Raundi i tretë i negociatave, Rusia pritet të sulmojë në 48 orët e ardhshme në Kharkiv, Odesa dhe Kiev
Analistë të ndryshëm po vlerësojnë se trupat ruse do të ndërmarrin sulme ushtarake ndaj Kievit, Kharkivit, Mykolayv dhe ndoshta Odesës në 24-48 orët e ardhshme. Instituti për Studimin e Luftës nënvizon se në datën 5 mars, trupat ruse mund të kenë bërë një pauzë, ndërkohë që drejt qyteteve kryesore nuk ka patur asnjë ofensivë të madhe. Madje, në Kharkiv, trupat ukrainase raportohet të kenë hyrë në kundërmësymje duke depërtuar deri në kufirin shtetëror.
Nëse sheh hartën e përgatitur nga instituti në fjalë, kupton jo vetëm përparimin e ngadaltë të forcave ruse nga tri drejtime, por edhe rëndësinë e Kharkivit që mbyll rrugën e depërtimit nga qendra drejt Kievit. Rusët kanë marrë Zaporizhien në jugperëdim të Kharkivit, veriperëndim të Mariupolit dhe verilindje të Khersonit, duke pykëzuar deri diku në sektorin jugor dhe duke dalë në perëndim të Dniperit që është pengesë natyrore.
Është e thjeshtë të kuptohet nga harta se pse presidenti ukrainas Zelenskiy po kërkon përherë e më shumë ndihma ushtarake, pasi me përqendrimin e mjeteve shtesë, Rusia ka me vete faktorin numerik për të nisur ofensivë nga jugu dhe nga verilindja e Kievit duke shtuar presion të jashtëzakonshëm mbi qeverinë ukrainase.
Putin ndoshta nuk ka faktorin kohë me vete sepse tashmë fitorja e shpejtë nuk ekziston më dhe kjo do të kërkojë patjetër një sukses të ri për të mbyllur njollën që u hap në Ukrainë.
Sa për ushtrinë ruse dhe ecurinë e operacioneve të saj, analistët vazhdojnë të nënvizojnë dobësi të paparashikueshme në terren dhe një organizim që nuk po di t’i përgjigjet situatës veçse me kalimin në operacionin klasik; rrethim dhe rrahje me artileri të rëndë. Diçka që është me pasoja katastrofike në kohën tonë.
Nëse varianti i operacioneve në Kharkiv, Kiev dhe Odesa konfirmohet në 48 orët e ardhshme, atëherë mund të supozohet se Kremlini po do të ulet në negociatat e të hënës me pozitë tjetër negociuese nga terreni.
Add new comment