejtua Gjykatës Kushtetuese më 11 mars 2022, me objektin e këtij vendim që shqyrtohet këtu, ndërkohë që më datë 17 maj, pra rreth një muaj pas ankimit të saj në Kushteuese, Gjykata e Lartë vendosi kalimin në shqyrtim paraprak në Mbledhjen e Gjyqtarëve.. Procedura është ndërlikuar nga largimet e disa gjyqtarëve nga shqyrtimi i çështjes për konflikt interesi, ndërkohë që Gjykata e Lartë vendosi më 24 maj kalimin në seancë plenare mbi bazë dokumentesh. Një muaj më pas, kërkuesja Spiro ka kërkuar përjashtimin e nga gjykimi i 3 gjyqtarëve të kësaj gjykate, kërkesë e konsideruar vetëm për një prej tyre, për shkak se dy ishin larguar vetë.
Për këtë gjyqtar kërkuesja ka pretenduar se ndodhet në rrethana ndaluese që e bëjnë të pamundur pjesëmarrjen e tij në gjykim, pasi ka qenë kandidat për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese në të njëjtën procedurë në të cilën ka kandiduar edhe kërkuesja. Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës, me vendimin nr. 11, datë 26.7.2022, ka vendosur ta rrëzojë kërkesën për përjashtimin e gjyqtarit nga shqyrtimi i kësaj çështjeje
citon Gjykata Kushtetuese.
Mbi këto rrethana proceduriale Spiro ka parashtruar ankesën në Kushtetuese e cila ndër të tjera ka vënë në dukje se:
vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit i datës 7.12.2021, që ka vendosur mospranimin e rekursit, nuk rezulton të jetë objekt kundërshtimi i ankimit kushtetues individual, prandaj ajo nuk do të analizojë pretendimet e kërkueses në lidhje me këtë vendim
duke vënë në dukje këtu një kontradiktë për shkak se kërkuesja ka deklaruar se mospranimi i rekursit nga Apeli është bërë në tejkalim të kompetencave.
Lidhur me pretendimin e procesit të parregullt ligjor, Gjykata Kushtetuese ka çmuar se argumenti i Spiros se ILDKPI dhe Gjykata Administrative e Apelit për çështjen e deklarimit të pasurisë nuk kanë mbajtur parasysh faktin se ajo i është nënshtruar në vijimësi për shkak të punës, kontrolleve pasurore, dhe kështu kanë shkelur parimin e prezumimit të pafajësisë nuk qëndron pasi:
ky parim në këtë procedurë nuk mund të gjejë zbatim si në procesin gjyqësor penal apo atë disiplinor, për shkak të natyrës administrative të saj. Për rrjedhojë,ky pretendim i kërkueses nuk është arritur të ngrihet në nivel kushtetues
Me të njëjtin kundërargument ka çmuar Gjykata edhe pretendimin e Spiros për cenimin e parimit të sigurisë juridike, që sipas saj nuk është ngritur në nivel kushtetues. Të njëjtën notë vendos Gjykata edhe për pretendimin për shkeljen e parimit të proporcionalitetit, për të shkuar në fund të arsyetimit së tërësia e interpretimit të bërë për “përplasjet me akteve normative” në rastin në fjalë nuk lidhen me ndonjë të drejtë kushtetuese.
Më datën 27 tetor, Gjykata ka marrë vendim për dy kandidatura të tjera për gjyqtar të saj, të Vjosa Bodos dhe Shaqir Hasanajt.
Bodo ka kandiduar për vakancën e shpallur nga Presidenti dhe në datën 17 korrik 2020 asaj i është ndaluar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi kandidimi. Ankimi në Apelin administrativ është rrëzuar dhe më 10 tetor ajo i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Më datë 16 nëntor 2020 dhe 11 janar 2021 dy gjyaqtarë të Gjykatës Kushtetuese kanë hequr dorë nga gjykimi për shkak të konfliktit të interesit. Kuorumi i humbur u bë i mundur vetëm me emërimin e një gjykatësi të ri dhe mbi këtë është marrë vendimi për kalimin në seancë.
