MYNIHU I PASQARUAR I EUROPËS
Mynih – Pragu i Luftës. Është një film që fiton autoritet përmes pjesëmarrjes në të të Jeremy Irons. Skenari i shkruar nga Ben Power, merr shkas nga një novelë e Robert Harris dhe është ekranizuar nga Christian Schwochow.
Filmi pati premierën e vet në tetor të vitit 2021, pra një vit më parë dhe koha e daljes përkon në fakt me ngritjen e një debati historik në Europë mbi përgjegjësitë e Luftës së Dytë Botërore. Për konferencën e Mynihut ka përherë dy qëndrime, dy narrativa: njëra se Marrëveshja e 30 shtatorit 1938 ishte një tradhëti, tjetra që e relativizon Mynihun si pjesë të një përpjekjeje për paqe duke tentuar ta kërkojë shpërthimin e LIIB me Paktin sovjeto-gjerman të Mossulmimit. Filmi i përmbahet në fakt narrativës se konferenca i dha kohë Perëndimit të përgatitej për luftën që po vinte, e të cilën po e perceptonte kushdo.
Në qendër të filmit është aureola e kryeministrit britanik, Neville Chamberlain, që nën lojën e Irons shfaqet si një fanatik i paqes. Drama e filmit është në fakt gjetiu; ajo konsumohet dhe konsumon heronj të tjerë; nëpunës të qeverisë britanike dhe gjermane, të lidhur me miqësi personale që para luftës.
Paul von Hartman, dikur një mbështetës i nazizmit, aktualisht përkthyes në Ministrinë e Jashtme gjermane, identifikohet në film si protagonist i të ashtuquajturës Opozitë ndaj Hitlerit, që i kalon dokumente të planeve politike të luftës së Hitlerit mikut të tij britanik, Hugh Legat, që punon si sekretar i kryeministrit Chamberlain.
Në mes të një intrige ndërkombëtare gjendet kryeministri britanik që vjen në dijeni të planeve gjermane, atij I prezantohet edhe dokumentacioni sekret për atë që po përpunohej në Gjermani, e megjithatë ai firmos një marrëveshje të vdekur duke shpallur se “unë po luftoj me mjetet që më janë dhënë”.
Filmi përdor regjistra dygjuhësh për të përcjellë më mirë realitetin e kohës dhe për të komunikuar me të dyja audiencat, ndërkohë që nga ana skenike, Jeremy Irons tejkalon veten teksa ka veshur një ngadalësi Chamberlain-e dhe sjell në mënyrë të përkryer një lloj naiviteti fisnik të një kryeministri që besonte te Fjala. Ky është ndoshta elementi më i qëlluar i filmit që në fakt nuk mund të rehabilitojë një personalitet si Chamberalin, që ndonëse shpalli paqen në Europë, erdhi nën kritikë brenda vendit, u detyrua të dorëhiqej dhe mandej doli nga skena politike për t’u zëvendësuar nga ujku i Atlantikut, i fundmi britanik i madh në sensin perandorak, Winston Churchill.
Mbrojtja e Mynihut mund të ketë objektivitet historik në vetvete, por në aspektin politik ajo është përherë në kurthin e demagogjisë. Dhe këtu filmi nuk i shpëton demagogjisë pse sado i madh interesi i paqes, nuk ka paqe në veprimin e miopisë. Megjithatë kontrasti mes Chamberalin dhe Hitlerit është i qëlluar pse na manifestohet si antitezë njerëzore dhe qytetërimore dhe filmi këtë e sjell edhe me kontrastin mes peshës së aktorëve: Irons nuk kundërbalancohet nga një aktor i njohur për Hitlerin, çka vendos një lloj kufiri mes familjaritetit me një imazh të njohur, që është Yni - përkundrejt “një të huaji” që vjen nga anonimati. Dhe me neuroza shpërthyese që i beson vetëm instinktit. Von Hartman është aty i vetmi gjerman i Europës që njohim, i rrethuar nga një njerëzim i militarizuar deri në kriminalizim.
Pretendimi i mbylljes së filmit se Mynihu dha kohë nuk qëndron edhe duke parë çfarë ndodhi në Dunkirk më 1940, as edhe sesi eci fushata perëndimore e Hitlerit.
Add new comment