E ndarë

Postuar në 16 Nëntor, 2022 17:20
Intervistoi: Skerdilajd Zaimi

 

Çfarë po ndodh në SHBA? Në sistemin e vet politik të dominuar nga një polarizim i momentit lidhur me figura si Donald Trump, por edhe me qasje revizioniste apo radikale ndaj historisë. Në një intervistë për ResPublica, Ernest Nasto, njohës dhe studiues i marrëdhënieve politike në SHBA, komenton atë që ndodhi me zgjedhjet e fundit dhe faktin kryesor të jetës publike amerikane: Ndarjen e shoqërisë. Një ndarje që priret jo vetëm të rishikojë aspekte të ndryshme të relacioneve dhe nocioneve të ngulitura, por edhe të destabilizojë një narrativë bazë për vetë SHBA.

Komenti mbi Amerikën, nëse mund të shprehemi kështu, ka rëndësi jetike për gjithkënd, pasi megjithë problemet e mëdha dhe shumë serioze, tjetërsimi politik i saj, do të reflektojë në mbarë atë që quhet qytetërim perëndimor.

Z. Nasto, dëshiroj ta nis këtë intervistë me një pasazh nga një shkrim juaji i para zgjedhjeve të tanishme në ShBA: "Le të shpresojmë se zgjedhësit, duke ushtruar masivisht të drejtën e votës, s’do të lejojnë që revolucionarët e rinj të shkatërrojnë shpirtin dhe idenë amerikane". Në këtë kuadër, çfarë konfirmuan zgjedhjet me rezultatin e tyre?

Mendoj se tipari më i dukshëm i këtyre zgjedhjeve ishte vërtetimi edhe një herë në praktikë i faktit që elektorati në Shtetet e Bashkuara është i ndarë pothuaj saktësisht në mes, d.m.th. 50 përqind me 50 përqind, ndërmjet dy partive kryesore, republikanëve dhe demokratëve. Dihet që demokratët siguruan përsëri kontrollin e Senatit, ndërsa rezultati përfundimtar për Dhomën e Përfaqësuesve ende s'ka dalë. Republikanët pritet ta marrin kontrollin e saj me një shumicë të ngushtë, gjë që do të konfirmojë përsëri atë që qendra është dobësuar e holluar së tepërmi për shkak të polarizimit të theksuar të shoqërisë amerikane. Sa për revolucionarët e të dy skajeve, në këtë rast humbën ata të krahut të djathtë, kështuqë shpresojmë që reflektimi të fillojë, e bile ka filluar, nga ana e partisë republikane. Dhe për shkak të disa dinamikave të brendshme të veçanta të asaj partie, që do t'i shpjegoj më poshtë, ka shumë gjasa që pas dy vjetësh të shohim një konfigurim te ri të peizazhit politik dhe një tërheqje të ekstremit të majtë.

Për ta interpretuar në një sens më strikt elektoral: në mediat që vetëkarakterizohen si liberale ka një përpjekje për të tregtuar idenë se "vala e kuqe u ndal", duke nënkuptuar se "lajmi i këtyre zgjedhjeve" ishte mos-suksesi i republikanëve. Në fakt është kështu?

Po, është e vërtetë se rezultati për republikanët ishte tepër zhgënjyes, sepse s'u realizua aspak parashikimi i fitores së tyre të thellë. Ky parashikim bazohej në faktorë si inflacioni dhe rritja e kostos së jetesës apo niveli i ulët i popullaritetit të presidentit Biden, pasqyruar në sondazhet e shumta të kryera për muaj me rradhë e deri në pragun e zgjedhjeve, të cilat dolën sërish krejt të gabuara. Por nga ana tjetër është po aq e gabuar ta deklamosh rezultatin si "fitore të madhe të demokracisë" siç po bëjnë një numër ekspertësh apo mediash të krahut pro-demokrat.

