Kushtetuesja zbardh vendimin: Presidenti nuk ka shkelur Kushtetutën
Gjykata Kushtetuese ka publikuar të plotë vendimin me të cilin hedh poshtë shkarkimin e presidentit Ilir Meta nga Parlamenti. Me vendimin e shpallur sot, Kushtetuesja shfuqizon vendimin e 9 qershorit 2021 të marrë nga Parlamenti për shkarkimin e kreut të shtetit, me 104 vota pro, 7 kundër dhe 3 abstenime.
Maxhoranca vendosi shkarkimin e Metës pas shqyrtimit të një raporti prej 96 faqesh, i depozituar në Kuvend në përfundim të punës së komisionit hetimor, që u ngrit posaçërisht për verifikimin e respektimit të Kushtetutës nga ana e kreut të shtetit.
Presidenti ka kryer një sërë shkeljesh kushtetuese, me të cilat Presidenti ka cenuar rolin dhe pozitën e tij kushtetuese si Kreu i Shtetit dhe përfaqësuesi i unitetit kombëtar. Aktet e Presidentit në shkelje të parimit të shtetit të së drejtës, mosrespektimi prej tij i të drejtave dhe lirive të njeriut, veprimet në kundërshtimet me politikën e përgjithshme shtetërore në marrëdhëniet me jashtë, shkeljet e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, cenimi i pavarësisë funksionale të organeve të pavarura dhe atyre shtetërore, mungesa e respektimit të rendit juridik, qëndrimet e njëanshme apo të paekuilibruara të Presidentit, veçanërisht ato për nxitje dhune, humbja e rolit neutral të tij si Kreu i Shtetit, që nuk përfshihet në lojën e përditshme politike, por duhet të qëndrojë mbi palët dhe të sigurohet për funksionimin demokratik të institucioneve, janë të gjitha veprime që ia kanë humbur Presidentit atributet e Kreut të Shtetit dhe përfaqësuesit të unitetit të popullit.
Në vendimin e saj, Kushtetuesja i hedh poshtë gjetjet e raportit dhe rrjedhimisht edhe vendimin e marrë nga Parlamenti.
Gjykata nuk arrin në përfundimin se Presidenti ka shkelur rëndë Kushtetutën, ndaj ajo do të shfuqizojë vendimin e Kuvendit për shkarkimin e tij nga detyra.
Në raportin e komisionit hetimor të drejtuar nga Taulant Balla, thuhej se, Presidenti para, gjatë dhe pas periudhës së fushatës zgjedhore të vitit 2021, si dhe në ditën e heshtjes zgjedhore, me veprime, sjellje dhe mesazhe të dhëna në publik nuk ka garantuar unitetin kombëtar, nuk ka moderuar konfliktin politik, po përkundrazi, e ka nxitur atë me terma të tillë, që si pasojë kanë sjellë edhe organizime të ndryshme në publik, të cilat në fakt nxisnin dhunë, urrejtje, e deri edhe situata vetëgjyqësie.
Por lidhur me këto konkluzione, Kushtetuesja sqaron se:
Gjykata nuk konstatoi shkelje nga analiza e fakteve të paraqitura nga Kuvendi si ndërhyrje të Presidentit apo ushtrim të kompetencave të ndryshme nga ato të përcaktuara në Kushtetutë, pretendimi për shkeljen e nenit 94 të saj është i pabazuar.
Ngritja e komisionit hetimor për Metën pas zgjedhjeve të 25 prillit të vitit të kaluar ishte nisma e dytë që ndërmori Partia Socialiste për shkarkimin e presidentit Meta. Në korrik të vitit 2020, Kuvendi nuk vendosi për shkarkimin e presidentit Meta, pas kërkesës së Partisë Socialiste, për kontrollin e ligjshmërisë për shfuqizimin e dekretit për zgjedhjet lokale të datës 30 qershor 2019 dhe veprimeve dhe procedurës të ndjekur në kuadër të emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Meta u zgjodh president nga Kuvendi i Shqipërisë më 28 prill 2017 për një mandat pesëvjeçar, i cili përfundon në korrik të vitit 2022.
Add new comment