Kundërpërgjigje europiane për fitoren e Orbanit
Komisioni Europian priti rezultatet e zgjedhjeve në Hungari për ta njoftuar për shkurtimin e fondeve. Presidentja e KE, Ursula von der Leyen, njoftoi sot se shumë shpejt do të hyjë në fuqi një mekanizëm i ri që do të ndëshkojë Hungarinë me shkurtim të fondeve, për gërryerjen e standardeve të sundimit të ligjeve europiane, raporton Politico.eu.
Von der Leyen tha se ky vendim u mor pasi u shqyrtuan përgjigjet e Budapestit ndaj një letre jozyrtare që Komisioni dërgoi nëntorin e kaluar, duke kërkuar informacion mbi shqetësimet për sundimin e ligjit.
Njoftimi vjen vetëm dy ditë pasi Viktor Orban konfirmoi mandatin e katërt përmes fitores së zgjedhjeve parlamentare. Vëzhguesit ndërkombëtarë i kanë kritikuar zgjedhjet, të cilat sipas tyre janë dëmtuar nga avantazhi që i ka dhënë vetes partia në pushtet.
Përplasja BE-Hungari për sundimin e ligjit kanë dominuar dekadën e fundit. Grupet e lirive civile thonë se lideri hungarez ka marrë kontrollin e institucioneve demokratike dhe i ka shpërndarë paratë e taksapaguesve te miqtë dhe familja.
Hungaria është vendi i parë që përballet me procedura të tilla nën pushtetin e ri, i cili i jep BE-së autoritetin për të shkurtuar miliona euro fonde për vendet ku vlerëson se shkeljet vënë në rrezik buxhetin e bllokut. Vendimi i Komisionit për të vënë në punë këtë mekanizëm mund të sinjalizojë një pikë kthese në gatishmërinë e Brukselit për t’i ndjekur anëtarët e pabindur të akuzuar për korrupsion dhe shkelje të standardeve demokratike.
Pasi Komisioni të fillojë zyrtarisht procesin, i takon Këshillit të BE-së, i përbërë nga përfaqësues nga secili vend, të përcaktojë përfundimisht nëse do të shkurtohen fondet. PËr të miratuar reduktimin e financimit për një vend të caktuar, duhet një shumicë e cilësuar - që do të thotë të paktën 55 përqind e vendeve të BE-së që përfaqësojnë të paktën 65 për qind të popullsisë së Bllokut.
Add new comment