Nga republikanët mendoj se kryesorja ishte paaftësia për t'u shkëputur nga qerrja tashmë e thyer e Donald Trump, sepse nuk diskutohet fakti që partia e tyre është mbizotëruar nga trumpizmi. Këtu s'e kam fjalën për politikat konservatore apo të së djathtës në përgjithësi, të cilat ai zbatoi gjatë presidencës së tij dhe të cilat janë popullore edhe sot, por për ndikimin e tij si person dhe si karakter. Duhet theksuar se çdo veprimtari e tij publike ka për objektiv vetëm interesin e tij, vetëm Trump dhe asgjë tjetër, dhe efektet e mundshme pozitive janë thjesht koincidenca. Bëhet shumë e vështirë kësisoj ngritja e një lëvizjeje politike mbi këtë bazë, sepse përkrahës do të jenë vetëm ata që admirojnë atë si person, si lider absolut të një kulti klasik individi.

GOP(Grand Old Party) pagoi një çmim të lartë duke u lidhur pas tij e duke adoptuar tonin e tij ankues e qaraman, me vështrimin e gozhduar prapa, në zgjedhjet e 2020. E them këtë sepse e djathta ka ide mjaft pozitive si p.sh. theksimin e rolit të përgjegjësisë individuale në arritjet e çdo anëtari të shoqërisë, mbajtjen nën kontroll të shpenzimeve qeveritare dhe të shpërdorimeve përkatëse, mbrojtjen e industrisë amerikane dhe ndëshkimin e kompanive që transferohen jashtë vendit, respektin për historinë amerikane, për traditat e konsoliduara rreth martesës e familjes, për ligjin e rendin publik, për konceptin filozofik të së vërtetës absolute dhe asaj natyrore rreth seksit e gjinisë etj. Të gjitha këto kanë qenë baza e suksesit të deritanishëm të qytetërimit perëndimor dhe vazhdojnë të jenë tërheqëse e me plot kuptim edhe për amerikanin e sotëm. Nëse ato nuk çohen në ekstrem, mund të jenë fare mirë baza e një lëvizjeje konservatore po aq të suksesshme. Mirëpo këtë radhë, përkundrejt gjithë këtyre pikave të forta, theksi u vu tek ankimet e tipit "na vodhën", "na e punuan", etj që në fund të fundit mbeten një argument tepër i dobët. 

Ndërkaq për Partinë Demokratike pasoja më negative do të jetë vetëkënaqësia për shmangjen e shpartallimit qe pritej dhe mungesa e çdo reflektimi serioz për rolin e ekstremit të partisë së tyre, revolucionarëve të majtë, me ide e politika që revoltojnë gjysmën e amerikanëve. Kjo po bën që presidenti Biden ta shohë veten si të pazëvendësueshëm, ai ka përmendur shpesh mundësinë e rikandidimit në zgjedhjet presidenciale të 2024 kur të jetë 82 vjeç, duke u bllokuar kështu rrugën kandidatëve me të rinj. Rrjedhimisht ndër rrethet demokrate kanë filluar të diskutohen skenarë të ndryshëm për t'ja ndryshuar mendjen.

Debati mbi Trump dhe DeSantis a është i ekzagjeruar duke qenë se aktualisht këto zgjedhje nuk i paqtojnë ShBA?

Dalja në plan të parë e debatit në fjalë është një përfundim tjetër kryesor i zgjedhjeve dhe lidhet me dinamikat e reja brenda GOP që përmenda më lart, një aspekt ku parashikimet u realizuan. E them këtë sepse duheshin dy kushte për të përcaktuar dinamikën e re: e para, që kandidatët e Trump dhe MAGA të dilnin me rezultate të dobëta, dhe e dyta, guvernatori Ron DeSantis ta fitonte me rezultat të thellë garën e rizgjedhjes në Florida. Të dyja këto u realizuan, gjë që do të thotë se DeSantis është tashti ylli i ri i republikanëve, ndërsa Trump po perëndon, duke vulosur po ashtu edhe disfatën e revolucionarëve trumpianë të ekstremit të djathtë.

