Ka vetëm një luftë hibride efektive: Ajo e qeverisë së inceneratorëve ndaj të ardhmes së vendit

Postuar në 20 Qershor, 2022 23:10

Në një diskutim të mbajtur me rastin e promovimit të librit “Përplasja e Madhe”, me autor ish-ministrin e Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është zbërthyer strategjikisht. 

Krahas luftës në Ukrainë Rusia kërkon të zhvendosë në Ballkan valën e dytë të përplasjes me perëndimin për të destabilizuar rajonin dhe mes oborrit të pasëm edhe BE-në. Kjo do të ishte një fazë intensive e luftës hibride.

Sa më shumë të zgjasë lufta në Ukrainë, Shqipëria dhe Kosova do jenë caqe të luftës hibride ruse.

Nuk kemi asnjë interes të radikalizohet Serbia dhe duhet të bëjmë çmos që në situatën kur është mes dy zjarreve, presioni i madh i Rusisë që lidhet me mundësinë për të shtrënguar se e furnizon me shumë gjëra dhe presionit të madh të perëndimit që Serbia e ndjen shumë, të shtyjmë sa më shumë në drejtimin e një kuptimi të drejtë të asaj që duhet të presim nga Serbia.

Kush pret nga ajo të hidhet në flakë për Perëndimin nuk e kupton çfarë vjen nga kjo. Nuk mund të hidhet se nuk ka mundësi ta bëjë duke qenë e përbërë nga një popull me shumicë që mendon se Putini ka të drejtë. Por besoj se është e qartë që Serbia mund të qëndrojë në një distancë nga Rusia që flaka e luftës të mos vijë këtu.

Në këtë pikë mund të bëjmë tonën. Ky është edhe thelbi i tradhtisë time për të cilën nuk jam pishman. Mendoj që ne kemi vuajtur boll, e kam fjalën jo unë se në radhë të parë në Kosovë kanë vuajtur mjaftueshëm dhe nuk ka nevojë më të shkojë atje veç nëse e detyrojnë, e nëse detyrojnë Kosovën, na detyrojë edhe në Shqipërinë

ka thënë ai. 

Fjalia e fundit është mesazhi I përhershëm filozofik I z. Rama që davarit keqkuptimin e shqiptarëve ndaj ideve të ndërlikuara të tij dhe qëndrimeve që janë para në kohë.  U bë dekada tashmë që ky vetëm keqkuptohet edhe pse në Shqipëri ndodhin po ato gjëra që po bëjnë shekullin e më shumë. 

Përtej kësaj kosovo-latrie të freskët, qëndrimet e z. Rama meritojnë vëmendje për të kuptuar llojin e tij të politikës që është: ai është instrument moderimi i Serbisë te shqiptarët, shqiptarët duke qenë të përkufizuar si agjentë të Perëndimit në Ballkan nuk do të mërziten pse Serbia bën lojëra me Rusinë, sepse kryeministri i tyre e ka kuptuar pozitën e vështirë të Beogradit, të cilin shpall se e do me vete, pra jo të radikalizuar. 

Përndryshe z. Rama na thotë se Rusia ka ndërmend luftën hibride në Ballkan, pra Serbi e Kosovë e Shqipëri, luftë e cila merr jetë duke theksuar kontradiktat dhe shtuar tensionet. 

Kësaj strategjie banale i mungon në fakt elementi logjik, sepse në të vërtetë Rusisë nuk i intereson radikalizimi i Serbisë që do të ishte dobësim i saj. 

Së dyti, ka një absurd te fjala e z. Rama, i cili teksa shpjegon pozicionin gjeopolitik të Serbisë nga një pozitë shumë e patakt si kjo e kryeministrit të Shqipërisë, në fakt po shpjegon qëndrimet e tij personale. Duke aluduar se çdo intervenim retorik ndaj Serbisë manifeston eventualisht tiparet e një lufte hibride të shqiptarëve ndaj Serbisë, por edhe bëjnë lojën e Rusisë. Propozimi është: të rrimë e të presim me durim. 

Së treti, Rusia në përpjekjen e saj të zhvillimit të luftës hibride është profilizuar si armiku i duhur për vende pa lidhje me normalitetin demokratik si Shqipëria e z. Rama. Kjo sepse lufta hibride mëton të destabilizojë duke prekur pikë e dobët, tenton subversion të status quosë demokratike duke gërryer stabilitetin e një narrative. Shqipëria e z. Rama është përkufizuar si regjim hibrid, pra e ka kalbëzimin në strukturë. 

Stabiliteti i këtij vendi as varet nga qeveria e tij, garantë të tij janë të tjerë. Jo më kot, politikanët shqiptarë lehin pa ndalim se “jemi vend anëtar i NATO-s”. Në këto kushte në Shqipëri nuk bën shumë sens lufta hibride ashtu si përkufizohet ajo pasi detonatorët e destabilitetit siç na i paraqitën atë ne i pamë të konsumohen për rithemelimin e demokracissë së opozitës, marrë nën urdhër personal të një kryetari ambasadash. 

Jetojmë në kohëra kur Perëndimi e sheh botën në pro e kundër dhe për gjoja shtete si Shqipëria, mjafton një Pro, pavarësisht llojit të qeverisë. Por nëse do flisnim realisht për luftë hibride në këtë vend ajo zhvillohet nga qeveria e tij me koncesionet vrastare, korrupsionin pa tavan dhe imponimin e një klime gati urrejtjeje, dështimi për vendin tënd. Kjo është luftë hibride ndaj së ardhmes dhe më e suksesshme se ajo nuk mund të ketë. Meritë padyshim edhe e dështakut – e themi për eufemizëm dashamirës këtë – që flet më sipër. 

s.zaimi 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.