Seksi dy mijë vjet më parë (FOTO)
Dy mijë vjet më parë, bregu verior i Perusë së sotme popullohej nga fisi moche. Ata kishin ndërtuar piramida të mëdha me tulla balte dhe një rrjet të gjerë ujësjellësish. Ata ishin pionierë të teknikave të punës me metal, çka u dha mundësinë të krijonin bizhuteri dhe artefakte jashtëzakonisht të ndërlikuara. Për shkak të mungesës së një gjuhe të shkruar, pak dihej për qytetërimin Moche deri në vitet 1980, kur arkeologët filluan të zbulonin monumente dhe varre që përmbanin murale të detajuara dhe qeramika të jashtëzakonshme me skena të detajuara të gjuetisë, luftimeve, sakrificave, ceremonive dhe situatave qartësisht seksuale.
Qeramika Moche
Arti Moche është një nga stilet më përfaqësuese joabstrakte të artit në Andet e lashta, dhe kjo bie në sy në qeramikën e tyre. Në të gjen të pasqyruara aktivitetet shoqërore, luftën, punimin e metaleve, thurjen dhe seksin.
Deri më sot, më shumë se 100 000 enë të tilla janë gjetur dhe tashmë gjenden të shpërndara nëpër muze dhe koleksione private në mbarë botën. Pothuajse të gjitha vijnë nga sajte të rëndësishme arkeologjike, si Huaca de la Luna (Tempulli i Hënës), Huaca del Sol (Tempulli i Diellit) dhe Sipán, si dhe nga varrezat e Moche të shpërndara në të gjithë bregun verior të Perusë.
Seksualiteti Moche
Të paktën 500 prej këtyre enëve paraqesin imazhe eksplicite seksuale, të paraqitura në mënyrë tipike si figura tredimensionale të pavarura, ose si pjesë e enës. Përveçse janë vepra arti, enët me temë seksi janë edhe enë balte funksionale, me hapësira boshe për mbajtjen e lëngut dhe një grykë, zakonisht në formë falike.
Paul Mathieu, në librin e tij “Sex Pots: Eroticism in Qeramics” shkruan se “një shumëllojshmëri aktesh seksuale vihen re në këto vizatime dhe gdhendje: fellatio nga femra te meshkujt është mjaft e zakonshme; puthje dhe përkëdhelje; masturbim mashkullor (por asnjëherë masturbim femëror); marrëdhëniet midis çifteve heteroseksuale, në pozicione të ndryshme; skena të lindjes; marrëdhënie midis kafshëve (bretkosa, minj, qen, lama, majmunë, nganjëherë me misër ose kultura të tjera ushqimore); dhe marrëdhëniet midis femrave dhe kafshëve mitike (lakuriqi i natës dhe jaguari kishin konotacione të veçanta fetare në kulturën Moche).
Megjithatë, në to gjen disa elementë që i kanë habitur studiuesit. Së pari, është e zakonshme paraqitja e një çifti duke bërë seks, ndërsa gruaja ushqen me gji një foshnjë. Së dyti, akti seksual i paraqitur më shpesh është seksi anal, ndërsa seksi vaginal është pothuajse inekzistent. Kjo mund të përcaktohet saktë pasi pasi organet gjenitale të të dy gjinive shpesh shfaqen të paraqitura me detaje të kujdesshme anatomike.
Interpretimi
Teoritë që shpjegojnë kuptimin e veprave të artit eksplicit të kulturës Moche janë disa. Sipas Turner (2013) në disertacionin e tij 'Sex, Myth, and Metafora in Moche Pottery', punimet e mëparshme shkencore i kanë trajtuar enët erotike Moche si një katalog përfaqësues të praktikave seksuale të popullit Moche, objekte didaktike që synojnë të demonstrojnë metodat e kontracepsionit, që kthehen në “tekste” moralizuese, reflektime të humorit Moche, ose si portretizime të akteve rituale ose ceremoniale.
Teoria e fundit ka marrë mbështetjen më të madhe deri më sot, veçanërisht duke pasur parasysh se vazot e seksit janë gjetur pothuajse ekskluzivisht në varre të individëve me status të lartë, pavarësisht nga mosha apo gjinia e të ndjerit.
Turner thotë në disertacionin e tij se skenat seksuale "aludojnë për marrëdhëniet themelore kozmologjike midis maleve dhe bregdetit dhe mashkullit dhe femrës, kanë një gjuhë të pasur metaforike në lidhje me lëngjet fekonduese dhe ciklin hidraulik, dhe një sërë besimesh që lidhen me adhurimin e paraardhësve dhe rolin e të ndjerit në lidhje me fertilitetin bujqësor dhe njerëzor”.
Add new comment