Kjo sjell si pasojë që debati ndërmjet këtyre dy personaliteteve të jetë vërtet real dhe jo i egzagjeruar. Arsyeja është se një program i shëndetshëm konservator sipas parimeve që përmenda më sipër mund të këtë shans realizimi vetëm nëse Trump hiqet mënjanë dhe i hap rrugën DeSantis, që partia të bashkohet rreth këtij të fundit e të vazhdojë në njëfarë mënyre politikat trumpiste pa Trump. Mirëpo koncepti i "heqjes mënjanë" për hir të një objektivi më të lartë (p.sh. interesi i partisë, i lëvizjes konservatore, apo i krejt vendit) është thjesht i panjohur për Donald Trump, nëse ajo nuk i sjell atij vetë përfitimin më kryesor dhe më të drejtpërdrejtë.

Kjo s'vonoi të shihej menjëherë pasi filluan të mbërrinin rezultatet e para rreth paraqitjes së vajtueshme të kandidatëve MAGA, kur ish-presidenti iu vërsul me një seri nofkash negative rivalëve të tij të mundshëm, duke i quajtur "humbës" e duke futur këtu edhe figura të tilla super-besnike të tij si ish-zëdhënësja McEnany. Mëkati i kësaj të fundit ishte vetëm këshilla për ta shtyrë "vendimin e madh", të premtuar për më 15 nëntor, për pas 6 dhjetorit, dita e balotazhit në Georgia për postin ende të papërcaktuar të senatorit.

Një zgjidhje e tillë konstruktive, me largimin e Trump nga skena, do të ishte padyshim më e mira sepse do t'u siguronte republikanëve avantazhin më të madh të mundshëm për 2024, kur një fitore e DeSantis do të sillte njëkohësisht edhe disfatën e revolucionarëve të krahut të majtë. Në mungesë të kësaj zgjidhjeje përplasja ka vetëm 2 opsione, i pari ndër të cilët është që DeSantis të pranojë të bashkohet me Trump, p.sh. si zv.president, dhe të provojë shansin e tij pas 4 vitesh të tjera, më 2028. Kjo do të shoqërohej me situata të turbullta për vendin, sepse prania e vazhduar e Trump do të largonte një numër të moderuarish dhe do ta bënte të vështirë fitoren më 2024, sipas asaj që pamë në garën për senatin në Georgia në janar 2021 dhe në zgjedhjet që sapo mbaruan.

Opsioni tjetër, më negativi për republikanët dhe për vendin, do të ishte një përleshje e stërzgjatur Trump - DeSantis, ku ata do të vazhdonin të masakronin njeri-tjetrin dhe të tërhiqnin partinë dhe tërë politikën amerikane thellë e më thellë në batak

Z. Nasto një dukuri që vihet re shumë është polarizimi i medias, që po ecën përherë e më shumë drejt shtratit të propagandës. Pse është bërë kaq e padurueshme status quo në ShBA?

Polarizimi i medias është vërtet një dukuri shqetësuese dhe duhet të shihet si një nga shkaqet përcaktuese të polarizimit të shoqërisë në përgjithësi. Këtu ndikojnë faktorë të ndryshëm që janë theksuar mjaft në vitet e fundit, por duhet veçuar sidomos shumëfishimi me shpejtësi marramendëse i burimeve të informacionit dhe aksesi masiv në të që u mundësua nga dalja e rrjeteve satelitore, modelit "talk show" në radio dhe më në fund edhe nga interneti. Fatkeqësisht, dhe në kundërshtim me ç'pritej, kjo nuk solli ndonjë përmirësim të perceptimit të politikave nga ana e publikut, sepse krahas shtimit të burimeve të fushës politike u shtuan në mënyrë galopante edhe burimet që merren me dietat, mbajtjen e trupit në formë, gatimin, kacavjerrjet në pemë, jetën seksuale të delfinëve, thashethemet rreth artistëve e VIP-ave të tjerë e kështu me radhë, pra ajo që quhet "kardashianizimi" i informacionit.

