Lufta që nisi dhe fitoi Rusia
16 shkurti ka qenë përgjatë ditëve të fundit në kryetitujt e mediave perëndimore, si dita e mundshme e pushtimit rus në Ukrainë. Artikuj dhe analiza pa fund të botuara që prej fundit të vitit të kaluar e kanë hedhur shpesh hipotezën se Putin po luante blofin, e megjithatë frika e një operacioni pushtues ka qenë e pranishme gjatë gjithë kohës. Por pasi nuk rezultoi një ditë sulmi, 16 shkurti u kthye në një ditë qesëndisjeje.
Ekspertët në Moskë u vunë menjëherë në rresht për të nisur talljen me median perëndimore.
"Çfarë feste të trishtë kemi sot", tha Olga Skabeeva, moderatore në 60 Minutes në RT, ndërsa në ekran pas saj qëndronin logot e Daily Mirror dhe Daily Mail.
“Dita e mospushtimit të Ukrainës, ose ndoshta siç thonë në Ukrainë, dita kur Putini edhe njëherë tjetër nuk sulmoi”.
Liderët perëndimore me në krye Joe Biden kanë folur shpesh publikisht për planet ruse për pushtimin e Ukrainës, duke shpresuar se ekspozimi paraprak i lëvizjeve të supozuara të Kremlinit mund të shmangte luftën. Por njoftimet për një datë dhe, në rastin e disa tabloideve, koha e saktë kur Rusia mund të nisë sulmin e mundshëm, krijoi një objektiv të madh për tallje nga zyrtarët dhe mediat ruse.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, e cila njihet për deklaratat me nota të forta ironie, tha se do t’u dërgojë një "kërkesë mjeteve të mëdha të dezinformimit të SHBA-ve dhe Britanisë - Bloomberg, Neë York Times, Sun etj. të na njoftojnë për kohën e 'pushtimeve' për vitin e ardhshëm. Do të doja të planifikoja pushimet”.
“15 shkurti 2022 do të hyjë në histori si dita e dështimit të propagandës së luftës perëndimore. E poshtëruar dhe e shkatërruar pa gjuajtur asnjë plumb”.
Megjithatë, pak ka ndryshuar në terren pranë kufijve të Ukrainës. Pas njoftimit të një "tërheqjeje të pjesshme" të forcave ruse nga Vladimir Putin të martën, vetëm dy njësi janë nisur zyrtarisht nga Krimeja për në bazat e tyre.
Add new comment