Partia, ose Kom(b)Uniteti

Postuar në 01 Nëntor, 2022 19:27

Kryeministri Edi Rama ka nisur së fundmi të marrë pjesë, apo të promovojë një nismë të quajtur “Krenaritë e Komunitetit”. Aty shpërndahen tituj a medalje, fleta lavdërimi nëse duam, pra stimuj simbolikë përkujtese për njerëz që vlerësohen se kanë dhënë kontribute në fushën e profesionit apo në qytetet ku banojnë. 

Tani, për ta parë me korrektesë këtë që po ndodh puna e do që të shihet nëse përlavdërimi qeveritar po begenis edhe ata që nuk kanë rreshtim publik me partinë në pushtet apo jo. 

Kjo sepse po hyjmë në fushatë dhe mjete të tilla edhe sikur të ideohen pa qëllime të caktuara, fitojnë rrugës karakter të tillë. Zoti Rama po do të hyjë në betejë me krenaritë e komuniteteve, pra me fisnikërinë e thinjave lokale si atu morale përkundrejt një opozite që e bashkuar mund t’i hapë probleme. 

Këto lloj invencionesh gjysmë folklorike huazojnë diçka nga koha e Enver Hoxhës dhe kanë në vetvete një paturpësi të të gjithëve pasi në fund të fundit, njeriu që vlerësohet duhet të ketë përultësinë për ta pranuar vlerësimin pa tam - tamet e mexhlisit. Pra nëse kontributi është real, dinjiteti kalon nga modestia. 

Nuk ndodh kjo për shumë arsye dhe këtu nuk do përjashtuar vaniteti. Por këtu z. Rama po tenton të korrigjojë imazhin e aleancës me modelin Roshi në Kavajë si dhe atë të një qeverie që vjedh saqë mundet të jetë duke menduar që korrupsionin ta klasifikojë si shkelje që ndëshkohet me autokritikë. 

Dhe dekori për pushtetin në Shqipëri nuk mungon asnjëherë. Artistë, aktorë, veteranë, profesionistë, mësues(për fat të keq), mjekë e kështu me radhë, pavarësisht se emrin ia dedikojnë vetes dhe punës, befas pranonnë të përdoren si spot publicitar për qeveritarë të cilëve jo vetëm duhet t’u rrish larg, por edhe t’i mbash pak nën thuprën e kritikës.

Por të mos jemi naivë e t’i lejojmë vetes të zhgënjehemi nga vetja. Le të merremi me termin “komunitet” që z. Rama shtie në punë. A ka komunitet në Shqipëri? Komunitet lokal? 

Termi në fjalë ka disa përkufizime dhe ndonjë prej tyre bie brenda përkufizimit që aludon ceremoniali, por përzgjedhja e figurave që shpallen krenari e komunitetit kërkon më së paku që këto të propozohen nga komuniteti dhe puna apo emri i tyre të rezonojë me kujtesën e së paku një brezi. Se kështu gjenerohet trashëgimia dhe riprodhohet identiteti. Po a ndodh kështu?

Ne kemi mësues të fillores apo gjimnazit në qytete ku nuk jetojmë më e ku banojnë ata që kanë mësues filloreje apo mjekë lagjeje në qytete të tjera. Ne kemi fëmijët në shkollat e Tiranës ku na lidh vetëm rrethana por jo kujtesa dhe jeta jonë, ndërkohë që ata që kanë kontribute këtu janë limane nostalgjie për të tjerë. 

Gjella është trazuar aq shumë saqë kujtesa jonë kamzalizohet nga rrethana e migrimit të brendshëm. Zoti Rama p.sh është një soj banditi i kulturës kur p.sh me një të rënë të lapsit dhe me dy kryetarë bashkie, një pa tru dhe tjetri qull e petull në Sarandë e zhbëri identitetin e atij qyteti duke i dhënë atë që kishte në kokë : lungomaren. Ku ishte komuniteti? Asgjëkund. Sepse komunitet nuk ka, ai është shpërbërë. Për lungomaren e Sarandës vendosin votat e atyre që erdhën në atë qytet pas viteve ’90, sikundër për Tiranën vendos Edi Rama me mashën e tij në Bashki. Komunitetet janë memece sepse duke u presuar nga migrimi i brendshëm dhe shthurur nga emigrimi i tyre dhe inaktiviteti politik, kanë humbur kohezionin dhe lidhjen aktive të veprimit duke mbetur dëshmitarë të brutaliteteve të tilla siç është p.sh vënia e emrave të shokëve nëpër rrugë dhe rrugica. 

Është një Shqipëri e paformë, e patretshme, një kokallë demografike që stonon me çdo gjë dhe përdhunon çdo qoshk, pse është tëhuajësuar nga të huajt e brendshëm që invadojnë me filozofi zaptimi paganësh duke ngritur një flamur e duke u ulur këmbëkryq si partizani Meke qëmoti mbi diçka që nuk u takon. 

Një komunitet që marroset pas Taulant Ballës duhet të ketë një problem. Ndonëse marrosja mund të shpjegohet objektivisht. Një komunitet që voton Vangjush Dakon i ngjan atyre konstelacioneve të largëta që emetojnë valë që ngjajnë si valë radio. Por a qëndrojnë pas tyre komunitete? Apo turma me emërues të përbashkët paranë dhe partinë, të vetmin komunitet real? 

Komunitetet nuk janë gjindje, por diçka shumë më organike dhe vetëvepruese. Zoti Rama nuk është pështyrë njëherë për ato shpërfytyrime që i ka bërë këtij vendi – patjetër me shumicën e votës së atyre që kanë respekt vetëm për të tashmen- as e kanë përzënë, as edhe e kanë shpallur formalisht të padëshiruar. Jo, atë e presin mirë, e përqafojnë. More po e duan shumë, si kryeministrin e radhës dje. Ndaj krenaria në fjalë, përtej kontributit të njërit apo tjetrit është asgjë më shumë sesa një mënyrë për të kredituar reciprokisht me imazhe, duke manipuluar njerëzinë se më të mirët po zgjedhin dhe si ata, Ne nuk duhet të gabojmë. Njësoj si të rinjtë ekselentë dikur, apo të fortët më herët, përherë me menunë rrëzëllitëse të një gjelle stinore që harrohet më pas sa hap e mbyll sytë. 

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.