Babë Rama

Postuar në 05 Nëntor, 2022 23:34
Erjus Mezini

 

Kryeministri i vendit e ka pranuar herë pas here që Shqipëria ka pengesa të mëdha. Kur ishte në opozitë, për zotin Rama, pengesat e Shqipwrisë ishin klasa e vjetër politike dhe me siguri Sali Berisha. Kurse tani për kryeministrin tonë pengesa janë të pagdhendurit dhe…Sali Berisha, sërish. 

Për klasën e vjetër politike zoti Rama nuk ka pse të ankohet më, se ai denbabaden është bërë pjesë e saj. Problemi tani janë fshatarët, veriorët, punonjësit e shtetit, nxënësit e trashë nga mendtë, të rinjtë që nuk e duan punën dhe bujqit që nuk i punojnë tokat në një vend ku mbjelljet dhe të korrat as nuk sigurohen nga shteti dhe as nuk blihen nga privati. Zoti Rama kohët e fundit është bërë aq kritik, aq i parashikueshëm dhe aq i drejtpërdrejtë me shqiptarët, saqë ai tashmë veç nofkave të tjera e meriton edhe nofkën “babë Rama”.
 
Ashtu si një baba që ia thotë gjërat në fytyrë fëmijës së tij, edhe Rama ka krijuar një dialog të drejtpërdrejtë me shqiptarët. U jep mend njëzet e katër orë në ditë, i kritikon, i shan, i përzë nga mbledhja dhe madje nuk nguron t’u tregojë se do të vijë dita kur do t’i zëvendësojë me bangladeshas. Edvin Rama pa diskutim është bërë babai i të tërëve, por ai lloj babai që nuk ia urojmë askujt. Pra është bërë babai më i keq nga të gjithë, ai baba i cili i dallon fëmijët e vet (disa i llaston, disa i ndëshkon, disa i lë pa bukë) dhe i cili kurdo që shfaqet përpara tyre u jep përshtypjen se sapo e ka kthyer ndonjë faqore me raki dhe prandaj ia këput ashtu si ia këput.
 
Herën e fundit që e dëgjova zotin Rama në televizion ishte duke u ankuar për Sali Berishën, sërish. Kësaj radhe po u rrëfehej fëmijëve të tij “socialistë” se gjoja një nga taksiratet e partisë së tij paska qenë që ta mundin dhe ta rimundin PD-në dhe Sali Berishën. (Këtë batutë të Ramës tani duket se e citon shpeshherë edhe fëmija i tij “socialist” Erjon Veliaj, kur edhe ky i fundit u referohet taksirateve të mundjes dhe rimundjes së PD-së dhe LSI-së.) 

Ajo që harroi të përmendte ky baba mashtrues e pijanec ishte se me mentorin e tij, Sali Berishën, ai i ka kthyer votimet në monopol. Pra, në vend që t’u thotë se ai dhe Sali Berisha e ndërruan Kushtetutën dhe ligjin elektoral në atë mënyrë që të mos kenë rivalë të tjerë përveç shoshoqit, babë Rama i gënjen fëmijët e vet “socialistë” me këto taksirate gjasme, ku armiku i të gjithëve është vetë mentori dhe sivëllai i tij. Në vend se t’u premtojë kalamajve të tij “socialistë” se klasa e vjetër politike do të dalë në pension,  Edvin Rama u thotë atyre që së shpejti do të shikojnë një përleshje tjetër ku hienat do të munden (nga luani).
 
Për Kushtetutën dhe ligjin elektoral që privilegjojnë sistemin dy-partiak në Shqipëri, Edvin Rama heshti përsëri. Ai heshti edhe për listat që ai dhe Sali Berisha i thurin në partitë e veta, pa pyetur askënd nga baza. Ai heshti për faktin që është i vetmi kryeministër në historinë e Shqipërisë që nuk ka emëruar sikur një intelektual të vetëm në kabinetin e vet.

Heshti për kthimin e partive shqiptare në grupe militante/analfabete ku urdhrat jepen nga lart dhe përmbushen me verbëri.

Heshti për faktin që Shqipëria tashmë nuk ka asnjë parti politike në Kuvend, por ka vetëm brigada militante që u binden verbërisht udhëheqësve. Për çdo të metë të këtij vendi, sipas babë Ramës, fajin e kanë vetëm rinia dhe fëmijët që ai i edukoi tok me Sali Berishën.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.