Gjithashtu shumëllojshmëria dhe "demokratizimi" i informacionit nuk çoi në një kuptim më të mirë të "tjetrit", pra në afrim të pozicioneve politike, siç mund të mendohej. Përkundrazi, një studim i vitit 2018 tregoi qartë se sa më i madh të ishte konsumi i lajmeve politike, aq më i madh ishte edhe perceptimi i gabuar i kundërshtarit, prej ku edhe ashpërsimi, dhe jo zbutja, e debateve e polemikave publike. Një pasojë tjetër, po aq negative, ishte edhe rritja e ndjeshme e ndikimit të asaj pjese të publikut me prirje antisociale (rreth 3-4 përqind e popullsisë), pjesë e cila kushtëzon për rrjedhojë edhe sjelljen e të tjerëve. Ajo vepron kësisoj si një lloj i ri "ndotjeje", pra ndotje e fushës së diskursit publik, ku efekti i saj bëhet kësisoj tepër i fuqishëm.

Mund të thuhet pra se përhapja kaq masive e informacionit "në majë të gishtave" dhe me kosto të ulët ka shkaktuar ndryshime të ndjeshme të sjelljes së njerëzve në shoqëri, pasojat afatgjata të të cilave sapo kanë filluar të studiohen dhe nuk duken të jenë pozitive. Por në përgjithësi duhet mbajtur parasysh edhe mënyra se si prodhohen apo raportohen lajmet, sepse motivi kryesor s'është "përmirësimi i funksionimit të demokracisë" siç mund të mendohet ndonjëherë. Publiku kërkon të informohet, të zbavitet apo thjesht të largojë mendjen nga rutina e përditshme, gazetarët e reporterët kërkojnë të bëjnë përpara në profesionin e tyre, ndërsa pronarët e mediave kërkojnë rezultate të mira financiare. Lajmi është pra produkt i bashkëveprimit të gjithë këtyre faktorëve, dhe jo i dëshirës për të përsosur demokracinë. Kjo mund të ndodhë, dhe është mirë të ndodhë, por s'është shtysa primare për nxjerrjen e lajmeve. Dhe po ky bashkëveprim e bën më të lehtë, në kushtet e reja, që media të zhvendoset, ku më shumë e ku më pak, drejt propagandës.

Për t'iu referuar sërish shkrimit tuaj: duket se ndarja ka rrënjë historike siç kanë të gjitha ndarjet në fakt. Ajo që dua të pyes është se si shpjegohet që Historia vjen e shndërrohet në autoritetin e vetëm të debatit kombëtar në një vend të suksesshëm dhe me histori të paprecedent të atij që quhet suksesi i Lirisë?

Debate të mëdha po zhvillohen sot në fakt rreth historisë amerikane, gjë që nga njëra anë thjesht pasqyron atë që historia, si themeli i çdo kombi e qytetërimi, është e vetmja bazë për reflektim e për të nxjerrë mësime, qoftë pozitive apo negative, rreth së ardhmes. Por në Amerikë unë këtë e shoh si një pasojë të përhapjes së ideve nihiliste të së majtës moderne të cilat i kam shtjelluar edhe më parë në media të ndryshme. Ajo po kritikon në mënyrë aspak konstruktive historinë e krejt qytetërimit perëndimor, rrjedhimisht themelet e atij qytetërimi. Dhe në këtë kuadër debati rreth historisë në Shtetet e Bashkuara është shprehja më e mprehtë e këtyre kritikave, sepse për një kohë të gjatë disa aspekte kryesore të shoqërisë amerikane kanë qenë në kundërshtim të hapur me parimet themeluese të vendit.

