Makau/ Nga parajsë e lojërave të fatit, në qendër të inovacionit teknologjik  

Postuar në 03 Dhjetor, 2021 16:17

Kina synon t’i japë një drejtim tjetër Makaut, qendra më e madhe e kazinove në botë. Parajsa e lojërave të fatit do të kthehet në një strehë për teknologjinë.

Ish-kolonia portugeze përballet me Covid-19 dhe qëndrimin e ashpër të Pekinit ndaj lojërave të fatit. Në panairin e fundit të mbajtur në Makau, sipas mediave kineze, tema ishte pikërisht teknologjia. Qindra investitorë dhe drejtues të teknologjisë kontinentale diskutuan vizionet e tyre për qytetin.

Pandemia e Covid-19 e ka pasur ndikimin e saj në biznesin miliarda dollarësh të lojërave të fatit në Makau. Ndërkohë, Pekini nuk po e fsheh pakënaqësinë e tij për rolin e kazinove të Makaut si kanale të paligjshme të kullimit të kapitalit që minojnë stabilitetin financiar të Kinës dhe u shpëtojnë kontrolleve të llogarisë kapitale.

Javën e kaluar, policia kineze arrestoi Alvin Chau Cheok-wa, kreun e operatorit më të madh të kazinove në Makau, me dyshimin për përfshirje në drejtimin e aktiviteteve të paligjshme ndërkufitare të lojërave të fatit.

Shumë firma kineze të teknologjisë, përfshirë Tencent Holdings dhe pronarin e South China Morning Post, Alibaba Group Holding, morën pjesë në këtë panair, duke treguar mbështetjen e tyre që qyteti të bëhet një bazë teknologjike në Zonën e Gjirit të Madh.

Diskutimet e konferencës mbuluan një gamë të gjerë temash, nga metaversi tek shkenca e jetës.

Industria e lojërave të fatit kontribuoi mbi gjysmën e PBB-së prej 54 miliardë dollarësh të qytetit para pandemisë dhe gjeneroi 80 për qind të të ardhurave tatimore të qeverisë lokale. Një rënie prej 80 për qind në të ardhurat e lojërave të fatit vitin e kaluar çoi në një rënie prej 50 për qind të PBB-së.

Në planin e Pekinit, Makau po inkurajohet të zhvillojë qarqe të integruara, projekte të reja energjetike dhe inteligjencë artificiale (AI), krahas sektorëve të tjerë të teknologjisë, dhe të krijojë një zinxhir furnizimi për çipat, nga dizajni në testim.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.