Kur do të flasin superekspertët?
Kanë kaluar tashmë më shumë se 10 ditë nga i pagëzuari sulm i papreceentë kibernetik ndaj Shqipërisë. Qysh në datën 18 korrik, kryeministri Edi Rama, deklaronte se Agjencia Kombëtare e Shoqërisë në bashkëpunim me “aleatët” kishin nisur kundërofensivën.
Në datën 20 korrik, kryeministri do të fliste për “një luftë ditë e natë” të “AKSHI-t dhe një skuadre të superspicializuar ekspertësh të huaj”.
Në datën 24 korrik, z. Rama do të rishfaqej sërish duke premtuar se:
E gjithë ngjarja do t’i raportohet publikut nga ekspertët, sapo të ndizet drita jeshile e përfundimit të proceseve shembullore që po kryhen nga superskuadra e angazhuar në këto operacione
Më tej ai siguronte se :
Lajmi i mirë është se agresioni është zmbrapsur me sukses nga një superskuadër shqiptaro-amerikane, se asnjë e dhënë nuk është fshirë, se shërbimet publike janë kthyer në punë! Vazhdon operacioni i forcimit të mureve mbrojtëse dhe hetimit për identifikimin e sigurtë të agresorit
Sot është data 28 korrik dhe jehona e sulmit, që në fakt ishte një skandal që rrëzoi të gjitha shërbimet qeveritare, është minimizuar nga disa diversione të ditës, ndërkohë që qeveria nuk ka autorizuar ende një përgjigje të qartë se çfarë ndodhi. Ne sot si qytetarë që kemi paguar të paktën 150 milionë euro për punët e AKSHI-t nuk dimë:
Kush sulmoi
Çfarë lloj sulmi kibernetik ishte
Depërtimi i sulmit dhe synimet e tij
Niveli i kompromentimit të të dhënave
Masat e reja mbrojtëse.
Deri në këtë moment është hamendësuar se sulmi ngjan me sulme të ndodhura këto kohë në disa vende dhe se e vetmja garanci është se të dhënat nuk janë fshirë. Në kushtet e një errësire të plotë është po ashtu e udhës të pyetet nëse pasi gjithçka të mbarojë, a do të auditohet AKSHI për punën e kryer, një kërkesë kjo që lind natyrshëm edhe nga të dhënat hetimore për mënyrën sesi rodhën pagat e qytetarëve në publik. Shkatërrimi i informacionit është problem shumë më serioz në kushtet e tanishme, për shkak se ai përbën element kryesor manipulues.
Add new comment