Një prej miliarderëve të Silicon Valley merr në punë ish-kancelarin austriak
Pasi dha dorëheqjen si kryeministër, Sebastian Kurz do të punojë për një prej mbështetësve të hershëm të ambicieve të tij politike. Ish-kancelarit të Austrisë i është besuar një detyrë menaxheriale e rangut të lartë në Palantir Technologies me bazë në Silicon Valley. Themeluesi i Palantir Technologies është miliarderi gjermano-amerikan Peter Thiel, një nga bashkëthemeluesit e PayPal dhe investitori i parë i jashtëm në Facebook. Ai ka mbështetur edhe republikanët amerikanë dhe ish-presidentin Donald Trump.
Palantir Technologies, e specializuar në analizën dhe përpunimin e të dhënave, është përfshirë në një sërë polemikash. Në qershor 2020, ligjvënësit amerikanë e kritikuan pjesëmarrjen e Palantirit në programin e ndjekjes së COVID-19 (HHS) të qeverisë së SHBA-së, duke pretenduar se kompania po përdorte të dhënat shëndetësore të HHS për të ndihmuar Forcat e Imigracionit dhe Doganave të SHBA (ICE) të gjurmonin dhe arrestonin emigrantë pa dokumente. Kompania ka nënshkruar një kontratë me Pentagonin, të njohur si Project Maven, pas tërheqjes së Google. Sipas austriakes “Heute”, Kurz do të paguhet mbi 300 000 € në vit.
Kurz dha dorëheqjen në tetor, pasi ndaj tij nisi një hetim mbi dyshimet për korrupsion. Dy muaj pas dorëheqjes së kancelar, ai la edhe drejtimin e Partisë Popullore Austriake (ÖVP) në fillim të dhjetorit.
Kurz dyshohet se ka përdorur fondet e qeverisë për të manipuluar sondazhet në avantazhin e tij në vitin 2016. Në nëntor, parlamenti ia hoqi imunitetin.
Kurz është nën hetim edhe për dëshmi të rreme, që lidhet me skandalin e korrupsionit austriak të njohur si Ibizagate. Ky rast përfshin direkt kreun e partisë aleate të djathtë FPÖ, Heinz-Christian Strache, në atë kohë numri dy i qeverisë austriake.
Add new comment