Me "arixhinjtë" dështoi edhe PPSH-ja

Postuar në 26 Gusht, 2022 16:54
Skerdilajd Zaimi

 

Çështja e pakicave gjatë periudhës së regjimit të Enver Hoxhës ka patur pak vëmendje reale studimore për të mbetur në suazën e klisheve të ndryshme parapolitike. Në planin legjislativ Shqipëria e atyre viteve ngjan të ketë vënë shenjë barazimi mes të gjitha komuniteteve, duke njohur dy pakica: atë greke dhe ata malazeze në Shkodër. Në Shqipërinë e pas ’90-ës kanë qarkulluar gjithfarë tezash për depërtimin e vllehëve, për një fill filovllah edhe në akademi, por asgjë nuk mund të provohet mirëfilli. Gjithësesi, megjithë forcën rrafshuese të termit "popull" në arkivën qendrore gjenden materiale që më së paku ilustrojnë përmes terminologjisë së përdorur në rrugë zyrtare, njohjen e segmenteve të shoqërisë shqiptare, ndonëse ato minimizohen thuajse tërësisht përkundrejt kategorive qendrore që janë dallimet klasore. 

Një material tipik në këtë drejtim është p.sh një letër e kreut të Gjykatës së Lartë, Aranit Çela, drejtuar sekretarit të Komitetit Qendror të PPSh-së, Hekuran Isai, datuar më 20.5.1976. Dokumenti përmban disa raportime mbi “probleme shoqërore që dualën nga shqyrtimi i çështjeve penale me krime të kryera nga arixhinj”, duke përcjellë të dhëna konkrete, për të konkluduar mandej me disa sugjerime për masat që duhen marrë.

Çela e prezanton situatën në dritën e fakteve penale dhe punës së organeve të drejtësisë për t’i kërkuar organit qëndror të partisë marrjen e masave shtesë me natyrë politike dhe ekonomike për minimizimin e kriminalitetit të këtij komuniteti si të tillë. Është një shembull i marrjes në vëmendje të një segmenti pa klasë sociale, një entiteti që ka mbetur jashtë integrimit në shoqërinë e kohës dhe standardet e saj. Vijnë në plan të parë këtu aspekte të jetës së “arixhinjve”, kultura e tyre për familjen, shkollimi, ekonomia etj..Çela thotë se “u munduam ta studiojmë këtë problem në rrethet Berat, Fier dhe Lushnje”, gjithnjë në “kuadër të luftës kundër kriminalitetit dhe çfaqjeve të huaja”. 

Në material sillen dy shembuj: Levani i Fierit si pozitiv, dhe Driz e Fierit dhe Ura Vajgurore e Beratit si shembulli i keq.

Me tone pozitive shihet gjendja e arixhinjve(sot komuniteti rom) edhe në kooperativën bujësore të Lapardha-Moravës të Beratit, ku ata “marrin pjesë rregullisht në punë, bëjnë njëjetë normale dhe të kulturuar, fëmijët ndjekin rregullisht shkollën, aktivizohen në punët e ndryshme shoqërore dhe në aksionet me karakter politiko-ekonomik”. Në arritjen e këtij “normaliteti” Çela njeh meritën e organeve të partisë që “kanë ndihmuar në rregullimin e mënyrës së jetesës në çdo familje”, çka shihet si  pjesë e politikës parandaluese të kriminalitetit në këtë komunitet.

Megjithatë, ndonëse jemi në vitin 1976, revolucioni shoqëror nuk duket se kishte prekur matricën e jetesës së këtij komuniteti, i cili në realitetin e jetës së përditshme, por edhe në imagjinatën kolektive mbeti ai që kishte qenë. Për të shembullizuar problemin e kriminalitetit dhe për të gjetur aty rrënjë sociale, Çela rendit disa aspekte që kanë brenda tyre edhe nota komike:

Në fshatin Driz të rrethit Fier banojnë 75 familje të tilla. Si të rriturit dhe fëmijët pothuajse janë të gjithë analfabetë. Shumica e tyre janë të pa sistemuar në punë në sektorin socialist dhe merren me matrapazllëqe dhe vjedhje. Shumë prej tyre merren me shit-blerje të kanistrave, shportave, qebapeve, saçeve, shtizave etj..Lëndën e parë për këto prodhime e sigurojnë në rrugë të kundërligjshme. Disa prej tyre merren me mashtrim(hedhin fall) dhe me lypsi

Përtej këtij paragrafi që është përshkrim i një xhepi unik të një Shqipërie jashtë orbitës së kontrollit, Çela pranon megjithatë se komuniteti në fjalë është privuar nga furnizime me lëndët e nevojshme. Ai vë në dukje një problem tjetër që ka të bëjë me paragjykimin e shumicës ndaj romëve, përderisa p.sh në Zyrën e Gjendjes Civile në Urën Vajgurore nuk pasqyrohen ndryshimet në trungun familjar. Arixhinjtë sipas kreut të Gjykatës së Lartë kishin gjetur një mënyrë për t’i ikur detyrimit ligjor për mobilizimin ushtarak.

Shumica e djemve dhe vajzave martohen para mbushjes së moshës ligjore (djemtë 18 vjet dhe vajzat 16 vjet). Nëpërmjet kësaj rruge djemtë i shmangen edhe shërbimit të detyrueshëm ushtarak, sepse deri në moshën 19 vjeç lindin 3 fëmijë

raporton Çela.

Nomadizmi i brendshëm i arixhinjve ishte bërë shkak për konflikte, ndërkohë që zyrtari vë në dukje se kjo lëvizje mund të shfrytëzohet nga “elementi armik për nevojat e tij”.

Shtysa për krijimin e kësaj nyjeje në matricën shoqërore, për zyrtarin në fjalë nuk është etnia, ose elementë të tjerë racorë, që në fakt evokohen nën apelativin “arixhi’, por mosintegrimi. Sipas Çelës vendimi i autoriteteve lokale në Berat për të mbajtur në një lagje komunitetin nuk ndikon për mirë sepse ushqen zakonet e vjetra, por edhe paragjykimet e përhershme. Nisur nga ky realitet sugjerimet janë të njohura: arsimim i detyrueshëm, punësim, punë politike dhe bindje për të hequr dorë nga jeta e vjetër e endacakut

Siç e di një pjesë e njerëzve kjo politikë dështoi. Romët vijuan në një masë jetën e endacakut për të vijuar edhe aktualisht si “banorë të lumit”, me thuajse të njëjtën tipologji jetese dhe nivel kulturor. 

Sigurisht që ekspozeja e një zyrtari si Aranit Çela në detyrën e kryetarit të Gjykatës së Lartë niset nga konsiderata të kriminalitetit dhe nuk trajton një aspekt më të gjerë, mirëpo pikërisht pse “arixhinjtë” vijnë në vëmendje për shkak të kësaj dukurie, ilustron se brenda koinesë së përgjithshme kishte të çara që nuk i bindeshin standardit. Arixhinjtë ishin shprehja më e qartë e konformizmit, me llojin e jetës që trashëgonin, çka i bënte për këtë arsye antikonformistët më të dukshëm, ndonëse asnjëherë armiq, apo rivalë. Thjesht të huaj që ishin në kalim, të deterritorializuar nga vija e verdhë dhe kuadri urban. Por edhe ideologjik.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.