Kështuqë edhe vetë liria është luhatur ndjeshëm në një diapazon të gjerë: mjaft e lartë në nivelin individual, por e kufizuar në shkallë shoqërie nga aspektet në fjalë si skllavëria, diskriminimi racor apo pabarazia e theksuar ekonomike. Duke përfituar nga kjo kontradiktë, ekstremi i majtë shpall se e tërë historia është vetëm errësirë dhe tmerre, dhe refuzon të pranojë se Amerika e sotme mund të vetëkorrigjohet e t'i shpëtojë së kaluarës, të paktën jo pa ndryshime revolucionare. Dhe ekstremi i djathtë, si reagim, shpall admirimin për Amerikën e kaluar dhe e sheh të sotmen si tërësisht të kapur nga majtistët e që s'mund të shpëtojë nga rrënimi i afërt, të paktën jo pa ndryshime revolucionare.

Pse është e pamundur që demokracia dhe liria, paradigma të asaj që është quajtur "ëndrra amerikane" nuk po mjaftojnë për të definuar të ardhmen e ShBA?

Këtu i rikthehemi asaj që të dyja këto paradigma mund të jenë krejtësisht të mjaftueshme nëse të dy partitë ndahen vendosmërisht nga ekstremet dhe lëvizin drejt qendrës duke rikthyer modelin e dikurshëm të qeverisjes me kompromis. Për këtë konservatorët duhet të zhvendosen majtas në fushën ekonomike dhe të bëjnë të mundur miratimin e politikave publike me efekt uljen e pabarazisë, si p.sh. lejimin e rritjes së taksave mbi kompanitë dhe miliarderët, por kuptohet duke ushtruar presion për përdorimin me efektivitet të fondeve shtesë.

Nga ana tjetër, liberalët duhet të zhvendosen djathtas në fushën sociale e kulturore dhe të bëjnë të mundur miratimin dhe zbatimin e praktikave që tregojnë respekt më të madh për ligjin dhe rendin publik, për policinë, për kontrollin ndaj imigracionit, për normat tradicionale lidhur me martesën, abortin, seksin e gjininë, si edhe ndaj historisë amerikane në përgjithësi.

Dhe të dyja këto kërkojne një qëndrim më dashamirës ndaj rolit të qeverisë e të autoritetit publik, sepse në një demokraci ato supozohet të jenë shprehëse të vullnetit të popullit. Kjo mund të jetë aspekti më i vështirë për arsye se bie në kundërshtim me traditën amerikane dhe po ashtu pengohet edhe nga modeli i mediave që thamë, por në fund të fundit s'ka pse të jetë e paarritshme.

Kush po e drejton sulmin ndaj lirisë?

Mendoj se ajo që është më tepër e kërcënuar sot në Shtetet e Bashkuara është liria e fjalës për konservatorët, sidomos në kampuset universitare. Ka pasur një sërë rastesh kur personalitete të së djathtës, të ftuar për veprimtari të ndryshme në ato kampuse, janë gjendur përballe protestave të shumta që kanë detyruar autoritetet t'i anullojnë fare veprimtaritë. Kemi pra ushtrimin e një lirie themelore, asaj të protestës, për të kufizuar një liri tjetër themelore, atë të fjalës së lirë. Kjo tregon se e majta, që flet pareshtur kundër shtypjes "sistemike" ndaj kategorive të paprivilegjuara, s'e ka problem t'u kufizojë lirinë e fjalës, pra "të shtypë" kundërshtarët e saj.

Ndërsa nga ana tjetër e djathta që flet pareshtur për mbrojtjen e lirisë dhe të së vërtetës, s'e ka problem të sulmoje integritetin e institucioneve demokratike, siç kemi parë të bëjë levizja trumpiste gjatë presidencës së tij e sidomos pas zgjedhjeve të vitit 2020. Kjo nuk mund të mos çojë në humbje të besimit ndaj institucioneve, duke i dobësuar ato e duke kërcënuar për rrjedhim edhe liritë që ato duhet të mbrojnë.

Në kushtet që jemi është i logjikshëm procesi i një shndërrimi sistemik pas ndryshimeve strukturore të të gjitha llojeve. Cilat janë sipas jush ndryshimet e pashmangshme që po ndodhin?

