Pesha e rëndë e privilegjit të Perëndimit

Postuar në 02 Nëntor, 2022 10:48
Kornilios Kastoriadis

 

Në historinë e Perëndimit ekzistojnë mizori të panumërta, që janë kryer kundër të tjerëve, por edhe kundër vetes. Por mizoritë, nuk janë vetëm tipar i Perëndimit. Gjithkund në botë ndeshen mizori, qoftë kur bëhet fjalë për Kinën, Indinë e Afrikën para periudhës kolonizuese, qoftë për aztekët. Historia e njerëzimit, nuk është historia e luftës së klasave; është historia e mizorive, por jo vetëm.

Parashtrohet një temë për diskutim: ajo e totalitarizmit. A është totalitarizmi - sikurse mendoj – finalizimi i çmendurisë për mbizotërimin e një qytetërimi, i cili zotëronte mjetet shfarosëse dhe përdori taktikën e trushplarjes në një masë të tillë, që s’qe ndeshur më parë në historinë e njerëzimit?  A është totalitarizmi një destin pervers, i natyrshëm në kohën tonë, pavarësisht ambiguitetit që e karakterizon? Apo mos ndoshta është diçka tjetër totalitarizmi? Diskutimi ynë është teorik. Dhe është teorik, në kuptimin, që mizoritë e totalitarizmit Perëndimi i përdori kundër njerëzve të vet (duke përfshirë edhe hebrenjtë). Është teorik në masën, që shprehja “vritini të gjithë, Zoti do veçojë të vetët” nuk i përket Leninit, por një duke të krishterë të shekullit të 16-të, dhe jo të 20-të. Është teorik në masën, që flijimet njerëzore janë kryer në shkallë e në intervale të rregullta kohore nga kultura jo-europiane, etj. Irani i Khomeinit, sigurisht që nuk është produkt i Iluminizmit. 

Ekziston ama diçka, që është tipar unik dhe privilegj i rëndë i Perëndimit: bëhet fjalë për vazhdimësinë social-historike, që ka si pikënisje Greqinë e lashtë dhe rifillon në Europën perëndimore nga shekulli i XI e më pas. Kjo është e vetmja kohë, që del në pah ideja e lirisë, e autonomisë individuale e kolektive, e kritikës dhe e autokritikës. Pohimi më mbresëlënës i kësaj ideje, është pikërisht arsyeja për të cilën akuzohet Perëndimi. 

Sepse në Perëndim, kemi mundësinë - të paktën disa prej nesh- të akuzojmë totalitarizmin, kolonializmin, tregtinë e skllevërve të zinj, shfarosjen e indianëve të Amerikës. Por, nuk kam parë pasardhësit e aztekëve, të indianëve të Indisë ose të kinezëve të bëjnë një autokritikë të ngjashme. Në të kundërt, madje edhe sot, japonezët mohojnë mizoritë e kryera përgjatë Luftës së Dytë Botërore.

Çfarë e ka fajin: Arabët akuzojnë vazhdimisht kolonializmin europian për gjithë të këqijat e tyre, varfërinë, mungesën e demokracisë, ndërprerjen e zhvillimit të qytetërimit arab, etj. Ndërkaq, kolonializmi në shumë vende arabe, në rastin më të keq, zgjati njëqind e tridhjetë vjet (kështu ndodhi në Algjeri, 1830-1862). Vetë arabët, para kolonializmit europian, patën jetuar pesë shekuj nën sundimin turk. Sundimi turk në Lindjen e Mesme e të Afërt fillon në shekullin e XV dhe mbaron në 1918. Por, arabët, sikurse edhe pushtuesit e tyre turq kishin besim fetar të përbashkët, ndaj dhe nuk pëmendet sundimi i tyre. 

Zhvilimi i kulturës arabe u ndal mes shekullit të XI e XII, domethënë tetë shekuj para shtrirjes pushtuese së Perëndimit. Për më tepër, edhe vetë kultura arabe u mbështet mbi pushtimet, shfarrosjen dhe imponimin disi të dhunshëm të fesë islame në popullsitë e pushtuara. Në Egjipt, në vitin 550 pas Krishtit, nuk kishte arabë, sikurse nuk kishte arabë në Libi, Algjeri, Marok e Irak. Arabët që ndodhen tashmë në këto troje, janë pasardhës të pushtuesve që sunduan ato vende dhe që imponuan, me dhunë ose jo në popullsitë vendase, fenë e tyre. Por, nuk shoh të ketë asnjë kritikë të këtyre ngjarjeve në hapësirën gjeografike të botës arabe. 

Flasim për tregtinë e skllevërve të zinj nga europianët (shekulli i XVI e më pas), por nuk flasim kurrë për faktin që tregtinë e skllevërve dhe nënshtrimin sistematik të të zinjve në Afrikë, e përuruan për herë të parë tregtarët arabë (shek XI - XII dhe më tej me bashkëpunimin - bashkëfajësinë e mbretërve dhe prijësve). Gjithashtu, nuk përmendet fakti, që skllavëria nuk u ndalua në asnjë vend islamik dhe që në disa prej tyre, skllavëria vazhdon ende edhe sot). 

Nuk dua të them, që gjithë sa sipërmenda, shlyejnë krimet e kryera nga perëndimorët. Dua vetëm të them, që veçanësia e qytetërimit perëndimor, qëndron pikërisht në aftësinë e tij të vetëdyshimit e autokritikës. Në historinë e Perëndimit, sikurse dhe në historitë e tjera, ekzistojnë terrore e mizori të shumta. Por, vetëm Perëndimi krijoi aftësinë për dyshim të brendshëm të vetë institucioneve e ideve të tyre në emër të bashkëbisedimit të arsyeshëm mes njerëzve, i cili mbetet  një diskutim i hapur në pafundësi, dhe nuk njeh një dogmë të epërme.

 

Kornilios Kastoriadis (11 mars 1922, Stamboll - 26 dhjetor 1997, Paris) ka qenë filozof i shquar, ekonomist, psikanalist dhe drejtor i EHESS (École des hautes études en sciences sociales) në Paris. 

Përktheu : Eleana Zhako

Burimi: doctv.gr

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.