Dementia varet nëse lind i varfër apo i pasur

Postuar në 18 Nëntor, 2022 18:54

Një intervistë që merr formën e bisedës, është mënyra më e sigurt, që të nisësh rrëfimin. Sidomos, nëse kundruall teje ndodhet një ndër shkencëtarët më të mirë në botë. Neuroshkencëtari Jorgos Paksinos ka zbuluar dhe emërtuar më shumë zona në trurin e njeriut nga çdokush tjetër në histori (94 bërthama) dhe njeh që çdo gjë, madje edhe ndjenjat, rrjedhin e kontrollohen nga truri.

Por a është truri i vetmi që vendos? Genet luajnë një rol vendimtar apo ndikohemi dhe nga mjedisi ku rritemi? “Janë genet, por përmes mjedisit. Ndërveprojnë mes tyre”, përgjigjet. Dhe që ta shpjegojë më mirë, vendosi të shkruajë një histori. Një roman i mrekullueshëm, ku ndërthurren neurologjia, feja, morali, filozofia dhe mjedisi.

Mendoi s’e do ta shkruante për dhjetë vjet dhe i mori një njëzetvjeçar, që ta përfundojë. Sikurse thotë, shkenca i fali afirmim dhe të ardhura ekonomike, i përmbushi kërshërinë për domethënien e botës, por “nëse do të më pyesësh se çfarë konsideroj më të rëndësishme nga çfarë bëra, do të thosha protestat e mia për mjedisin”. Kështu, lindi ideja e romanit tim eco fiction “Amazoni brenda nesh”.

Mendova, që po të arrija të thjeshtëzoja dijet e mia, do të isha më produktiv. Deri në atë kohë, kisha dështuar të bindja përmes veprimit. Që nga protesta ime e parë në Montreal, në 1969, pro biçikletës dhe kundër makinës, dhe deri te kandidatura me partinë e çiklistëve në Australi, dështova kudo. Vetëm sivjet, u zhdukën 11 gjitarë dhe një lloj gjarpri. Po të qëndrosh para një peme, mund të shpëtosh pemën. Por, nëse arrin të ndryshosh sjelljen e njerëzve, ndoshta s’do të duan ta presin”.

Po të kisha lindur në një vend ku i vrasin gratë me gurë, do të kisha të njëjtin probabilitet të merrja edhe unë pjesë në vrasjen me gur. Kam studiuar trurin e njeriut, pra sjelljen e njeriut, dhe e di se sa e vështirë është të ndryshojë dikush qëndrim, dhe akoma më e vështirë të ndryshojë sjelljen e tij”.

Nga se rrezikojmë më shumë, nga luftrat, shkatërrimi i mjedisit apo nga truri ynë?

Gjëja më e rrezikshme që zotërojnë njerëzit nuk janë armët bërthamore, por një tru me mbetje nga periudha e zvarranikëve dhe ndjenja paleolike. Këto shkojnë bashkë. Australia është kontinenti i parë, që u prek ndjeshëm nga ngrohja globale pas zjarreve më shkatërrimtare në historinë e njerëzimit, por sërish nuk vuri mend. Nëse bashkon zjarret e Amazonit, të Kalifornias e Siberisë, nuk ua kalojnë zjarreve të Australisë. Australia vazhdon të jetë eksportuesja më e madhe e qymyrit ngjyrëhapur në botë.

Nëse ngritja e temperaturës kufizohet deri në 1,5 gradë, dhe nuk i kalon 2 ose 3 gradët, do të mund të parandalohet shkatërrimi i gjireve koralogjene. 1/3 e jetës detare varet nga koralet. Më pas, do të mbeten vetëm meduzat e peshqit e vegjël. 

Jeni pesimist?

Do të thosha, po. Shoh se si po shkojmë me shpejtësi marramendëse drejt shkatërrimit të mjedisit. Nëse zogjtë do të kishin të drejtë vote në Europë, nuk do zgjidhej asnjë qeveri nga Veriu në Jug. Pesëdhjetë vitet e fundit, 75% e shpendëve në Europë kërcënohet seriozisht dhe është reduktuar ndjeshëm popullsia e tyre. Do vijë një ditë, që pranvera do jetë e heshtur sepse nuk do të ketë zogj. Njerëzimi e ka mbivlerësuar trurin e njeriut. Mendojmë që është gjëja më e ndërlikuar në univers, por nuk jemi të vetëdijshëm për dobësitë e tij.

Sa është zhvilluar truri ynë përgjatë shekujve?