Pretendimet e kërkueses lidhen me cenimin e të drejtës për proces të rregullt ligjor, cenimi i parimit të kontradiktoritetit pasi nuk është vënë në njohje të akteve zyrtare mbi të cilën KED ka bërë vlerësimin për të, cenimi I të drejtës për t’u gjykuar nga një gjykatë e paanshme për një pretendim për konflikt interesi në KED, pasi:
KED-ja i ka mohuar të drejtën për të paraqitur kërkesë për përjashtimin e anëtares së saj që shfaqte papajtueshmëri, në kushtet kur kjo anëtare kishte deklaruar ekzistencën e konfliktit të interesit me një ndër garuesit e tjerë për të njëjtin pozicion që ka konkurruar edhe kërkuesja
Po kështu znj. Bodo pretendon cenim të së drejtës gjykim brenda një afati të arsyeshëm, për fitimin e mjeteve të jetesës me punë të ligjshme, për t’u njohur me të dhënat personale.
Në vlerësimet e veta, Gjykata Kushtetuese kërkuesja ka shtreruar mjetet juridike me ankimin në Gjykatën Administrative të Apelit pasi për çështjen objekt në fjalë, ligji përcakton se vendimet e KED për vakancën në Gjykatë Kushtetuese ankimohen vetëm në një shkallë për t’i dhënë prioritet funksionimit të kësaj të fundit.
Gjykata rithekson se përfundimi i procesit në Gjykatën Administrative të Apelit nuk cenon të drejtën për një proces të rregullt ligjor, pasi shteti nuk ka detyrim të parashikojë më shumë se një shkallë ankimi, për sa kohë që ka një ankim në një gjykatë të parashikuar me ligj, në kuptim të nenit 43 të Kushtetutës, si dhe nenit 13 të KEDNJ-së…E drejta e aksesit në gjykata nuk është absolute dhe ajo mund të jetë objekt i kufizimeve, me kusht që të mos cenohet thelbi i së drejtës
shprehet ndër të tjera Gjykata,
Rasti i Hasanajt vjen në vështrim me të njëjtin pretendim si me Bodo, me dallimin se z. Hasanaj ka qenë shkarkuar nga detyra e gjyqtarit për shkelje disiplinore. Megjithatë, të paktën nga parashtrimi i bërë, në këtë rast, KED ka dhënë arsyetim për vendimin e ndalimit të kandidimit, duke krijuar idenë e dy standardeve. Në vështrim të vendimeve të marra, Hasanaj ka pretenduar se i janë cenuar parimi i mosdiskriminimit dhe barazisë para ligjit, e drejta për jetë familjare dhe profesionale, e drejta për t’u dëgjuar dhe parimi i kontradiktoritetit dhe i sigurisë juridike. Në thelb arsyetimi për refuzimin e kërkesës i është bërë Hasanajat me të njëjtin tekst si për Bodo, duke vënë në dukje se refuzimi për rekurs, nuk përbën shkelje pasi ky është parashikim ligjor.
Nëse merr të trija rastet, më kompleks ngjan ai i Spiros. Ndonëse cenimi i një të drejte është meritë e një shqyrtimi kushtetues, refuzimi për rekurs sillet në vëmendje këtu si zgjidhje emergjente për funksionalizimin e Gjykatës Kushtetuese. Çështja është se anullimi i instrumenti të rekursit si shkallë gjykimi nuk është vënë në diskutim si objekt ankimimi kushtetues më vete dhe nisur nga mënyra sesi Gjykata Kushtetuese vendos për këto dy raste, e ka të vështirë nesër që, në eventualitetin e një kërkese për të rivendosur rekursin në Gjykatë të Lartë edhe për vakancën e saj, të vendosë ndryshe.
Me anullimin e rekrusit eliminohet një mundësi më shumë gjykimi, në parim cenohet një e drejtë për t’i dhënë përparësi procedurës, diçka që vështirë se pranohet logjikisht. Ndonshta dy kërkuesit e fundit, duhet të kishin objekt tjetër kërkimi, por ajo që duket këtu është se një pjesë e gjyqësorit tashmë është në luftë kushtetuese me një pjesë tjetër. Dhe ai që humbet është ky i fundit dhe interesi publik, pasi përveç shpenzimit të energjisë, kemi të bëjmë edhe me korrozion të besimit.
s.zaimi
Add new comment