Në epokën e bota.org do gjendet një mision për Edin

Postuar në 25 Qershor, 2022 23:06
Skerdilajd Zaimi

 

Zhurma e ndërkombëtarizuar e Edi Ramës me Bullgarinë ka qartazi një objektiv personal të tij. Nga sulmet ndaj Sofjes për pengmarrje, te leksionet për Bashkimin Europian në France 24, kanakari i Erdoganit në Europë, i ka të udhëhequra nga një llogari personale që siç përflitet prej disa kohësh lidhet me ambicien e tij për të marrë një detyrë në institucione ndërkombëtare. 

Kjo u vu re që te vizita e tij në Ukrainë kur mbante detyrën e kreut të OSBE-së, e ku z. Rama bëri çmos të promovonte një të ashtuquajtur plan veprimi. Planin e tij e përmendi një herë edhe Merkel, por siç ndodh përjetësisht me këtë individ, asgjë nuk finalizohet. 

Z. Rama luajti teatrin e vet edhe kur përhapi lajme për një ndërmjetësim mes Turqisë dhe Greqisë, me rezultatin e vetëm të prekshëm, zhurmën mediatike dhe mandej talljen nga pala greke. 

Aktualisht z. Rama po luan një lojë tjetër me raportin e Dick Martyt dhe “përgjigjen ndaj tij”, ai vizitoi Thaçin në burg duke bërë çmos që të jetë përjavë açugia(i bie edhe me krimb) e preferuar e lajmeve. 

Nuk ka asnjë interes real të Shqipërisë në këto që mrrokullis kryeministri, mik i të gjithëve, gaztor i çdo takimi, hokatar i rrallë që e sheh politikën si cirk e që zgjidh me një telefonatë çështje pakicash e minoritetesh në një rajon ku është vrarë për gjëra të tilla. Pak Trump, pak artist, pak aktor, e ca më shumë karagjoz, në finale një palaço politik në oborrin e pasëm të Europës dhe Azisë, plurietniku Rama, po luan me pasqyra për të djegur si Arkimedi ndonjë anije të fatit të tij. 

Cila mund të jetë detyra? Kush mund ta dijë dhe çfarë rëndësie ka në epokën e bota.org? Këtu argëtuese është të shohësh në plan të parë, në shqip, lodrat e një marrëzie që ka shanse realizimi, të ndjekësh në shqip një telenovelë politike që luhet kudo. 

Zotëria desh na bëri edhe fuqi hapësinore, ndoshta dështimi lidhet me faktin se dizenjo e satelitit "Albania 1", e kryer prej Këtij, do ketë qenë shumë para në kohë sa për t’u lëshuar në hapësirë. Kështu talenti i rrallë mund të na ketë penalizuar të gjithëve. 

Për Nagorno Karabakun çfarë ka për të thënë Rama? Për Tajvanin, po për Kurilet? Këto janë pyetjet që bëhen tashmë në të gjitha kancelaritë, të cilat e kanë të thjeshtë të marrin përgjigje, sepse zotëria jo vetëm që di disa gjuhë, por gdhihet e ngryset me celular në dorë: çak-çuk tuiter e Facebook. 

Si ia bën vallë të ndërrosh regjistrat kaq shpejt? Nga kolektorët e ujërave të zeza në një qytet shqiptar, te porti i Durrësit, pastaj inaugurimi i një shkolle e më tej në një studio franceze duke bërë për një lek Europën? Çfarë mund ta lidhë këtë gjeni? Si ta kurosh pasionin e tij të çartur për të vërtetën?!

A mund të privohet bota, historia, koha vetë nga ky shpërthim cerebral, nga kjo fuqi shpirtërore për gjërat e bukura, nga kjo intuitë e paturp e dikujt që vetëm me fjalë, duke lajmexhuar veten ngado, hyn në skenë nga vrima e çelësit të (derës?!)dynjasë prej nga ku pret e ruan të afishojë parandjenjat madhështore për veten?!

Është bota, kjo botë e mallkuar indiferentësh që e detyroi të vishte atlete, tumane për të vënë re ekzistencën e tij, njësoj si ato lulet e çuditshme ekzotike, ngjyrat e të cilave janë aq të ekzagjeruara sa vështirë të shpjegohen vetëm me evolucionin. 

Shqipëria? Qeveria? Eeee, aty është, se gjen gjë. Ky vend nuk bëhet, po as zhbëhet. E pyeti gazetarja franceze që qeveria e tij është njollosur nga skandalet. Nuk tha qeveria e Shqipërisë, na respektoi. Tha qeveria e këtij. Po pse kapet ustai me kaq? Njolla është fjalë e madhe, tha, reformën e bëra, futini në burg po deshët. Por mua më vjen keq për Europën, që nuk ka kokë. 

Dhe ja, nuk është çudi që nesër, ndonjë çmim për "vizioni i duhur i liderit të ri", të mbërrijë në Tiranë. Ka miq e shokë vërdallë që i bëjnë kësi punësh. Pajtova serbët me shqiptarët, fola hapur për dobësitë e Europës, për Trump ju paralajmërova, italian jam si gjithë shqiptarët, artist po, më fal, çfarë prisni?! 

Kjo është politika në fund të fundit, ça e ndërlikojmë kaq shumë. Një histori që e tregojnë për zotërinë e që ndoshta shpjegon marifetin e kthyer në strategji: në vitin 1991 disa të rinj bërtisnin “Azem, Azem”. Ky qëllon afër, e kur kori sikur ra ca, nga periferia e turmës së vogël, ky si nën zë nisi të fliste: Edi, Edi! Kur ja nisën si pa dashje edhe ata: Edi, Edi! 

Ndoshta është sajesë, por çfarë gëzimi të konstatosh në vetë të parë sesi budallallëku dhe naiviteti kur shumohen me zë të lartë, marrin vlerë të madhe. Apo jo?

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Bravo skerdi.

I dyti shkrim, nga gjithe sa ke shkruar, qe me ka pelqyer!!!!!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.