Truri ynë u formësua përmes kushteve mbizotëruese të çdo periudhe. Aborigjenët që kanë më shumë DNA të Denisovanëve (lloj prehistorik njerëzish i afërt me llojin e neandertalit) nga ne, hyjnë në universitete, nëse u jepet rasti. Por, nuk janë të shumtë ata që ia dalin mbanë, sepse jetojnë në varfëri. Parashikimi më i mirë për shfaqjen e dementias është vendlindja. Nëse do të shfaqet më herët apo më vonë, varet nga fakti i lindjes së dikujt në vend të varfër a të pasur. Aborigjenët shfaqin 11 vite më herët dementia nga australianët e tjerët dhe vdesin më shpejt.

Sa pjesë nga truri i njeriut janë identifikuar?

Tek urithët e minjtë që i studiojmë për një periudhë 40 vjeçare, kemi një pamje më të qartë. Përsa i përket trurit njerëzor, kemi bërë punë të mirë në pjesën e brendshme të trurit, por jo përsa i përket cipës. Nuk është i paeksploruar, i kemi hartat, por s’jemi të sigurt për kufijtë. Hartat anatomike përmirësohen vazhdimisht, por më e rëndësishmja është të zbulosh funksionin e zonave të ndryshme, që të ndihmojmë në terapinë e sëmundjeve siç janë epilepsia dhe Altzheimerit.

“Gjimnastika- mbrojtje ndaj dementias”. Ka progres në trajtimin e sëmundjeve neurologjike si dementia?

Neuroshkenca nuk ka gjetur formën e kurimit, por ka zbuluar si të ngadalësojë shfaqjen e saj. Ajo çka ndihmon është ecja, vrapi, vozitja, noti dhe biçikleta. Pra gjimnastika aerobike. Neuroshkencëtarët u detyrohemi shumë kardiologëve, sepse i mëshuan aerobisë për zemrën dhe kjo ndihmon edhe trurin. Ka edhe forma të tjera, si kontrolli i diabetit, i kolesterolit, ndalimi i duhanpirjes, i konsumit të lartë të alkoolit, ushqimi i mirë dhe çfarëdolloj gjëje që dëmton kokën e njeriut. Boksierët paraqesin rrezik të lartë, ekziston një term shkencor për dementian e boksierëve (dementiapugilistica). Gjithashtu, ndotja e mjedisit ndikon mbi dementian, por edhe kushtet e jetës më gjerësisht.

 Nëse një grua shtatzanë shfaq diabet, do të jetë në gjendje ta ketë nën kontroll, nëse do të ketë mundësitë financiare dhe akses në kurimin mjekësor. Por, nëse njerëzit besojnë që në kohën tonë ka rritje të rasteve të dementias në krahasim me të kaluarën, nuk është e vërtetë. Thjesht, jetojmë më tepër vite. Me plakjen, reduktohet truri i njeriut. Një ndër dy të moshuar pas moshës 85 vjeçare është me dementia ose në fillim të dementias.

“Nuk besoj se robotët do arrijnë ndonjëherë të kenë ndjenja”. Mendoni se do të vijë koha kur robotët do të kenë tru dhe ndjenja?

Sado që të besoj në materie, ajo çka thonë shkencëtarët e robotikës, që një ditë robotët do të kenë ndjenja, nuk e besoj. Deri tani nuk kam parë asnjë Macintosh të dashurojë një IBM apo një Macintosh tjetër. Ekziston diçka te kafshët, që quhet ndërgjegje. Robotët sado të ndërlikuar që të jenë, nuk kanë atë që madje edhe një mi ndjen ndaj fëmijës së vet. Shimpazeja që nuk ndryshon nga njeriu përsa i përket strukturës së trurit, vetëm përmasat ndryshojnë, e njeh veten. Nëse i mbyll gojën me një shirit dhe e sheh në pasqyrë, do ta heqë.

“Dashurojmë me trurin tonë”. Mbaj mend kur shkova një Shën Valentin për t’i blerë të dashurës sime një kartolinë. Gjeta kartolina pa fund, të gjitha me zemra, s’kishte asnjë me trurin. Shkrova një shkrim “Jeta ime, të dua nga thellësia e trurit tim”. Një gazetare në Melburn e lexoi dhe më mori në telefon. “Pretendoni që dashuria s’ka të bëjë fare me zemrën?”. Iu përgjigja, që nëse gjatë një transplantimi do të merrja zemrën e saj, nuk do të dashuroja burrin e saj. “Sa keq”, më tha, “dhe është njeri kaq i mirë!”. Nëse ndërmendesh se ku ndodhet mendja, “shpirti”, që thoshin dikur, ndonëse asnjë akademik psikolog nga vitet ‘30 e më pas nuk e përdor këtë fjalë, edhe nëse ke dyshim se nga buron ndjenja, të mos kesh. Gjithçka ndodhet në tru.

Jorgos Paksinos lindi në vitin 1944 në Itakë. Është pedagog i Shkencave Mjekësore në Neuroscience Research Australia dhe në Universitetin e Uellsit jugor. Ka botuar 58 libra.

Burimi: briefingnews.gr

Përktheu: Eleana Zhako

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.