Më demokratike protestat e Shkupit, apo këneta e Tiranës?!
47 policë janë plagosur në Maqedoninë e Veriut. Kryeministri Dimitar Kovacevski i ka dënuar sulmet dhe ka deklaruar se dhuna nuk është e justifikueshme. Refreni i përjetshëm i atyre që demokracinë e kanë maskotë. Në demokraci të konsoliduara dhuna lexohet si mesazh politik përpara sesa të denoncohet si gjestikulacion politik. Dhe dhuna urbane, në formën e protestës mund të sjellë rrëzim qeverie, por jo destabilizim shtetëror.
Ajo që po ndodh në vendin fqinj, ilustron së pari se identiteti është një gjë serioze edhe në një vend që në psikologjinë e shumëkujt është sajesë. Oferta franceze që kërkon një kompromis për identitetin bullgar dhe atë maqedonas, mund të jetë një sugjerim me vlerë, por çështjet e identitetit janë me përkufizim lëndë ku kompromisi në parim e diskrediton besimin.
Reagimi maqedonas në një pikëpamje morale dhe ideologjike është korrekt dhe na flet për një shoqëri ku predikimi për identitetin ka qenë real në dramatiken dhe tragjiken e vet historike. Ndonëse pjesë e një ballkanizimi të stigmatizuar, sërish konflikti politik i manifestuar edhe në akte dhune është më afër një marrëdhënieje që ndërmjetësohet nga historia. Në dallim nga Shqipëria ku historia shpallet si fe, por ndërmjetëson një debat që është shndërruar në marketin e zhurmshëm të interesave që kamuflohen pas kauzave dhe ideve.
Në këto kushte dhuna e premtuar e protestave është e denoncueshme për shkak të kompromentimit nga parimi i kompromisit mbi gjithçka, aq sa Shqipëria, stabiliteti i saj, është asgjë më shumë sesa një kompromis kazual. Periodik dhe i arritshëm për çdo gjë.
Dhuna dhe tensioni verbal janë shprehje të një konflikti civil: në Shqipëri konflikti përgjithësisht është ide e kultivuar për të gjeneruar një antagonizëm të rremë që sa vjen e ngushtohet pse rrejshmëria politike korrodon çdo lloj mobilizimi.
Nëse protestat në Maqedoninë e Veriut janë një lajm i mirë sepse ilustrojnë një shoqëri që përpiqet për identietin e vet, ato vijnë në Shqipëri si jehonë e huaj që nuk transmeton gjë, për shkak se protesta si instrument ka humbur fuqinë pasi u shpërdorua gjerësisht. Ajo sot është kthyer në qëllim, metër suksesi, kur do të duhet të ishte një shprehje e natyrshme politike që nuk mund të diskreditohet me alibitë kundër dhunës, të recituara nga yvabatë e medias.
Është me të vërtetë cinike që një vend si Maqedonia e Veriut që ushtron më mirë ritualin demokratik, që zhvillon me nerv një dialog kaq delikat, të penalizohet përkundrejt Shqipërisë së “ecjes së mirë”, “përmirësimeve” e të tjera etiketa të kënetës së përjetshme të Ballkanit. Dhe këto i quajnë demokratike, e ca më keq për ne: tregues stabiliteti, eufemizëm për apatinë dhe inaktivitetin.
s.zaimi
Comments
O skerdi. Dil neser vlla
O skerdi. Dil neser vlla kunder europes,amerikes, maqedonise dhe edi rames. Keshtu rregullon edhe mungesen e konfliktit civil ne shqiperi. Pastaj identiteti bullgar i maqedonise eshte ceshtje jete a vdekje per popullin bullgar, prandaj as nuk diskutuar.
Ne proteste jemi ne kete faqe
Ne proteste jemi ne kete faqe prej vitesh. Ja edhe reagimi yt, pertej nje fije neuroze, e njeh kete si fakt. Kemi qene ne proteste edhe kur ata qe dalin neser e kanë dredhur bishtin. Sic e do zanati i ketij vendi.
Add new comment