Mendoj se ndryshimi më i kryesor që po ndodh në shoqërinë amerikane është ai demografik, pasoja më e drejtpërdrejtë dhe më e dukshme e dukurisë së globalizimit. Fakti është se asnjë demokraci e pasur e tipit perëndimor s'ka përjetuar deri tashti një ndryshim si ky që po ndodh në Shtetet e Bashkuara. E kam fjalën për rënien e shpejtë të popullsisë së bardhë me prejardhje anglo-saksone dhe besim protestant (WASP), grupit historikisht mbizotërues të popullsisë, që shoqërohet detyrimisht edhe me humbje të ndikimit politik.

Pakicat e deritanishme po kërkojnë intensivisht të drejta dhe barazi praktike në të gjitha fushat, në një kohë që popullsia e bardhë pritet të kalojë në pakicë brenda 25-30 viteve të ardhshme. Kjo sjell patjetër edhe tensione të shumta, ilustruar p.sh. nga fakti se shumica e punëtorëve të bardhë shpreheshin më 2016 se zgjedhjet e atij viti ishin “shansi i fundit për të ndaluar rënien e Amerikës”, apo se ata ndjeheshin “të diskriminuar në vendin e tyre” për shkak të ideve politike apo besimit fetar. E njëjta ndjenjë frike ushqehet sot edhe nga teoritë e panumërta konspirative që gëlojnë sidomos në rrethet e ekstremit të djathtë.

Dhe ndryshimi tjetër themelor është ai i fragmentarizimit të burimeve të informacionit siç e thamë. Këto do të kërkojnë doemos edhe ndryshime të strukturave e të mënyrës së funksionimit të demokracisë amerikane, mirëpo sfida këtu qendron në atë që ekstremet e të dy partive kërkojnë që ato ndryshime të jenë të menjëhershme. Prandaj ekstremet duhen frenuar duke mundësuar evoluimin gradual të sistemit, mbështetur gjithmonë në parimet bazë të kushtetutës amerikane.

Cila është humbja më e madhe e Amerikës dhe pse ajo po implodon në premisën ideologjike si Bashkimi Sovjetik dikur?
Humbja më e madhe e Amerikës me pak fjalë mund të përmblidhet kështu: elitat që janë krejt të shkëputura nga qytetari i thjeshtë (shih komentet e Hillary Clinton për deplorables), pabarazia ekonomike në përmasa të papara që krijon tek ata qytetarë idenë se sistemi s'punon në favor të tyre (shih administrimin e vajtueshëm të krizës së 2008), zgjedhja e një lideri narcisist që ofroi hakmarrje, deri në shembje, të atij sistemi, mosrespektimi prej liderit në fjalë i verdiktit popullor të zgjedhjeve më 2020, dhe më në fund ndërprerja e traditës më se 150 vjeçare të kalimit paqësor të pushtetit me ngjarjet e 6 janarit 2021, me të gjitha pasojat përkatëse në peizazhin politik amerikan dhe në imazhin e Shteteve të Bashkuara në bote. Megjithatë nuk besoj se mund të flitet për implozion, sepse demokracia amerikane është ndeshur edhe në të kaluarën me sfida të tilla dhe i ka kapërcyer me suskses.

"Një komb nën Zotin"* që duket se nuk e ka më bekimin e tij: mund të pohojmë fundin e kësaj "parajse tokësore të lirisë"?
Për këtë mendoj se Amerika e ka ende bekimin e Zotit përderisa ajo do të mund t'u qëndrojë besnike parimeve të saj themeluese, që vijnë nga Bibla dhe nga morali kristian. Sistemi amerikan ka mjaft rezerva pozitive dhe jam i sigurt se nuk do të lejojë revolucionarët e të dy ekstremeve të vënë në rrezik shpirtin dhe idenë amerikane.

*Sipas titullit të librit të autorit mbi SHBA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.